Janë bërë disa muaj tashmë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur virusin korona një pandemi botërore, megjithatë disa nga besimtarët e religjioneve të ndryshme në vend ende e vënë në dyshim ekzistencën e virusit korona dhe mendojnë që religjioni i tyre i mbron nga ky virus. Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të apelojnë që të ndiqen rekomandimet e Qeverisë dhe OBSH-së sepse virusi është real dhe po merr jetë njerëzish.
Institucionet fetare dhe prijësit fetarë në Maqedoninë e Veriut kanë luajtur rolin e vet në mosbesimin e virusit nga ata që ndjekin këto institucione. Ata kanë dalë me deklarata “çorientuese”, që kanë zgjuar dyshime te të njëjtët. Tani besimtarët janë ndarë në dy grupe: ata që respektojnë masat qeveritare për t’u mbrojtur nga virusi korona, dhe ata që nuk besojnë madje as se ekziston i njëjti.
Qytetarët të cilët nuk e besojnë virusin thonë se nuk kanë frikë dhe se e gjithë situata është një gënjeshtër: “Nuk i besoj aspak këtij virusi, prandaj nuk mbaj maskë dhe doreza”, “Absolutisht jam i mendimit se nuk ekziston fare. Po maskën ja e mbajmë se shteti kërkon”, “Te ne nuk ka epidemi, mos ta gënjejnë popullin”.
Nga ana tjetër, sjelljen e besimtarëve të cilët besimin e tyre e shohin si të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga virusi korona, sociologët e shpjegojnë si fëmijërore dhe të pakuptimtë. Sociologu Ali Pajaziti, thekson se religjione të caktuara japin kontribut të madh në ballafaqimin me virusin, por kjo nuk do të thotë se besimi është një “ Mur Kinez” mes besimtarit dhe sëmundjes.
“Kjo është një qasje jashtëzakonisht infantile, fëmijërore. Pra të lidhësh një pandemi, një sëmundje globale, me religjionin, me Zotin, se Zoti na mbron neve vetëm pse jemi besimtarë të një kategorie apo të një feje është një mendim i pakuptimtë që nuk ka kurrfarë baze. Nuk sëmuren vetëm jobesimtarët, ateistët, agnostikët, të krishterët, hebrenjtë, sëmuret çdonjëri prej tyre. Madje sëmuren edhe natyristët, njerëzit të cilët besojnë në fenomene natyrore. Sëmuren edhe politeistët, ata që besojnë në shumë Zota, por sëmuren edhe monoteistët ata që besojnë një Zot. Edhe myslimanët dhe çdokush. Këtë e vërejmë ne edhe nga harta që publikohet nga instancat ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe nga institucione të tjera planetare.”
Sipas Ali Pajazitit, askush nuk është imun. Sëmundja nuk pyet për adresë apo bindje fetare. A je më pak fetarë apo më shumë, kjo është çështje tjetër që ka të bëjë me raportin njeri-hyjni, njeri-Zot, ndërsa ky problem është problem i pastër shëndetësorë, thekson ai. Sipas tij, natyrisht që religjione të caktuara japin ndihmesë, japin kontribut të veçantë në ballafaqimin me këtë sëmundje, duke pasur parasysh urdhëresat për higjienën personale, lidhur me pastërtinë dhe ritualet që kryejnë besimtarët para lutjeve, janë hapa të rëndësishëm. Por, thekson Pajaziti, kjo nuk do të thotë se ju keni një “ Mur Kinez” mes jush dhe sëmundjes. Andaj sipas tij, nuk duhet të ngatërrohen çështjet metafizike dhe çështjet fizike. Nuk duhet të ngatërrohen çështjet qiellore me ato tokësore.
“Këtu, tani dhe më një sëmundje që është e pranishme, e qartë dhe që potencialisht mund të sëmuremi cilido nga ne, përfshirë edhe mua”, ka thënë Pajaziti.
Edhe mjekët dhe ekspertët vazhdojnë të apelojnë për respektim të masave por edhe ngritje të vetëdijes te popullata se virusi është real dhe është në mesin tonë. Mjeku Liridon Disha thekson se numri i madh i të infektuarve sadopak i ka bërë njerëzit të shohin se virusi ekziston.
“Duke i parë gjithë këto raste të pacientëve që luftojnë me jetën, mendoj se është e qartë se njerëzit janë bindur se virusi ekziston. Është e vërtetë se ka edhe një pakicë të të paarriturve që kanë gjithmonë tendenca të fajësojnë të tjerët për dështimet e tyre. Janë po ata që kalojnë prej ekstremi në ekstrem duke harruar se mes ekstremesh ekziston një botë reale e cila sot lufton kundër kërcënimit më të madh që ka parë bota moderne”, thekson Disha.
Grumbullimet e njerëzve nëpër vende të ndryshme vazhdojnë të jenë vende me rrezik të lartë për shpërndarjen e virusit. Madje edhe grumbullimet nëpër kisha e xhamia. Infektologu Fadil Cana i cili çdo ditë ballafaqohet me pacientët e infektuar është i mendimit se grumbullimet e çfarëdo lloj motivi mund të ndikojnë në përhapjen e virusit, andaj dhe duhet pasur kujdes.
“Grumbullimi i çfarëdolloj motivi është burim potencial për tu infektuar, qoftë fetar, politik, familjar ose ceremoni mortore. Në këtë fazë ku vetëm se shihet që kemi transmetim komunitar, çfarëdolloj grumbullimi mund të ndikojë në përhapjen dhe rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19”, ka deklaruar Cana.
Çfarë faji kanë institucionet fetare?
Dyshimet dhe hutitë te besimtarët lidhur me këtë çështje vijnë edhe nga mos përgjegjësia e institucioneve fetare fillimisht. Në Strugë gjatë kohës së pandemisë kur të edhe masat e qeverisë ishin në fuqi, në mënyrë tradicionale u zhvillua liturgji fetare në të cilën u mblodhën qindra besimtarë, prej të cilëve një pjesë e madhe nuk respektuan masat. Organizuesi i ngjarjes – tempulli “Shën Gerogij”, pretendoi se kisha disa ditë para i ka përgatitur besimtarët ndryshe ta shënojnë ngjarjen dhe se kanë apeluar te masa që t’u përmbahen masave të qeverisë. Por, fotografitë e publikuara dhe incizimet dëshmojnë të kundërtën. Në to shihet se pjesëmarrësit nuk kanë mbajtur distancën përderisa klerikët nëpër qytet i mbanin ikonat e shenjta.
Nga ana tjetër, edhe ish Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, reisi Sulejman Rexhepi, para xhamisë Mustafa Pashës në Shkup, duke uruar Fitër Bajramin, tha se virusi Kovid-19 është i vdekur.
“Presim që periudhën e ardhme çdo herë të ngadhënjejmë mbi të keqen dhe të dini se Kovid-19 mundet lirisht ta shpallin të vdekur prej sot duke pasur parasysh se e kemi fituar dhe për këtë jemi këtu”, – tha reisi Rexhepi.
Këto ngjarje dhe deklarata shkaktuan jo vetëm debat në opinion por edhe çorientim dhe huti te besimtarët që mbështeten te vendimet e institucioneve fetare.
Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut praktikoi masën e orës policore gjatë festave fetare në vend: gjatë fundjavës së pashkëve, dita e kujtimit të dekurve dhe Festës së Fitër Bajramit që sado pak të kufizojë grumbullimin e njerëzve nëpër objekte fetare apo hapësira publike.
Ndonëse xhamitë qëndruan të hapura gjatë festës së Fitër Bajramit që të mund të falet namazi i Bajramit, Hoxha Maksut Abazi nuk e hapi xhaminë e Porojit meqë sipas tij në raste të këtilla duhet të dëgjohen mjekët dhe të respektohen masat. Ai tha se virusi korona ekziston dhe bëri thirrje që njerëzit te evitojnë grupimet qoftë edhe për raste familjare, si dasma ose varrime. Ai doli hapur thënies së ish kreut të BFI-së Sulejman Rexhepit se korona ka vdekur duke thëne se edhe librat fetarë thonë se vlerësime të tilla duhet të japin vetëm ekspertët.
Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.
This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.