Institucionet kanë rol kyç në nxitjen e mendimit kritik te masa kurse, në mesin e tyre, shkollat përgatisin gjeneratat e reja për përballje me fenomenet që gjenerojnë mediat. Duke parë lajmet e rrejshme si sfidë kurse të rinjtë shpesh si target të autorëve të këtyre lajmeve, ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të demorkacisë dhe mendimit kritik nga njëra anë, dhe profesionalizmit të mediave, nga ana tjetër.
“Që të njohësh lajmet e rrejshme, të përballesh me këto fenomene, është thelbësore që të ketë saktësi të informacioneve por edhe duhet parë se sa ne jemi të përgjegjshëm kur ndajmë informacione madje edhe përmes rrjeteve sociale. Liria e të menduar dhe shprehjes në vete mbart përgjegjësi por edhe kufizime që të mos thyejmë privatësinë, të mos përdoren fyerje, dhe të ngjashme. Është demorkatike që të dëgjohet mendimi i tjetrit, të polemizohet dhe të debatohet.”
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi premtoi angazhimin e dikasterit të tij që nga hapat e parë të shkollimit brezat e rinj të edukohen për t’u shpallur luftë fenomeneve negative në shoqëri. Këto komente Ademi i bëri në debatin me temë “Si të informohemi dhe si të jemi të informuar”.
“Është tejet e rëndësishme të zhvillohet mendimi kritik tek nxënësit tanë edhe atë që nga mosha e re sepse vetëm kështu ata do të rriten për t’u bërë individë dhe pjesë e gjeneratave të tëra të cilat do të kenë mundësi që të korrigjojnë gjendjen aktuale në të gjitha sferat e shoqërisë. Vetëm kështu ata mund të bëhen pjesë ose kreatorë të drejtpërdrejtë të ndryshimeve për një të nesërme më të mirë.”
Maqedonia në disa raporte të progresit nga Komisioni Evropian ka marrë kritika për gjendjen e mediave, pavarësinë e tyre dhe profesionalizmin. Mediat janë një nga shtyllat kryesore të demokracisë në një vend dhe gjendja e tyre pasqyron realitetin shoqërorë në përgjithësi. Për këtë, në raportin e fundit të progresit për Maqedoninë shkruan se “Sa i përket lirisë së shprehjes, vendi ka arritur njëfarë niveli të përgatitjes dhe ka bërë përparim të mirë, sidomos nëpërmjet një klime të përmirësuar për median, duke zvogëluar presionin ndaj gazetarëve. Vendi duhet të trajtojë sfidat e mbetura, duke përfshirë reformën e servisit publik.”
Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – KriThink, projekti implementohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me EUTOTHINK – Qendra për strategji Evropiane

