Dezinformatat dhe lajmet e rrejshme

Lajmet e rrejshme kanë ekzistuar gjithmonë mirëpo në vitet e fundit, me zhvillimin e internetit dhe mediave online, ata janë përhapur më shumë dhe janë bërë madje edhe mënyrë përfitimi. Mediat online e kanë lehtësuar “bërjen” e lajmeve por e kanë vështirësuar piketimin e atyre të besueshmeve. Lexuesi duhet të jetë i kujdesshëm për të vërejtur disa karakteriska të këtyre lajmeve, mos-përputhjen e fakteve dhe ndonjëherë edhe “lojërat” me paragjykimet.

Lajmet e rrejshme mund të identifikohen, ose të paktën të lexohen me sy kritik dhe me një masë skepticizmi për vërtetësinë e tyre. Nisuni nga disa pyetje!

  1. Cila është media e cila e transmeton lajmin?

Në qoftë se hasni në një lajm që u tërheq vëmendjen dhe dëshironi të dini se sa mund t’i besoni atij, hidhini shkurt një sy përmbajtjes tjetër të asaj medie, shikoni titujt e tjerë, paragrafët e parë të informacioneve… Nëse në të gjithë përmbajtjene saj ka më shumë tituj që duken të çuditshëm, ka shumë të ngjarë që informacioni të mos jetë i saktë.

  1. Cili është burimi të cilit i atribuohet informacioni?

Është parim profesional i gazetarit që informacioni të konfirmohet nga disa burime dhe të kontaktohen palët e përfshira përpara se ai të publikohet. Është po ashtu e drejtë e gazetarit të fshehë identitetin e burimit por duhet të bëhet kujdes me besimin që u jepet këtyre lajmeve. Në rast se fsheh burimin, gazetari duhet të ketë siguruar sa më shumë të dhëna të tjera për ta vërtetuar nëpërmjet rrugëve të tjera atë që shkruan.

  1. A ka media të tjera që e kanë publikuar atë lajm?

Nëse lexon për ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme dhe interesante, matës i vërtetësisë së saj mund të jetë edhe transmetimi nga mediat e tjera. Shembull, nëse lajmin që një ministër paska pësuar aksident e transmeton vetëm një portal dhe nuk e gjen në asnjë medie tjetër, mundësitë janë të mëdha që ai të jetë “fake neës”.

  1. Sa mundësi reale ka që të jetë i besueshëm një informacion aq bombastik?

Lajmet e rrejshme, kryesisht bëhen me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, arritjes së sa më shumë klikimeve dhe manipulimit. Prandaj ata shpesh flasin për storje bombastike që duken shumë interesante, senzacionale, parashikojnë katastrofa të ardhshme, kura për sëmundje vdekjeprurëse dhe të ngjashme. Sa më larg mundësive reale të duket ai informacion, aq më afër të qënit “fake neës” është.

  1. Sa i dyshimtë është domeni i medias?

Me siguri, disa herë u ka rënë në sy që hapen portale me emër ose domen të ndonjë medie të njohur dhe të besueshme, ndoshta edhe të ndonjë programi të ndjekur të ndonjë medie, emisioni ose formati tjetër. Një arsye pas këtij manipulimi me emrin duhet të ketë, dhe me shumë gjasë, arsyeja mund të jetë shpërndarja e “fake neës”.

Institucionet në vend janë të vetëdijshëm për këtë fenomen.

Robert Popovski, ministër pa resor, i angazhuar për komunikim dhe transparencë   1:20 – 1:57

“Lajmet e rrejshme nuk janë vetëm frazë por një realitet i hidhur. Efekti të cilin e shohim çdo ditë në hapësirat mediatike janë pika ekstreme në hapësirën digjitale. Aty informacionet plasohen, paraqiten dhe zhduken vazhdimisht, shpesh pa gjurmë, pa mundësi për verifikimin e fakteve dhe pa përjashtim, me tituj të menduar posaçërisht për të qenë kurth për klikime. Shpesh janë destinuar për të diskredituar persona, bashkësi ose shoqëri.”

Deri te sa persona mund të arrijnë lajmet e rrejshme, sa veta mund t’i absorbojnë dhe sa ndikim mund të kenë, është çështje e diskutueshme. Kjo varet edhe nga karakteristika të tjera sidomos që kanë të bëjnë me arsimimin në përgjithësi, edukimin mediatik të lexuesve ose të një shoqërie dhe sa i shfrytëzojnë ata mediat.

Kur flitet për lajmet e rrejshme duhet të theksohet se ka media ose platforma të tjera me përmbajtje satirike. Ata shpërndajnë të dhëna pjesërisht ose plotësisht të sajuara. Kjo formë e lajmeve të rrejshme është e pranueshme por media në fjalë duhet qartë ta theksojë në shkrimet e saj se bëhet fjalë për informacione satirike dhe humor.

Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – KriThink, projekti implementohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me EUTOTHINK – Qendra për strategji Evropiane