Diversitet do të thotë askush mos mbesë anash

Duke u fokusuar në raportin mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, shpesh lëmë anash ata më të voglat, por që realisht janë po aq të rëndësishme. Diskutimi i radhës nga Diversity Media në kuadër të projektit Diskutime Glokale ishte pikërisht për sfidat e tyre dhe si t’i sjellim në dritën e vëmendjes edhe nevojat e tyre. Ky debat u realizua në Gostivar, një ndër qytetet më përbërje më të përzier të të gjithë nacionaliteteve që jetojnë në Maqedoni. Prej shumë vitesh gazetar në këtë rajon, Zoran Magjovski tregon përvojën e tij profesionale duke punuar me të gjithë komunitetet që sipas tij, sa janë të ngjashëm në interesant dhe nevojat e njëjta, janë po aq të ndryshëm sa i takon bindjeve të tyre.

 “Vetë në vetë tregon se këtu jetojnë më shumë komunitete dhe me këtë gërshetohen interesat njëri me tjetrin ose ata nevoja bazike njerëzore si ujë, ajër dhe higjienë, megjithatë njerëzit kanë edhe shprehi të tjera nga të cilët tërhiqen qofshin ata nga ana religjioze qofshin edhe bindje të tjera dhe në kohët e fundit edhe politike, kështu që njerëzit në njëfarë mënyre në vete janë të ndarë dhe janë të ndryshëm.”

Udhëheqësi i sektorit për të drejtat e njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike në Organizatën Joqeveritare “Hëna”, njëkohësisht përfaqësues i komunitetit rom, në këtë debat tha që pas pavarësimit së vendit, politika ditore ka sjellë këtë komunitet përballë sfidave dhe ata e shohin atë vetëm si një garë mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Perceptimi i tyre është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit është arritur vetëm për maqedonasit dhe shqiptarët. Në përgjigjen tjetër që vijon se pse e kanë këtë perceptim, opinion që atëherë dhe deri sot nuk ka ndonjë që janë bërë publike dhe që mund të shihet se edhe romët kanë ndonjë përfitim.”

Megjithatë, në Gostivar, duket se mbijeton një harmoni që dallon nga pjesët tjera të Maqedonisë. Sipas analistit Albert Musliu zyrtarizimi i tregjuhësisë në këtë qytet është tregues i vullnetit të mirë të pushtetit lokal, por për të bërë më shumë është e nevojshme mbështetja ekonomike e pushtetit qendror.

“Komunitetet më të vogla janë edhe më të ndjeshme dhe edhe ekonomikisht më të margjinalizuara. Por mendoj se e gjithë puna nuk mund të jetë efektive nëse nuk ka ndihmë institucionale edhe nga pushteti qendror. Pushteti qendror e ka fuqinë ekonomike që t’ua mundësojë këto materializime edhe pushtetit lokal. Mendoj se si komunitet në Gostivar relativisht ka tolerancë të shprehur. Stereotipet janë një gjë që ekzistojnë dhe ato duhet të thyhe, por është pjesë tjetër e obligimit të komunitetit.

Musliu gjithashtu solli në shprehje marrëdhëniet e mira të komunitetit turk me vetë shtetin e Turqisë, gjë që ndikon në ngritjen e tyre në shoqëri në raport me komunitetin rom. Gjatë viteve të fundit, komuniteti rom në Këshillin e Komunës së Gostivarit përfaqësohet me një këshilltar, gjë që e ka bërë më të lehtë mbrojtjen e interesave të tyre.

“Gostivari priti që do të shkruhej në histori për vendosjen e flamurit të komunitetit rom për 8 prill përpara Komunës së Gostivarit. Dhe për këtë organizata jonë “Hëna” është përpjekur për të lobuar disa vite përpara por fatkeqësisht Tetova doli fituese. Vitin e kaluar Tetova për herë të parë vendosi flamurin e komunitetit rom, kurse pritshmëritë tona janë që këtë vit, vetëqeverisja lokale do të ketë mirëkuptim për komunitetin rom ashtu siç ka mirëkuptim për turqit, gjë që është për t’u përshëndetur.

Fati i komunitetit rom nuk duhet të lihet vetëm në dorë të shoqërisë civile. Për të thyer stereotipet, duhet të ndikojnë edhe politikanët, të cilët është e nevojshme të promovojnë vlerat demokratike dhe përfundimisht të zhdukin bindjen se romët, lehtë mund të manipulohen duke blerë me çmim të lirë votën e tyre.

“Vota e varfër për të cilën unë thash se do të flas, nuk është vetëm te romët dhe nuk blihen vetëm votat e romëve. Blihen të gjithë ata vota ku politikët mund të ndikojnë dhe t’i blejnë ato.”

Qytetarët që u bënë pjesë e bisedës, treguan si e përjetojnë ata diversitetin dhe cila mund të ishte zgjidhja për një mirëqenie më të madhe. Ndër të tjera u shtrua edhe një ide shumë serioze, ajo e formimit të Komisioneve për Marrëdhënie ndëretnike në kuadër të këshillit të komunës.

“Duhet bërë më tepër që të faktorizohen komisionet për Marrëdhënie ndëretnike mes bashkësive. Duke mos e njohur rëndësinë që mund të ketë një komision i tillë që mund të përfshijë pakicat etnike të cilat nuk janë të përfshira në vendimmarrje siç është Këshilli Komunal, vlerësoj se përforcimi i këtyre komisioneve do t’i përfaqësonte më tepër interesat e bashkësive etnike aq më tepër bashkësive të vogla etnike.”

Nga ana tjetër, shumë nga anëtarët e komuniteteve pakicë, kanë një dëshirë më se objektive.

“Do të doja fëmijët dhe nipërit e mi të rriten në një qytet të ngjashëm me këtë por do të doja, ja një apel deri te vetëqeverisja lokale, tabelat rrugore, t’i shoh edhe në gjuhën rome.”

Përveç nevojave bazike si infrastrukturë, emra rrugësh dhe përdorim të gjuhës, të pranishmit në panel thanë që është koha të flitet edhe për zhvillim të kulturës, traditës dhe medieve, dhe për këtë janë të nevojshme mjete të posaçme nga pushteti qendror.