Gjuha e urrejtjes shkakton krim nga urrejtja

Gjuha e urrejtjes është gjithkund në internet, në uebsajte, në rrjetet sociale, në kanale të ndryshme. Ajo mund të përshkruhet si lloj i mizorie kundrejt një feje, përkatësie etnike, identiteti seksual, gjinie, race apo ndonjë grupacioni të ngjashëm. Të rinjtë, si përdorues masiv dhe më pak të informuar do ta hasin patjetër në internet. Vetëm duke luajtur një lojë në internet, duke kërkuar një përkufizim ose duke dëgjuar muzikë, ata do të hasin fjalë dhe imazhe të turpshme dhe ofenduese.

Intensiteti i shpërndarjes së këtyre ideve, frekuenca me të cilën fëmijët i shohin dhe pranimi nga kaq shumë njerëz si diçka e zakonshme, e bën akoma më urgjente nevojën që fëmijët dhe të rinjtë të informohen më shumë për këtë fenomen. Ata duhet të jenë shumë më mirë të pajisur me informacione rreth gjuhës së urrejtjes dhe pasojave të saj përpara se të absorbojnë çdo gjë që ju del përpara. Përmbajtjet ofenduese janë lehtë për t’i njohur, por definimi i asaj që përbën gjuhë të urrejtjes është më e vështirë për t’u njohur.

Gjuha e urrejtjes

  • Nëse dikush po përpiqet të dëmtojë dikë, ose e di se po e lëndon dikë, dhe e bën vazhdimisht online, kjo është cyberbullying.
  • Kur dikush shpreh pikëpamje të egra rreth një grupi ose drejt një atributi të një grupi, kjo është gjuha e urrejtjes.
  • Gjuha e urrejtjes mund të dërgojë deri në krime të urrejtjes.
  • Fëmijët që kanë zemërim në vete ose pasiguri rreth gjërave të tjera në jetën e tyre, mund të tërhiqen nga grupet që drejtohen nga retorika e urrejtjes.
  • Urrejtja zakonisht gjeneron nga padituria.

Eshtë e pamundur që të kontrollojmë çdo përmbajtje në internet për të shmangur ata që shprehin gjuhë të urrejtjes. Kjo është pothuajse e pamundur edhe për institucionet. Mbrojtja më e mirë është informimi i fëmijëve dhe të rinjëve për vlerat reale të njerëzve, zhvillimin e dhembshurisë dhe tolerancës, komunikimit të duhur dhe ndjeshmërisë ndaj të tjerëve. Forma më e mirë për të shmangur viktimizimin nga ky lloj i urrejtjes është leximi dhe informimi për të tjerët, për ata që janë ose që duken ndryshe. Është e preferueshme që gjuha e urrejtjes, nëse është në përmasa që përbën shkelje, të raportohe.

Është folur publikisht edhe për përgjegjësinë e mediave online ose rrjeteve sociale që dashur – padashur janë ndërmjetësues të këtyre mesazheve. Madje është shkuar një hap më tej për krijimin e algoritmeve detektues të fjalëve ose shprehjeve të caktuara që përdoren nga personat që e praktikojnë atë por deri tani kjo ka dështuar. Në Maqedoni, organet rregullator të mediave, institucione të tjera shtetërore dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare së fundmi kanë nënshkruar për formimin e një rrjeti për luftë kundër gjuhës së urrejtjes në media. Kjo u referohet të gjitha mediave, jo vetëm atyre elektronike. Në vendin tonë, më shpesh hasen shprehje urryese, ofenduese dhe madje edhe kërcënuese midis grupeve të ndryshme etnike, për pjesëtarët e komunitetit LGBT, për pjestarët e komunitetit rom, grupeve me pikëpamje të ndryshme politike, etj.

Klemens Koja, ambasador i OSBE-së:

“Jam i bindur se vendosja e këtij rrjeti do të ndikojë në sjelljen publike duke penguar gjuhën e urrejtjes në media. Rrjeti do t’i lejojë anëtarët e tij të zhvillojnë masa për reduktimin e gjuhës së urrejtjes në media dhe do të analizojnë se pse gjuha e urrejtjes paraqet një element gjithmonë e më prezent që dërgon në krim të urrejtjes.”

Marina Tuneva, drejtore e Këshillit të etikës :

“Duke marrë parasysh faktin se gjuha e urrejtjes për një kohë më të gjatë mbizotronte në skenën mediatike, duke ndryshuar vetëm personat të cilëve kjo gjë u ka shërbyer qëllimeve dhe taktikave të tyre, na ka detyruar që edhe ne vetë të alarmojmë për formimin e një trupi për vetrregullim në media por edhe në përgjithësi gjithë bashkësia mediatike, se diçka duhet të ndërmerret. Duhet të theksojmë se vetrregullimi nuk është ilaçi i vetëm për gjuhën e urrejtjes në media, veçanërisht jo në shoqërinë tonë ku gjatë kohë kanë munguar kapacitetet demokratike.”

“Gjuha e urrejtjes” si e tillë është legale në disa vende të botës, përveç nëse specifikon dikë, përmban kërcënime dhe ngacmime, ose krijon një mjedis armiqësor (si në shkollë ose në punë). Por vija midis asaj që është e pranueshme dhe asaj që është e papranueshme, sidomos në internet, është çështje debati. Rrjetet më të përdorura nga grupmoshat e reja janë Instagram, Tëitter dhe YouTube. Përpjekjet e tyre shpesh kanë qenë të pasuksesshme për të shtypur retorikën e urrejtjes në platformat e tyre ose ndoshta vetë kompanitë zgjedhin të jetë kështu sepse duan më shumë përdorues.

Për të qenë më të qartë: Interneti nuk e ka krijuar gjuhën e urrejtjes. Interneti (dhe sidomos media sociale) thjesht sigurojnë një vend për njerëzit që të shprehen. Bota online është plot me informacion të rremë, i cili krijohet lehtësisht, shpërndahet lehtësisht dhe besohet lehtësisht nga ata që dëshirojnë që idetë e tyre urryese të konfirmohen. Kompanitë e teknologjisë përfitojnë nga lidhja dhe angazhimi i njerëzve, dhe asgjë nuk i angazhon dhe aktivizon njerëzit si idetë nxitëse.

Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – KriThink, projekti implementohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me EUTOTHINK – Qendra për strategji Evropiane