Grumbullohen para për organizim studentor, por a ekziston në praktikë?

Edhe pse nuk ka asnjë organizatë studentore tashmë dy vjet, gjatë regjistrimit të semestrit në fakultetet e Universitetit “Goce Delcev” në Shtip, pagesa në emër të Parlamentit Studentor është e detyrueshme.

Në vitin 2018, studentët kanë paguar mbi një milion denarë në llogarinë e shoqatës qytetare “Parlamenti Studentor i UGD”. Edhe këtë vit studentët paguan në emër të Parlamentit Studentor, por mjetet paguheshin në llogari të universitetit.

Shkruajnë: Teodora Noveska dhe Shefkije Alasani

Gjatë regjistrimit të këtij viti akademik 2019/2020 në shtator të vitit 2019, të gjithë studentët në Universitetin “Goce Delchev” nga Shtipi, paguan një shumë të detyrueshme prej 150 denarësh për Parlamentin dhe Avokatin studentor. Megjithatë, askush nuk shtroi pyetjen – për cilin Parlamenti Studentor, kur me ligjin e ri të Arsimit të Lartë të muajit maj 2018, kjo organizatë nuk është organ përfaqësues i studentëve, por janë kuvendet studentore, që nuk ishin formuar.
Që paradoksi të jetë dhe më i madh, mjete për Parlamentin studentor janë grumbulluar edhe vitin e kaluar, gjatë regjistrimit të vitit akademik 2018/2019, kur ligji thjesht fshiu këtë organizatë. Sipas ligjit të ri, organizatat studentore që ekzistonin më parë, të njohura si Parlamente Studentore, të organizuara si shoqata qytetare, automatikisht pushojnë së ekzistuari, ndërsa llogaritë ua ngrijnë. Ky ishte sqarimi që morëm nga universiteti. Sidoqoftë, shoqata qytetare “Parlamenti Studentor i UGD” akoma ekziston dhe ka një llogari aktive bankare, të konfirmuar nga Regjistri Qendror. Llogaria përfundimtare e shoqatës, e cila u dorëzua në shkurt të këtij viti, paraqet të ardhura prej 1.313.256 denarë.  Nga këto, 1.077.407 prej tyre janë të hyra nga anëtarësimi nga studentët, që i kanë paguar gjatë regjistrimit të vitit akademik.

Publiku më i gjerë është i njohur me Parlamentin studentor të UGD edhe nga buletini i policisë. Në vitin 2015, policia ngriti aktpadi kundër kryetarit të atëhershëm, Goran Stamenkov, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autorizimit. Stamenkov dyshohej se kishte transferuar mjetet e studentëve në llogaritë e tij, me çka, kishte abuzuar me anëtarësinë e studentëve.

Për më tepër, edhe vet procesi i pagesës së anëtarësisë ishte i kontestueshëm me organizimin e Parlamentit studentor. Funksiononte si një shoqatë qytetare, kurse anëtarësimi në shoqata të tilla ishte vullnetare, por jo edhe për studentët e UGD, për të cilët universiteti nuk lejonte regjistrim të semestrit pa paguar anëtarësimin në Parlamentin studentor. Këtu imponohet pyetja: Pse Universiteti ka lejuar një manipulim të tillë të studentëve për kaq kohë?

Studentët paguajnë për organizatë që nuk ekziston

Me hyrjen në fuqi, Ligji i ri për arsimin e lartë i shfuqizon këto organizata si pjesë e organizimit të studentëve. Megjithatë, Parlamenti studentor i UGD, edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2018, ka vazhduar të mbledhë shuma të detyrueshme anëtarësie. Ne morëm vërtetim nga Regjistri qendror, ku Parlamenti studentor i UGD është organizatë aktive, me llogari bankare aktive. Sipas të dhënave nga Regjistri qendror, u.d. kryetar i Parlamentit ktudentor është Ivan Krstevski, i cili, siç na konfirmoi, është ende në këtë funksion. I pyetur se pse shoqata ekziston akoma, Krstevski u përgjigj se ashtu i ishte thënë nga universiteti.

“Llogaria është akoma aktive sepse universiteti na urdhëroi ashtu. Kryetari i ardhshëm pas zgjedhjeve do të duhet të marrë përsipër presidencën. Ne nuk kemi të hyra nga studentët për një vit e gjysmë dhe nuk kemi para në llogari”, tha Krstevski, i cili na drejtoi tek udhëheqësit e universitetit për të gjitha pyetjet vijuese. Megjithatë, nga universiteti deklarojnë ndryshe. Zëdhënësi Kiril Barbareev thotë se paratë e studentëve për vitin akademik 2018/2019 janë grumbulluar nga OQ “Parlamenti Studentor – UGD”, ndërsa në llogarinë e universitetit grumbullohen vetëm këtë vit akademik (2019/2020).

“Paratë që janë paguar këtë vit akademik qëndrojnë në llogarinë e universitetit, në nën-llogari organizim studentor. Nuk do të shpenzohen derisa të zgjidhet një udhëheqësi e re studentore, mandej paratë do të jenë në dispozicion të tyre”, tha profesori Kiril Barbareev.
*Printscreen nga udhëzimet elektronike për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2019/2020 në faqen e Universitetit “Goce Delçev” – Shtip.

Lidhur me atë se pse shoqata Parlamenti studentor – UGD është ende aktive, nga Universiteti u përgjigjën se ata funksionojnë si njësi të veçanta juridike dhe si organizatë autonome studentore. Zëdhënësi Barbareev thotë se universiteti nuk ka lidhje me ata, dhe për këtë arsye, nuk mund të përgjigjen në pyetje që kanë të bëjnë me funksionimin e tyre.

Studentët paguajnë, qar nuk ka

Në një situatë kur me ligj fshihet nga ekzistenca Parlamenti studentor, për të cilin Universiteti konfirmon se vitin e kaluar ka grumbulluar anëtarësi nga studentët, ndërsa këtë vit ato mjete i grumbullon Universiteti, del se para për organizim studentor ka, por studentët nuk shohin efekt nga paratë. Të shfrytëzojmë matematikë të thjeshtë: nëse në vitin 2018 janë grumbulluar mbi një milion denarë dhe po aq këtë vit, për çfarë janë përdorur mjete prej mbi dy milionë denarë kur organizimi studentor nuk ekziston për dy vite akademike? Për më tepër, Parlamenti studentor për një gjysmë viti ka pasur në dispozicion paratë e studentëve edhe pse ligji nuk e njeh si organizatë përfaqësuese për organizim studentor. Paratë janë grumbulluar nga të dy palët, por studentët nuk kanë fituar asgjë. Ndërsa më herët duhej detyrimisht të paguanin anëtarësi për shoqatë, e cila funksionon mbi baza të bashkimit vullnetar të qytetarëve, tani paguajnë për një organ që akoma nuk është formuar. Kjo praktikisht do të thotë se dikush që është regjistruar vitin e kaluar në studime, dhe programi studimor i zgjatë tre vjet, përfitim nga paratë e paguara, me gjasë, vështirë se do të sheh.

Protesta më masive studentore solli ligj të ri, por jo edhe lëvizje studentore

Të përkujtojmë se ishte pikërisht organizimi problematik studentor ai që shkaktoi protestën më masive studentore, me kërkesë për Ligj të ri për arsimin e lartë, ku do të rregullohej lëvizja studentore. Një vit pas miratimit të këtij ligji vështirë të fituar, organizimi studentor akoma nuk ka lëvizur nga vendi. Një nga ithtaret e këtij ligji, e cila e udhëhoqi protestën studentore, Ivana Tufegxhiq, tani deputete e pavarur e Parlamentit maqedonas, thotë se organizimi i këtillë jep shpresë, pasi që organet do të jenë “nga studentët për studentët”.

“Ky model i organizimit të studentëve është mjaft i decentralizuar dhe u transferon fuqinë studentëve, para së gjithash në nivel të fakulteteve. Financimi i parlamenteve është paraparë të bëhet prej mjeteve të fakulteteve, që mendoj se është e rëndësishme, por rregullimi çështjes së cila do të jetë mënyra, është çështje e brendshme e universiteteve. Shpresoj se zgjedhjet do të jenë të drejta, demokratike dhe pa presion, me qëllim që studentët në mënyrë të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, thotë Ivana Tufegxhiq.

Nga Forumi arsimor rinor (FAR) presin përmirësime me krijimin e këtyre kuvendeve studentore, edhe pse afatet ligjore për themelimin e tyre kanë kaluar.

“Është mirë që këto organe janë në korniza të universitetit. Ajo që është pozitive është se do të ketë kontroll financiar, përderisa më parë, përfaqësuesit e studentëve i harxhonin mjetet për interesa personal siç ishin udhëtimet jashtë vendit, biseda telefonike dhe të ngjashme. Sa i përket faktit se afatet ligjore për formimin e trupave të këtillë kanë kaluar, ne si FAR kemi reaguar publikisht, por nuk kishte asnjë reaksion”, është qëndrimi i Petar Barlakovskit nga FAR.

Më 4 dhjetor 2019, studentët e Universitetit “Goce Delçev” nga Shtipi organizuan zgjedhjet studentore. Me indekse dhe letërnjoftime, një numër i konsiderueshëm i studentëve dolën për të realizuar të drejtat studentore dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për kuvendet studentore të fakultetit. Sipas asaj që pamë, pritjet nga këto kuvende janë të mëdha. Studentët janë kategorikë, presin më shumë të drejta, organizim të ngjarjeve dhe aktiviteteve të rëndësishme për studentët dhe pjesëmarrje më të madhe të studentëve në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me ta.

“Shpresoj se do të punojnë në përmirësimin e jetës kulturore-shoqërore, do të punojnë më shumë në afrimin me profesorët, do të organizojnë konferenca dhe kongrese. Është me rëndësi t’ju mundësohet studentëve pjesëmarrja në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me ata, në të cilat nuk kanë qenë të përfshirë deri tani”, vlerëson Elena Meçkaroska, studente e mjekësisë.

Monitorimin e zgjedhjeve e kryen Këshilli kombëtar rinor (KKRM).Ata i ndjekin proceset që nga vendimi për  mbajtje të zgjedhjeve, krijimin dhe organizimin e tyre, e deri te vendosja e punës së tyre me statut, rregullore etj.

Këto ishin zgjedhjet e para pas miratimit të ligjit të ri. Ligji parasheh procedurë të mëtejshme e cila do të zgjasë. Tranzicioni drejt lëvizjes së re studentore do të jetë një test si për universitetin, ashtu edhe për studentët.

 Ligji i ri për arsimin e lartë parasheh që zgjedhjet në fakultete duhet t’i shpallë dekani dhe të formohet një komision nga dy profesorë dhe tre studentë, të cilët do të ndjekin procesin e formimit të kuvendit të fakultetit, që i përfaqëson studentët.

Kuvendi i fakultetit duhet të zgjidhet në çdo fakultet dhe numëron 10 studentë. Pasi të formohet kuvendi, në seancë konstituive anëtarët do të zgjedhin kryetar dhe do të emërojnë nga dy anëtarë për Kuvendin universitar, një apo dy anëtarë për këshillët mësimorë-shkencorë të fakulteteve dhe një anëtar në Bordin për bashkëpunim dhe mirëbesim me publikun. Pasi kuvendet e fakulteteve ta formojnë Kuvendin universitar, në seance konstituive do të zgjedhë kryetar dhe do të emërojë përfaqësues përkatës në organet e universitetit.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.