Nga se është i “rrezatuar” Shën Nikolla?

Prilepi dhe Shën Nikolla janë dy qytetet të cilët janë në krye të listës për vdekshmëri nga karcinomi në Maqedoni. Në mungesë të studimeve të detajuara, institucionet dhe sektori civil vetëm regjistrojnë numrin e të sëmurëve dhe të vdekjeve. Ndërkohë që organizatat pyesin se kur do të fillojë shteti të kërkojë shkaqet e rritjes së numrit të të sëmurëve me kancer dhe ndotjes së ambientit, institucionet bëjnë thirrje që qytetarët të bëjnë jetë të shëndoshë.

Vizituam Shën Nikollën, ku uji i ujësjellësit të qytetit sugjerohet si shkaktari i shfaqjes së kancerit.

Shteti ti gjejë shkaqet

Ishte një pamje e pazakontë, madje edhe para kryeministrit,  momenti kur ish kryetari i komunës së Shën Nikollës Sllobodan Danevski gjatë lëshimit në përdorim të ujësjellësit të ri, mori një kovë ujë dhe e derdhi mbi vete. Danevski deshi tu tregojë bashkëqytetarëve të tij se pas gjashtë vjetësh ndalesë, tani ata mund ti hapnin rubinetat.

Por atë që deri më sot nuk e morën vesh qytetarët e këtij qyteti është nëse ia vlente të lagej kostumi prej marke të shtrenjtë i kryetarit të komunës në atë ditë maji të vitit 2008? Në Shën Nikollë numri i të sëmurëve me kancer rritet edhe me tej. Në vitin 2010 ka pasur 68 të sëmurë. Vjet janë regjistruar 98. Organizata e grave e cila e para alarmoi për këtë problem me vite kërkon të kërkohen shkaqet.   

“Si organizatë joqeveritare kemi folur me shumë donatorë të huaj, bënin pyetje se pse është kjo situatë dhe pse nuk bëhen studime. Kur kërkuam ndihmë prej tyre, që të bëjnë studime të ujit, ajrit ose tokës, gjithmonë merrnim përgjigje se këto ekzaminime duhet ti bëjë shteti”, thotë kryetarja e shoqatës Vera Zllateva.  

Studimet zhduken?

Kërkesa Ministrisë së Mjedisit i është dërguar që nga 2006, por asnjëherë s’është marrë përgjigje. Sekretarja shtetërore pranë kësaj ministrie Sonja Leptitkova thotë se studimet e tilla janë të mëdha dhe përfshinë institucione të ndryshme shtetërore.

Ministria e bujqësisë, pyjeve dhe ekonomisë së ujërave bën hartën e përbërjes së tokës, nga e cila do shihet përbërja e tokës. Është bërë studimi i ashtu quajtur “Trëndafili i erës” për ndërtimin e aeroportit të ri në Ovçe Pole. Fakulteti i mëparshëm i Minierave, tani i emëruar i Shkencave teknike dhe natyrore në Shtip para shumë vjetësh ka bërë studim për praninë e azbestit në afërsi të Shën Nikollës. Këto kërkime nuk janë në arkivin e fakultetit.   

Nga Instituti i Shëndetit Publik, ku duhet të jenë rezultatet e përmbledhura, për Diversity Media, ofruan dy të dhëna – numrin  e të sëmurëve nga kanceri për vitin 2007 si dhe faktin se uji nga ujësjellësi i vjetër ka pasur sasi të madhe alumini, për çka dhe ishte ndaluar për konsumim.
Për shkak të mungesës së analizave që do të tregonin nëse realisht faktorët nga mjedisi shkaktojnë kancer, në Shën Nikollë ka tre shpjegime më të shpeshta – uji nga ujësjellësi i vjetër, miniera e braktisur e azbestit dhe një bombë e rënë nga një avion i NATO-s pranë zonës akumuluese të ujit Mavrovica.

Ish kryetari komunës Jordan Gjorçev thotë se dyshimet për shkakun e tretë ishin aq të mëdha sa komuna donte të padisë Alenacën.

“Është verifikuar qartë se është hedhur ndonjë materie pranë pendës. E dyta, aty pranë ka rënë një bombë nga një avion i NATO-s, i cili ka qenë i goditur dhe ka qenë i detyruar ta lëshojë. Ka rënë rreth 500 metra nga penda e Mavrovicës. Për këtë arsye dhe për shkak të shqetësimit të banorëve kërkuam të padisim NATO-n”, tha Gjorçev dhe shtoi.

“Në atë kohë u ngrit një zhurmë e madhe, në kuptimin se do të ishte një sjellje e pa kuptimtë politike, edhe nga koalicioni ynë mendonin se një gjë e tillë mund të shkaktojë atmosferë armiqësie, për çka sot më vjen keq që nuk bëmë padinë. Sot e kuptoj se do të ishte një padi qytetare dhe jo siç mori atëherë, dimensione politike”, thotë Gjorçev. .

Shën Nikolla donte të padisë NATO-n

Me qëllim që të shmangen dyshimet, sipas sektorit civil, është mirë që të bëhen analiza të cilat do ti ndërmerrte komuna. Kryetari komunës Robert Georgiev një herë pranoi pastaj anuloi takimin me ne.

Por deputeti Vasko Pashovski u përgjigj në pyetjen se a do të kërkojë analiza të faktorëve ekologjik në emër të votuesve të tij?

“Realisht duhen analiza të mëdha, kërkime të gjata për të verifikuar të gjithë këto. Ka edhe një lum ndërkohë që vjen nga rajoni i Kratovës, i cili përmban sasi të mëdha alumini dhe sulfate alumini. Ujërat futen në pellgun akumulues të Mavrovicës, i cili ujë përdorej për të pirë. Këto ishin shkaqet pse u bë ndalesa për konsumim të ujit. Prandaj them se duhen bërë analiza të mëdha. Nuk besoj se do të hetohet dhe verifikohet gjë, ndërkohë duhet edhe kohë më e gjatë”, thotë deputeti Pashovski.

Radiologia Marionka Dejanova nga spitali i Velesit thotë se nëse sëmundjet shkaktohen nga ndikime mjedisore, zakonisht ndryshimet në trupin e njeriut manifestohen pas disa vjetësh:

“Një shembull është rrezatimi jonizues, si një nga faktorët për kancer – leukeminë, i cili shfaqet pas rreth dhjetë vjetësh pas rrezatimit. Sëmundjet e tjera të kancerit shfaqen pas rreth 20 vjetësh. Parametrat e tilla janë të ngjashme, duhet kohë që të ndryshojë qelizat dhe të transformohen në malinje”, sqaron Dejanova.

Ndryshime ligjore, mbjellje drurësh dhe salla sportive kundër kancerit?!

Agjencia ndërkombëtare për energji atomike ndikimet e dëmshme ekologjike i konsideron si faktor rreziku për shfaqjen e kancerit. Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon veprim të përbashkët mes mjekëve, qeverive, kompanive dhe shoqërisë civile.

Në Maqedoni, partia qeverisëse VMRO-DPMNE sipas drejtuesit të qendrës për komunikime Ilija Dimovski, thotë se vepron duke ndryshuar ligjet ekologjike dhe me mbjellje drurësh.  

“Kategoria e tretë është ndërtimi i objekteve sportive, të cilat duhet të sjellin ndryshim në mënyrën e pa shëndoshë të jetesës. Këto janë veprimet efektive të cilat mund të themi se i kemi bërë”, thotë Dimovski.

Në Maqedoni ndër 100.000 qytetarë nga kanceri preken, rreth 3.500 burra dhe 2.800 gra. Çdo e teta grua sëmuret nga kanceri në gji. Kanceri është sëmundja e dytë që sjell vdekjen në qytetet në Maqedoni, me përjashtim të qyteteve si Shën Nikolla. 

AddThis Social Bookmark Button