Çepreganov:„Bullgaria të kërkojë falje për pushtimin“

Pak kohë më parë një euro-parlamentar bullgar propozoi një lloj rishikimi të librave të historisë në Maqedoni në të cilat, sipas tij, ka pjesë që përhapin urrejtje ndaj Bullgarisë.  Historianët maqedonas thonë se një diskutim për këtë temë mund të bëhet vetëm nëse nga kolegët e tyre bullgarë trajtohen si përfaqësues të një populli që dallon nga ai bullgar. Shkencëtarët nga Sofja kërkojnë që Shkupi ta pranojë që në të kaluarën që të dy popujt kanë pasur po të njëjtën rrënjë, që është ndërprerë pas Luftës së dytë botërore.  


Dushko Arsovski sjell më shumë rreth kësaj teme


Në Ballkan nuk ka barazi në interpretimin e historisë

Bullgaria është partneri i katërt tregtar më i madh i Maqedonisë. Sipas statistikave vitin e kaluar këto dy shtete kanë këmbyer mallra me vlerë prej mbi 760 milionë dollarë amerikan, nga të cilat 307 milionë kanë qenë mallra të eksportuara nga Maqedonia. Për momentin bashkëpunimin e mirë ekonomik nuk e pengojnë marrëdhëniet politike zyrtare të ngarkuara me qëndrimin e Sofjes zyrtare se populli dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Për këtë çështje pothuajse nuk ka komunikim akademik mes historianëve të të dy palëve, gjë që, sipas disa shembujve botërorë, do të mundësonte një zgjidhje përfundimtare.

“Mund ta imagjinoni se çfarë problemesh ka pasur mes Gjermanisë dhe Francës sa i përket historisë, por ato ia dolën mbanë t’i zgjidhin ato për 10 vjet. Dhe ai libër është vënë në përdorim në të dy shtetet. Një tentativë e njëjtë po bëhet edhe mes Gjermanisë dhe Polonisë. Çdo gjë është e mundur kur në bisedime marrin pjesë partnerë të barabartë.

Është drejtori i Instituti të historisë kombëtare të Maqedonisë, Todor Çepreganov, i cili mendon se përderisa shkenca bullgare nuk e pranon popullin, gjuhën dhe kulturën maqedonase si të veçantë, në çështjen me vendet fqinje të Ballkanit nuk do të ketë barazi.

Historianët në Sofje, siç thotë Çepreganov, imponojnë interpretimin e tyre për disa ngjarje të caktuara nga e kaluara:

Kryesorja është se Bullgarët para së gjithash duhet të kërkojnë falje për gjithë atë që ia kanë bërë popullit maqedonas gjatë Luftës së dytë botërore, atë që ua bënë hebrenjve që jetonin në Maqedoni. Shteti bullgar, se populli bullgar është diçka tjetër, duhet të përballet me historinë e vet dhe me gjithë atë që ka bërë gjatë asaj historie. “


Profesori Çepreganov mori pjesë në një projekt shkencor ballkanik që u realizuar rreth dhjetë vite më parë. Historianë maqedonas, shqiptarë dhe bullgarë përpiluan një doracak të përbashkët të historisë për ngjarjet në këto tre shtete ballkanike në periudhën nga viti 1944 e deri më vitin 2000. Në të ka interpretime të ndryshme pa përfundime, gjë të cilën duhet ta bëjnë vetë studentët.  


Historia duhet të sqarohet për shkak të të vdekurve, e jo për gjeneratat e sotme

 

Bullgaria nuk ka qenë as okupatore e as çlirimtare, e interpreton kështu në një mënyrë tjetër historinë Trendafil Mitevi – drejtori i Institutit shkencor maqedonas në Sofje. Ai tregon se ku duhet të fillojë diskutimi mes historianëve maqedonas dhe atyre bullgar – për shembull nga kënga “More Sokol pie”.

Ato këngë kanë ardhur nga ne tek ju, dhe jo e kundërta. Përse janë shkruar në gjuhën bullgare dhe jo në gjuhën për të cilën angazhohen shkencëtarët në Maqedoni? A nuk ekziston vallë këtu ndonjë problem shkencor që duhet sqaruar? Përse Ivan Mihaillovi nga viti 1950 deri më vitin 1970 boton memoaret në gjuhën bullgare, dhe jo në një gjuhë tjetër? A nuk ekziston vallë këtu ndonjë çështje për aktivitetin kulturor mes dy popujve tanë?”.

Në një deklaratë për Diversity media ky historian megjithatë ka një qëndrim më të butë për atë që mësohet në librat bullgar të historisë se maqedonasit janë bullgarë. 

Të kuptohemi. Askush në Bullgari nuk do që t’ua imponojë gjeneratave të tashme në Maqedoni se si duhet të ndjehen. Por, duhet ta bëjë këtë për paraardhësit e vdekur të cilët nuk mund të mbrohen. Për të vërtetën e madhe dhe të pamohueshme se deri në fund të vitit 1944 shumica e popullatës së krishterë në Maqedoni ka folur në gjuhën bullgare. Të dy popujt kanë një rrënjë të përbashkët dhe një të kaluar të pasur të cilën politika e madhe, në një çast, e ndau përgjithmonë” – thotë Mitev.


Partia donator i një instituti shkencor

Mes donatorëve të Institutit shkencor maqedonas në Sofje është edhe partia ultranacionaliste  VMRO – BND  (VMRO Lëvizja Kombëtare Bullgare) e Krasimir Karakaçanov-it. Kjo paraqet një zyrtarizim të bashkëpunimit mes politikës dhe historisë në Bullgari.  


Propaganda dhe "statika" e saj

Shpesh thuhet se në Ballkan politika dhe shkenca bashkëpunojnë. Këtë e ka ndjerë Stefan Micov Vllahovi. Pas 23 vitesh punë si profesor në Universitetin e Sofjes ai mbetet i papunë për shkak të qëndrimeve të tij pro maqedonase.

Tani ai ka nënshtetësi maqedonase dhe jo shumë kohë më parë ka filluar punë në Institutin e historisë kombëtare në Shkup. Ai sqaron se përse Bullgaria ka frikë ta pranojë realitetin.

“Propaganda flet për një shtet një etnik. Se nuk ekzistojnë maqedonas dhe gjuha maqedonase dhe nëse lëshohet pe, ekziston frika që e gjithë ajo strukturë që është ndërtuar për më shumë se një shekull do të shkatërrohet” – thotë Micov Vllahov.

Tema e përhershme ndër fqinjësore është prezente edhe ne mediet e të dy vendeve. Mes të tjerash edhe sepse Bullgaria, kohë pas kohe, për arsye të veta nuk u lejon gazetarëve të raportojnë nga disa ngjarje, siç është ceremonia e nderimit të varrit të Jane Sandanskit. Për dallim nga televizionet maqedonase, televizionet bullgare në emisione, reportazhe, lajme dhe emisione zbavitëse flasin për historinë e Maqedonisë si të ishte e tyre.

Përse mediet bullgare i kushtojnë kaq shumë hapësirë Maqedonisë?

Georgi Koritarov, një gazetar televiziv me përvojë që jeton në Sofje thotë se kjo gjë është diçka e mirë që të mund të njihemi më shumë, por mënyra është e gabuar.

Ajo që bëhet më shpesh është një tentativë që sërish të krijohen disa stereotipe të vjetra të të menduarit. Në plan të parë të nxirren vlerësime dhe hipoteza që ka kohë që nuk janë relevante, as për marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore, as për sistemin evropian bashkëkohor të cilin mundohemi ta zbatojmë në Ballkan, e as për proceset integruese të cilat Bullgaria i mbështet“


TVB ndaloi gazetarin të japë deklaratë

 

Jo shumë kohë më parë televizioni i Sofjes TVB emitoi një reportazh që shkaktoi reagime në Maqedoni për shkak të qëndrimeve të Lubço Georgievskit dhe të arkitektit Mirosllav Gërçev të shprehura në atë reportazh. Diversity media kërkoi mendim nga autori se përse historia e Maqedonisë është tërheqëse për mediet në Bullgari. Televizioni nuk e lejoi të përgjigjej për shkak të rregullave të brendshme të saj.


Mospranim, presione dhe qendra kulturo-informative

Dilemat historiko-politike ndër fqinjësore me sa duket kanë efekt edhe te grupe të caktuara të qytetarëve në të dy vendet. Bullgaria nuk njeh pakicën maqedonase dhe refuzon të regjistrojë partinë OMO – Ilinden Pirin.

Maqedonia i njeh bullgarët, por refuzon të regjistrojë shoqatën RADKO. Edhe njëra edhe tjetra palë ankohen nga presionet nga shërbimet sekrete. Ajo që shtetet mundësuan është kultivimi i vlerave kulturore.  

Pas marrëveshjes në vitin 2003 u hapën qendrat kulturo – informative të Maqedonisë në Sofje dhe të Bullgarisë në Maqedoni – veprim ky që tregon se nëse, qoftë edhe për një çast,  lihet anash historia, e tashmja dhe e ardhmja fitojnë vlerë.


Pastrim i librave të historisë në Maqedoni 

Para disa kohësh Komisioni për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, me propozim të euro-deputetit bullgar Evgeni Kirillov mbështeti krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Maqedonia dhe Bullgaria. Komisioni do të duhet të pastrojë librat historik në Maqedoni të cilat, sipas propozuesit, në mënyrë të gabuar i edukojnë brezat e rinj të Maqedonisë. Kjo ide erdhi në një periudhë me reaksione të ashpra të opinionit në bullgari për filmin “Pjesa e tretë” të Darko Mitrevskit i cili është vlerësuar si “përhapje të gjuhës së urrejtjes”. 


 

AddThis Social Bookmark Button