Pse Maqedonia duhet të festojë pavarësinë e Shqipërisë?

Në Maqedoni organizata dhe subjekte të ndryshme janë duke zhvilluar aktivitete për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Një gjë e tillë shkakton reagime tek subjekte të ndryshme maqedonase sepse krijon përshtypjen se shtetas të Maqedonisë nuk respektojnë shtetin e tyre.
Por pse për shqiptarët e këtushëm kanë rëndësi momentet historike që kanë ndodhur jashtë Maqedonisë?

Nazim Rashidi analizon

Himnin e Shqipërisë e dinë të gjithë shqiptarët. Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare në librin e tij të fundit “Mosmarrëveshja” thotë se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që himnin e quan të “flamurit”. Sipas tij tek shqiptarët flamuri zë vendin e parë, madje “shumë njerëz në kohë të ndryshme kanë besuar se gjithçka bëhej për të”.   

Nuk ka shqiptar që nuk do të identifikohet me flamurin, është një nga simbolet më të rëndësishëm, në mos i pari, që përcakton të qënuri shqiptar.
Në 1912 më 28 nëntor kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, kjo u bë duke ngritur flamurin me shkabën dykrerëshe. Kjo ditë gjithashtu njihet si dita e flamurit. Ngjarja ndodhi në Vlorë, qyteti ku u shpall pavarësia.

Pra kaq e fortë është lidhja mes flamurit dhe shqiptarëve.

Por sot në një kontekst tjetër historik, shqiptarët që jetojnë në Maqedoni sërish festojnë ditët historike që kanë të bëjnë me flamurin, pavarësinë e Shqipërisë etj. Por pse ndodh kjo?

Hegjemonizëm dhe rrezik

Historiani Skënder Hasani thotë se lidhjet mes shqiptarëve janë të forta dhe se në të gjitha proceset historike protagonist kanë qenë shqiptarët nga të gjitha trojet:

“Kërkesa e shqiptarëve pas 500 vjetësh sundimi të perandorisë osmane ishte bashkimi i katër vilajeteve ku jetonin shqiptarët. Atëherë nuk ka ekzistuar Maqedonia në kufijtë e sotëm dhe kërkesa ka qenë për pavarësinë e katër vilajeteve, ose shtetit Shqiptar i cili u shpall më 28 nëntor 1912”.

Por a duhet parë kjo si hegjemoni dhe rrezik për Maqedoninë festimi i kësaj date?

“Tek popullata maqedonase ka një paragjykim që është mbjell që nga periudha e ’81-shit, në ish Jugosllavi. Kjo gjë reflektohet edhe në librat mësimor, ku prej vitit 1981 historia e shqiptarëve e këtyre trevave nuk figuron askund. Kur përmendet historia e shqiptarëve atëherë përmendet historia e Shqipërisë administrative. Ka një paragjykim se nëse festohen festat kombëtare ose 100 vjetori i pavarësisë, atëherë kërkohet një “Shqipëri e madhe”, që s’ka të bëj me realitetin aktual”, thotë historiani Skënder Hasani.

Ngjarjet më shumë se 100 vjet më parë, ose periudha që historianët e quajnë rilindja shqiptare, janë zhvilluar në kohën kur kufijtë e Ballkanit nuk kanë qenë si ato sot. Aktivitetet e gjithë shqiptarëve në rajon në atë periudhë kanë qenë të drejtuara ndaj perandorisë Otomane. Ndërkohë intelektualët që ishin në krye të këtyre lëvizjeve ishin nga të gjitha trojet e rajonit.

Historia e politizuar nuk i vlen asnjë populli

Xhabir Deralla është  drejtues i organizatës CIVIL, e cila ka në fokus të drejtat e njeriut. Por ai është një nga pasardhësit e Mehmet Pashë Derallës, Ministrit të Parë të Mbrojtjes të qeverisë së parë të Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë.

Mehmet Pashë Deralla ishte nga rrethi i Gostivarit.

Por si e sheh nga konteksti i sotëm nipi i tij aktivitetin e paraardhësit të tij:

“Ka përputhje të historive tek popujt e Ballkanit, por asnjë histori që është e politizuar dhe me shenja hegjemoniste nuk mund ti shërbejë për mirë asnjë vendi në Ballkan. Do të kujtoja thënien e Çërçillit këtu i cili thotë se popujt e Ballkanit krijojnë histori më shumë se sa mund ta konsumojnë”, thotë Deralla. 

Deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë ndër të tjera e kanë nënshkruar përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, ndër ta edhe tetë figura nga zona e Strugës dhe Ohrit për shembull.

Ndërkohë në Strugë gjendet varri i djalit të Ismail Qemalit, personit që konsiderohet si arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë.

Ali Shefqet Shkupi, nga Shkupi është një figurë tjetër me rol të rëndësishëm në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai ka qenë komandat suprem i ushtrisë shqiptare në qeverinë se Ismail Qemali

Lidhjet, me historinë pra që duket e largët, janë realisht të afërta. Por a duhet Maqedonia të shqetësohet kur festohen nga shqiptarët e këtushëm ngjarjet historike që përfshinë Shqipërinë, Kosovën?

“Gjithçka varet nga konteksti që do ti vësh ngjarjes. por nëse maqedonasit duan ta shohin festimin e ditës së flamurit si një shenjë ose porosi hegjemoniste ajo do bëhet e tillë. Por s’ka vend për shqetësim, siç nuk do të shqetësohet as Amerika, që shqiptarët atje do të festojnë ditën e flamurit”, thotë Deralla.

Shqiptarët dhe maqedonasit bashkë kundër otomanëve

Konteksti historik i para 100 vjetëve ka qenë krejt tjetër, dhe profesori Vllado Popovski, që ka studiuar lidhjet mes lëvizjeve të shqiptarëve dhe maqedonasve thotë se në atë kohë thuajse gjithçka ka qenë e drejtuar kundër otomanëve. Lidhjet mes tyre kanë qenë të mëdha sidomos nga fundi i shekullit 19 dhe deri në luftën e dytë botërore. Ai përmend një sëre bashkëpunimesh mes figurash të rëndësishëm, ndër të cilat edhe komunikimet e Hasan Prishtinës dhe krerëve të VMRO-së, si Vanço Mihajllov, Todor  Aleksnadrov, etj.


Vllado Popovski

“Janë të njohura lidhjet direkte me VMRO-në të një prej figurave të mëdha të shqiptarëve sipas mendimit tim, Dervish Himës, i cili është nga Struga dhe një nga pjesëmarrësit disa vjeçar të lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve. Është e njohur pjesëmarrja e tij në degën e VMRO-së  në Ohër e cila drejtohej nga Lev Ognenov. Ai atje mban një fjalim ku sugjeron se shqiptarët dhe maqedonasit kanë interesa të përbashkëta, të çlirohen, të kenë vetëqeverisje, decentralizim. Por ngaq[ nuk kuptoheshin nga të tjerët kishte rrezik ndarjeje dhe rrëmbim të tokave nga shtete ballkanike, prandaj duhej të bashkoheshin kundër këtyre zhvillimeve. Mbi bazën e kësaj ideje  shfaqen çeta të përbashkëta në periudhën 1909 – 10  në yonat e Kërçovës, Dibrës, Kosturit. Ata ishin gjithmonë në një platforme dhe shumë të afërt”      


Vllado Popovski

“Edhe një figurë tjetër e madhe e lëvizjes shqiptare Ibrahim Temo krijon kontaktet me Jane Sandanskin dhe i afron mbështetësit e tij në lëvizjet kundër otomanëve. Të dy mbetën bashkëpunëtorë të afërt”

 


“Sidmos në vitin 1912 Hasan Prishtina, drejtues i  kryengritjes shqiptare kishte lidhje direkte dhe marrëveshje për veprim të përbashkët. Drejtuesit e VMRO-së, komiteti qendror Todor Aleksandrov, Çaulev, Çepriganov, shkuan në Cetinje në vitin 1911 në takime për të biseduar me shqiptarët për të parë se çfarë ndodh dhe cila është platforma e bashkëpunimit. Por në vitin 1912 VMRO përcaktohet me idetë e politikës të jashtme bullgare duke menduar se ajo ishte përgjigje e çështjes maqedonase. Nuk iu bashkua propozimit të Hasan Prishtinës të cilin e dha në vitin 1912 që maqedonasit dhe shqiptarët të ngrihen në kryengritje për të krijuar një shtet të përbashkët ose dy shtete vëllazërore”, shpjegon Profesori Popovski i cili përmend edhe bashkëpunime të tjera mes figurave shqiptare dhe maqedonase. Si dhe faktin që Shqipëria ka mundësuar bazë për veprim të VMRO-së. 

Por parë nga aspekti i sotëm si duhen parë atëherë festimet e datave të historisë shqiptare nga shqiptarët e këtushëm?

“Këto janë festime që nga ana e maqedonasve duhen parë me shumë pozitivistet dhe me sy të mirë, sepse janë festime që në histori shënojnë qëllime miqësore dhe të përbashkëta. Jemi të stërngarkuar me politikë, e cila për fat të keq dëshiron ti kuptojë dhe shqyrtojë fenomenet në jetën politike me një perceptim që ishte imponuar nga interesat serbe”, thotë profesori Vllado Popovski.  

Në të kaluarën e largët dhe të afërt, historia është përdorur ose keqpërdorur për motive të tjera të cilat shpesh kanë nxitur antagonizëm mes popujve të ndryshëm.

Të gjithë në Ballkan duan një gjë – integrimin në BE dhe NATO

Bashkëbiseduesit e Diversity Media pajtohen se interpretimi i historisë nga konteksti i sotëm mund të sjellë përplasje mes popujve.

Ajo që gjithashtu pranohet është se lidhjet kulturore, sociale dhe historike të shqiptarëve në rajon janë të fuqishme, diçka që nuk dihet dhe nuk njihet sa duhet në Maqedoni. Edhe aktualisht i madh është numri i atyre që kanë lidhje familjare, shoqërore me shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Disa procese bëjnë që aktualisht të shfaqen edhe tone të theksuara nacionaliste, duke kërkuar edhe rishikim të historisë. Por asnjë nga politikanët e rëndësishëm nuk mbështet ide të tilla.

Atë që thonë vëzhguesit e matur është se realiteti i lidhjes historike dhe aktuale mes shqiptarëve duhet kthyer në përparësi nga këndvështrimi i sotëm, pasi aspiratat e popujve në Ballkan janë të ngjashme, dhe ato janë euro integrimet. 

AddThis Social Bookmark Button