Prishtina dhe Tirana duan Maqedoni stabile

Ngjarjet me incidentet ndëretnike në Maqedoni kanë shkaktuar reagime edhe në vendet e rajonit. Në disa raste ka pasur edhe veprime ekstreme si vënia e flakës flamurit të Maqedonisë ose sulmi me koktej molotovi ndaj ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë. Por cilat janë ndjesitë dhe si përjetohen zhvillimet në Maqedoni në Kosovë dhe Shqipëri.

Nazim Rashidi sjell më shumë

Emisioni në TV AS të Tiranës që në fokus ka Maqedoninë, është vetëm njëri nga të shumtit ditëve të fundit në mediet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Interesi befas është shtuar për vendin fqinj.

Por si përjetohen ngjarjet e Maqedonisë në vendet fqinje të saj?

Aleksandër Furxhi autor i programit Prizëm, tema e fundit e të cilit trajton Maqedoninë thotë se ndjeshmëria e publikut rritet kur në fokus të ngjarjeve janë bashkatdhetarët shqiptar në Maqedoni:  

“Opinioni në përgjithësi ka qenë mjaft i interesuar dhe i ka ndjekur me mjaftë shqetësim zhvillimet sidomos ato me karakter të dhunshëm. Ka një interes të shtuar kur viktimat ose njerëzit e dëmtuar janë shqiptarë dhe ka një ndjenjë patriotike nga shtypi, mediet, njerëzit dhe përjetohet se ndaj bashkë atdhetarëve të tyre është ngritur një valë dhune ose urrejtjeje”, thotë Furxhi.

Gjithmon në fokus

Linja zyrtare e Tiranës por edhe e Prishtinës dënon incidentet dhe thonë se duan stabilitetin e Maqedonisë. Por si është perceptimi më i gjerë? Hasan Saliu është pedagog gazetarie në Prishtinë, me origjinë nga Maqedonia i cili njeh realitet në dy vendet:

“Institucionet e Kosovës bën thirrje për qetësi dhe zgjidhjen e problemeve me një pikë referimi marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa opinioni publik shkon më tej duke dënuar dhe akuzuar qeverinë aktuale për mosinteresim dhe rritje e nacionalizmin kundrejt gjithë fqinjëve madje edhe qytetarëve të vet shqiptarëve, ndërkohë është e rrethuar me dy shtet shqiptare”, thotë Salihu.

Vëzhguesit shqiptarë thonë se Maqedonia gjithmonë do të jetë në fokusin e Tiranës dhe Prishtinës kur do të shfaqen probleme ndër etnike. Lidhjet mes njerëzve, sidomos në kontekstin e sotëm kur komunikimet janë edhe më të shprehura, reagimet nga të gjitha shtresat e shoqërive në Kosovë dhe Shqipëri do të jenë më të larta.

Hasan Saliu shpjegon se pse ndodh kjo në Kosovë:

“Shqiptarët e Kosovës kanë kaluar nëpër një dhunë shtetërore dhe njerëzit e dalë nga një shoqëri të tillë, nuk dua të them se janë të frustruar, por janë më të ndjeshëm kur dëgjojnë se shqiptarët të tjerë, ose nëse mund ta quajmë pa ndonjë patetizëm vëllezërit e tyre shqiptarë përjetojnë një dhunë shtetërore. Prandaj edhe ndjeshmëria i qytetarëve dhe opinionit është më i madh”, thotë Saliu

Kurse opinioni në Tiranë shpreh habi se pse shteti fqinj nuk ka përmbyllur çështjet ndëretnike. Aleksnadër Furxhi sërish:

“Më së shumti vënë në pikëpyetje marrin analiza ose ngrenë hipoteza nëse Maqeodnai ndodhet thjeshtë në një moment delikat apo akoma më keq edhe një moment të rrezikshëm në prag të një konflikti të mundshëm”, thotë Furxhi.

Fobi

Por jo të gjithë në Maqedoni pranojnë me lehtësi këtë “kujdes” që shprehet nga Prishtina dhe Tirana. Madje segmente të caktuara të politikës por edhe të tjera të shoqërisë thonë se reagimet nga vendet shqiptare fqinje të Maqedonisë nuk ndikojnë mirë në marrëdhëniet mes tyre. Kjo sidomos ndaj Kosovës për shkak edhe të kontestit rajonal.

Por Zhidas Daskallovski, i Qendrës për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave thotë se kjo duhet të ndryshojë:

“Në Maqedoni në përgjithësi ka një fobi nga bashkimi gjithëshqiptar dhe prandaj në mediet sidomos ato në gjuhën maqedonase çdo aktivitet politik në Prishtinë dhe Tiranë shihet me shqetësim dhe jo me një sy real. Në Tiranë e kanë të qartë se Maqedoni duhet të jetë e qëndrueshme dhe se ata duhet të marrin një rol qetësues të cilën dhe e bëjnë”, thotë Daskallovski.

Linjat kryesore politike të Tiranës dhe Prishtinës janë kundër dhunës dhe Maqedoninë e shohin si një partner. Politikat rajonale këto dy vende i ndërtojnë në përputhje edhe me faktorin ndërkombëtar, aq më tepër Shqipëria e cila është anëtare e NATO-s.

Vëzhguesit thonë se Maqedonia do të duhet të tejkalojë tensionet që dalin të tregojë më shumë kujdes për ndjeshmëritë etnike në vend dhe të përfitojë nga realitetet e reja gjeopolitike sepse aspiratat e të gjithëve janë të njëjta.

 

AddThis Social Bookmark Button