Maqedonasit "i fshijnë" italianët

Sipas një hulumtimi të kryer kohët e fundit, gjatë të cilit u përfshinë 20 lokale më të frekuentuara në Shkup, del se qytetarët e Maqedonisë pinë më shumë kafe espreso se italianët. Ekspertët thonë se kërkesa për kafe është në një rritje të vazhdueshme, dhe arsyeja për këtë është se në treg vazhdimisht po dalin lloje cilësore të kafesë. Makrobiotikët rekomandojnë që të pihet vetëm kafeja turke, dhe atë nga një filxhan kafe në ditë.

Analizë e Dushko Arsovski

Zhurma e makinës për kafe espreso është diçka e zakonshme për Dejanin, i cili punon në një lokal të njohur në qendër të Shkupit.

"Zakonisht shpenzojmë nga dy deri më tre kilogram kafe espreso në ditë. Gjatë fundjavës ndoshta edhe më shumë. Më së shumti kërkohet të pihet kafe espreso, makiato dhe nes kafe.. "

Diversity Media Production: Sa arrin numri më i madh i kafeve që i keni bërë gjatë një turni?

"Varet ... gjatë fundjavës me siguri ka mbi 100 kafe gjatë një turni."

Ky me siguri do të ishte një ilustrim i mirë se sa shumë e duan këtë pije të ngrohtë popullore qytetarët e Maqedonisë. Hulumtimi i Mokador Kastelari - Itali i realizuar në Ballkanin perëndimor tregon se këtu gjatë një viti pihet nga 5.3 kilogramë kafe espreso, që është më shumë se në Itali, vendi ku kjo kafe është patentuar që në vitin 1903.

Kafe me më shumë shije


Përfaqësuesi i Mokador për Maqedoninë Zoran Janakiev, shpjegon se arsyeja për këtë është ndryshimi i kulturës së pirjes së kafesë.

"Është e qartë se nga viti në vit në Maqedoni dhe në vendet e Ballkanit perëndimor dalë ngadalë po depërtojnë lloje të reja të kafesë, më konkretisht kafe espreso dhe kjo u mundëson njerëzve të njihen me lloje të reja, shije të reja dhe mënyra të reja të pirjes së kafesë"


Maqedonia para Italisë

Në Maqedoni gjatë një viti pihet 5,3 kilogram kafe për banor. Në Itali 5,2 kilogram. Lider në Ballkanin perëndimor është Bosnja dhe Hercegovina me 6,1 kilogram, ndërsa më pak pihet në Shqipëri dhe atë pak më shumë se 1 kilogram për banor gjatë një viti. Në Evropë konsumues më të mëdhenj të kafesë espreso janë norvegjezët – secili nga ato pi nga 10 kilogram kafe gjatë një viti.

Burimi:Mokador Kastelani


Është realizuar një hulumtim për 10 llojet e kafesë të pranishme në Maqedoni në 20 lokale ku më së shumti kërkohet kafe espreso. Janakiev thotë se në përgjithësi ende në vend të parë është kafeja turke, por katër apo pesë vitet e fundit po i afrohet edhe kafeja espreso. Dhe, sipas tij, kjo tendencë do të vazhdojë.

Diversity Media këto ditë pyeti disa qytetarë nga Shkupi të cilët shijonin ditën me diell në lokale se sa shpesh pinë kafe.

"Çdo ditë. Preferoj kafenë makiato. Pirja e kafesë është një zakon që më pas kalon në varësi. "

"Unë pi kafe tre herë në javë dhe është e dobishme. E kam zakon "

"Unë pi çdo ditë dhe mendoj se më shumë është një zakon. Preferoj kafe makiato të ftohtë "

"Unë e pi çdo ditë, zakonisht kafe makiato. Kafeja është një zakon dhe unë mendoj se është më e dëmshme se sa e dobishme "

Në qarqet shëndetësore ekzistojnë mendime kontradiktore për atë nëse kafeja është e dëmshme ose jo. Një mbështetëse e ushqimit të shëndetshëm, Tanja Nedellkovska, e cila për më shumë vite me radhë menaxhon restorantin me ushqime makrobiotike tregon se përse kjo pije nuk gjendet në menynë e adhuruesve të ushqimit të shëndetshëm.

"Kafeja, thënë nga aspekti makrobiotik, ka energji ekstreme ‘jin’ dhe do e çrregullojë baraspeshën të cilën ne gjatë ditës mundohemi ta arrijmë në organizëm.", thotë Nedellkovska.

Një kafe turke në ditë është e shëndetshme

Megjithatë, ajo thotë se kafeja ndihmon në mënyrën moderne dhe stresuese të jetesës.

Tanja rekomandon të pihet një kafe turke në ditë sepse, siç thotë ajo, është një nxitës i mirë për sistemin nervor.

"Jo me qumësht, as kafe espreso, kapuçino, makiato me krem, e kam fjalën për kafenë më klasike – kafe dhe ujë, me ëmbëlsues apo pa ëmbëlsues, sipas dëshirës, por që të jetë 100% kafe Arabika, sepse ajo është kafe e pastër "

Janakiev nuk pajtohet me këtë, sepse ai është adhurues i kafesë të mirë espreso. Ai thotë se pikë referimi për një kafe të mirë është mënyra e pjekjes - të ketë sa më pak lagështi. Pastaj, thotë ai, është e rëndësishme se nga cila pjesë e botës vjen kokrra e kafesë - Arabika e cila i jep shijen e fortë dhe kokrra e kafesë - Robusta e cila është pjesa kremoze e kafesë. Shijet ndryshojnë në varësi të përqindjes së kafesë Arabika dhe Robusta, shpjegon ky njohës i mirë i kafesë.

"Një orë pas konsumimit kafeja cilësore ndjehet në gojë dhe nuk shkakton kurrfarë dhimbjesh në lukth dhe në fund fundërrina që mbetet pas konsumimit dy deri më tre orë pas duhet të vazhdojë të ketë një dozë lagështie dhe të jetë e lehtë për tu larë"

Pavarësisht nëse është zakon apo nevojë, nëse është e dobishme apo e dëmshme, në botë kafeja është një biznes i mirë. Lideri në konsumimin e kafesë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo vit ndan më shumë se katër miliardë dollarë për importin e kafesë për të kënaqur konsumin e 400 milionë filxhanëve të kafesë në ditë.

Çmimi për një kilogram kafe në tregjet botërore është dy dollarë e gjysmë. Filxhani i kafesë në restorant, sipas hulumtimit të revistës Forbs, kushton nga dy dollarë në Buenos Aires deri më 10 dollarë në Moskë. Në Shkup, për momentin mund të gjendet edhe për një dollar e gjysmë.

 

AddThis Social Bookmark Button