Politika për rrugët, shkak për tensione

Ndryshimi i emrave të rrugëve në qytetin e Shkupit po krijon tensione politike.

Por a do të duhej gjithçka të shikohej nga prizmi i politikës?

Disa vëzhgues thonë se megjithatë e gjithë çështja është bazike dhe lidhet me faktin se Maqedonia është një shtet shumë etnike, por politika e cila bazën e ka tek monietnizmi shpesh luan me sentimentin etnik për qëllimet e saj.

Nazim Rashidi analizon

Një rrugë më shumë se sa çfarë emri të ketë, është me rendësi që të jetë funksionale dhe e mirëmbajtur, këtë duan shumica e qytetarëve.

Por emri i saj gjithsesi se mund të sjellë probleme, madje politike.

Profesori i Institutit për kërkime Sociologjike dhe Politike Petar Atanasov thotë se çështja e riemërtimit të rrugëve edhe pse do të duhej të kishte një kontekst kulturor po merr dimensione politike:

 

 “Është normale që të ketë emra jo vetëm nga të gjitha bashkësive por edhe nga njerëz të tjerë që kanë merituar hapësirën e tyre me kontributin për njerëzimin në kulturë, sport, shkencë. Nëse nuk ekzistojnë atëherë diçka nuk është në rregull me shoqërinë, por kur një gjë e tillë është një projekt politik atëherë tensionet janë të pashmangshme”, thotë Profesori Atanasov.

Pas vendimit për ndryshimin e rrugëve dhe shesheve në Shkup, më e zëshmja kundër kësaj nisme është treguar opozita Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë. Disa nga argumentet e saj janë të karakterit historik por vëzhguesit lexojnë edhe politikë.

Si parti e provininecës së majtë ajo do të duhej të ishte më liberale, ndërkohë në retorikën e kësaj partie ne shohim edhe fjalor nacionalist.

Bashkim Bakiu i Institutit për Hulumtimin e politikave dhe Qeverisjes se mire, thotë se partitë politike varësisht se në çfarë roli dhe situate politike janë, sipas nevojës vazhdojnë të luajnë me sentimentin etnik sepse elektoratin e kanë kryesisht një etnik

 “Mundohen që të tregohen si patriot në kuptim nacionalist negativ, me qëllim që të përfitojnë tek masa e tyre e cila nuk është shumë etnike por zakonisht është mono etnike”.

Ndërkohë çështja lidhet me qëndrimet bazike se si e shohim Maqedoninë?

Shpesh në mënyrat e veprimit të subjekteve politike dhe si rrjedhojë edhe e institucioneve, Maqedonia reflekton shtet të vetëm maqedonasve, në disa raste vetëm të shqiptarëve, shpesh shohim përpjekje të këtyre të dytëve për barazi, por Rubin Zemun nga instituti Euro Ballkan, vetë përfaqësuesi I komunitetit egjiptian thotë se harrohet se Maqedonia është më shumë se maqedonase dhe shqiptare:

 “Për shembull dihet se ka qenë një egjiptian Selim Kovaç që ka prodhuar grykët e topave të kryengritjes së Ilindenit, ose ka pasur një numër luftëtarësh gjatë luftës së dytë botërore që kanë dhënë edhe jetën për Maqedoninë”, thotë Zemun.

Në sheshin e Shkupit tani ka përplot ndërtime të reja, të gjitha tentojnë të japin mesazhe të caktuara, por mbi të gjitha po krijojnë edhe një ndryshim të imazhit për Maqedoninë. Divergjencat për këtë pamje të re janë të mëdha, ashtu si dhe me rastine  rrugëve, ku politika është më e përfshira.

Por të gjitha i lidh një gjë, që qytetarët shpesh nuk pyeten për vendimet që merren në emër të tyre. Momenti i sqarimit vijon më pas, diçka që krijon përplasje të cilat edhe mund të evitohen. 

 

 

AddThis Social Bookmark Button