Politika është feja jonë?!

Për vite me radhë në Maqedoni flitet për afërsinë mes politikës dhe dy bashkësive fetare më të mëdha Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe Bashkësisë Fetare Islame (BFI). Nga BFI e pranojnë se ka pasur ndërhyrje politike gjatë përzgjedhjes së kryetarit të ri. Zyrtarisht, politikanët janë kundër kësaj praktike.

Dushko Arsovski tentoi të zbulojë se kush ndikon te cili

Thirrje për lutjen e të premtes në një xhami në qytetin e Shkupit. Kjo është pjesë e ritualit të besimtarëve të devotshëm mysliman. Duket se politika është gjëja e fundit për të cilën ata mendojnë tek sa po futen në xhami. Por, një sërë ngjarjesh në Maqedoni tregojnë se politika dhe feja janë të lidhura ngushtë. Ata me të cilët biseduam kanë mendime të ndara.

“Jo, jo, feja është e veçantë, ajo nuk ka të bëjë me politikën dhe feja nënkupton respekt për të gjithë, për idetë e të tjerëve.”

“Po, pak, por ja, edhe ne këtu në xhami, ne besimtarët, bisedojmë për politikanët që nuk janë në rregull dhe që shohin vetëm interesat e tyre. Kjo është e gjitha dhe nuk kemi ç’të themi më shumë kur çdo gjë është e qartë...”.

“Është më se e mundur që gjendja ekonomike të ndikojë për atë që çdo gjë të mund të manipulohet, sepse gjendja ekonomike në vend është katastrofike. Për momentin, çdo gjë bëhet nga varfëria”.

E premtja si ditë ka një rëndësi të njëjtë edhe për të krishterët.

Në pjesën tjetër të qytetit një grup besimtarësh ortodoksë po shkojnë në liturgji. Pas përfundimit të liturgjisë, pyetëm disa nga ato nëse ndjejnë ndërhyrje të politikës në fe, dhe anasjelltas.

“Sigurisht që ndërhynë, dhe atë të dy palët, edhe feja edhe politika. Feja ekziston te çdo popull, te çdo popull ekzistojnë politikanë të cilët e udhëheqin qeverinë, kështu që sigurisht që ka ndërhyrje”.

“Unë nuk shkoj shpesh në kishë, por nuk kam ndjerë një gjë të tillë”.

“Unë mendoj se kur politika ndërhyn në fe, zakonisht krijohen konflikte, krijohen mosmarrëveshje mes qytetarëve, e kjo nuk do të duhej të ndodhte”.

Identifikim?

Bashkësitë fetare janë të një interesi të veçantë për politikën, sepse kanë një ndikim të madh tek qytetarët, dhe kështu fitohen më shumë vota gjatë zgjedhjeve - vlerëson Jakup Selimoski, ish kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.

„Ka bashkësi fetare të cilat identifikohen me sistemin, të cilat identifikohen me kombin, të cilat mendojnë se janë një nga shtyllat e  një bashkësie etnike dhe në këtë mënyrë përfitojnë gjatë denacionalizimit. Këto bashkësi fetare e kanë mbaruar procesin pothuajse 90%, kurse te ne kjo është bërë 15 përqind. Pasojat janë evidente, por thelbësore është të mbahet liria e organizimit fetar islam”, thotë ai.  

Por At Stojko nga Kisha Shën Bogorodica në Shkup nuk pajtohet me këto konstatime: 

“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Ndarja duhet të garantohet. Nuk mundet zyrtarët ose liderët fetarë të jenë nën shërbimin e ndonjë partie qeverisëses ose opozitare”.

Në Maqedoni me vite flitet se zgjidhja e krerëve fetarë nuk kalon pa aminin e politikanëve që janë në pushtet.

Selimovski pranon se ka presione:

“Politika përpiqet që të ushtrojë ndikimin e saj në zgjedhjen e udhëheqësve fetar dhe kishte përpjekje të tilla që të përfshihen struktura jo vetëm politike, të cilat marrin të drejtën të mendojnë se janë aq të pushtetshme dhe me ndikim që të zgjidhin problemet në bashkësinë islame”, thotë Selimovski.


Sjellje (jo)mbështetëse

At Stojko mendon se është një keqpërdorim i kishës nëse dikush bën propagandë për qëndrime të caktuara politike brenda objekteve fetare. 

“Si qytetar çdo njeri ka të drejtë për mendimin e vet, këtë e parashikon demokracia dhe liria, por si kler në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjmë tifo dhe të keqpërdorim kishën”.


Apolitike

Në kushtetutë thuhet se bashkësitë fetare duhet të jenë apolitike, por nuk mund të thuhet se ndikimi i politikës ne bashkësitë fetare nuk ekziston ose nuk ndihet.


Nevojë e ndërsjellë

Me këtë fenomen merret edhe shkenca.

Profesori universitar dhe kryetar i mëparshëm i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare Cane Mojanoski, thotë se kjo lidhje ka rrënjë historike në Evropën perëndimore. Partitë e atjeshme konservatore kanë lindur mbi traditat e kishës katolike. Edhe në kontekstin e sotëm sipas tij, afërsia ekziston.   

“Politikanët kanë nevojë për autoritetin moral të udhëheqësve fetar për disa veprime. Sa herë që mund të ndodhin situata konflikti në ndonjë shoqëri mobilizohen të gjitha forcat. Politika gjithashtu i nxit edhe liderët fetar”, thotë ai.

Sipas Mojanovskit, nga ana tjetër se sa është afërsia mes tyre mund të shihet nga fakti se udhëheqësit fetar shpesh janë në rrethin e figurave më të fuqishme politike.


Cane Mojanoski

“Ata tregojnë interes të veçantë për çështje politike të ditës, dhe shpesh dëgjojmë nëse janë “pro” ose “kundër” ndonjë politike ose ligji për të cilin mendojnë se është pjesë e konceptit të kujdesit të tyre për kujdes ndaj besimtarëve”, thotë ai.


“Në kontekstin e sotëm Kisha është strukturë konservative. Objektivisht baza ideologjike e partive konservatore është më e afërt me disa sisteme dhe struktura fetare, sidomos sa i përket abortit, ose çështjes së miteve të cilat gjithashtu janë pjesë e konceptit të ideologjive politike konservatore”, thotë Mojanoski.  

Shkenca nuk ka përgjigje nëse ndikimi i bashkësive fetare ndaj besimtarëve është i vogël, prandaj ata kërkojnë edhe mbështetje nga strukturat politike të cilat nga forma janë më të organizuara.

Lojë me zjarrin

Edhe deputetët shohin lidhje mes politikës dhe fesë.

Gordan Georgiev nga opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) jep shembull konkret:  

“Kisha nuk arriti të kuptojë se në një periudhë afatgjate kjo lloj loje e cila në periudhë afatshkurtër mund ti sjellë pikë dhe përfitime është tmerrësisht e dëmshme për qytetarët fetar të Maqedonisë”

Suzana Saliu e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) sheh rrezik për këtë: 

“Nëse përpiqemi të politizojmë fenë ose bindjet tona të thella, atëherë Republika e Maqedonisë përpiqet të luajë me zjarrin”.

Aleksandar Spasenovski nga partia qeverisëse VMRO DPMNE propozon:

“Fillimisht besimtarët duhet ti dënojnë udhëheqësit e tyre fetar sepse për shkak të natyrës së punës fetare nuk duhet të ndodhë që bashkësitë fetare të zëvendësojnë partitë politike. Por qytetarët gjithashtu të ndikojnë tek udhëheqësit politik që ata të përmbahen nga ndikimet në fe”, thotë Spasenovski.

Maqedonia është një rast i izoluar. Profesori Mojanoski mendon se në Ballkan është e theksuar lidhja politikë – fe, si rezultat i krijimit të shteteve të reja të cilat kanë nevojë të ndërtojnë identitetin e tyre.


Udhëheqës i lartë fetar për fuqi udhëheqëse politike

Ortodoksizmi dhe Islami, në histori por edhe sot kanë shembuj ku në sistemet tyre udhëheqësit e vendeve kanë karakter fetar. Kreu i kishës ortodokse qipriote Makarios ishte president i këtij shteti me dy mandate nga 1960 deri më 1977. Në Iran pas revolucionit të vitit 1979 ligjet islame dominojnë aktet ligjore të shtetit, kurse udhëheqësi i lartë fetar ka kontroll mbi politikën, gjyqësorin, mediet, politikën e jashtme. 


 

AddThis Social Bookmark Button