Shelgje në kokë

Projekti “tre shelgje në Vardar” që kushton 250.000 euro ende ngjall interes edhe pse i pa përfunduar. Debatin e nxiti çmimi por edhe fakti që në realizimin e projektit nuk është konsultuar fakulteti i Pylltarisë. Ekspertët bëjnë sugjerime se ku nuk duhet gabuar që skulptura e gjallë të mund të mbijetojë gjatë. Ngase bëhen kushte artificiale jetëgjatësia e shelgjeve mund të shkurtohet shumë.  

Dushko Arsovski analizon

Disa shtete evropiane, ndër të cilat edhe Maqedonia u bashkuan rreth platformës “Qytete pranë lumenjve në Evropë” me të cilin synohet që lumenjtë në kontinentin e vjetër të mbesin të pa prekur dhe më të aksesueshëm për qytetarët. Fushata zhvillohet me konferenca, filma dokumentarë, si ai për lumin e padukshëm Lvov në Ukrainë.

Partner nga Maqedonia është Qendra për kulturë botërore Esperanca. Robert Allagjozevski nga kjo organizatë mendon se ajo që ndodh me lumin Vardar është në kundërshtim me principet e platformës. Si shembull e jep vendosjen e skulpturës “3 shelgje të gjalla”.

“Ai projekt është shumë ekstravagand dhe ekzebicionist. Këto lloj projektesh kanë probleme me natyrën ekologjike. Nëse shelgjet do të mbillen në ndonjë pjesë të pa gjelbëruar të bregut kjo do të ishte në rregull. Por të preket shtrati i lumit dhe të vendosen konstruksione betoni që të futet projekti i cili do të kishte gjelbërim, kjo sjell kundër efekt”, thotë Allagjozevski.  

Autoritetet dhe autorja e skulpturës nuk flasin për këto aspekte. Ministrja e kulturës Elizabeta Kançevska Milevska në emër të institucionit të saj tha se gjithçka ishte e ligjshme.

„U punua për një kohë të gjatë, u shpall tender për përzgjedhjen e kompanisë që do të ishte e specializuar për hapjen e gropave, për bërjen e pllakave të  betonit, armaturës, etj. Kështu që, mendoj se nuk duhet shikuar si diçka negative, por përkundrazi, të shikohet si diçka pozitive sepse duhet të vlerësojmë dhe të respektojmë vlerat artistike të autorëve“, tha ajo.

Për aspektet artistike tentuam të bisedojmë edhe me autoren e kësaj vepre, Iskra Dimitrova. Ajo në fillim pranoi, por pastaj ndryshoi mendim, me sqarimin se është tepër e zënë me përfundimin e punimeve të skulpturës. Më parë, me një letër të hapur për publikun  ajo tha se ideja ka qenë që të ndërtohet një përmendore në formë respekti ndaj vegjetacionit në Shkup.  

„Doja të krijoj diçka që qytetit do i falte pamjen dhe origjinalitetin e vet, dhe e gjithë kjo në një mënyrë më bashkëkohore. Në projekt, betonin si një material të vrazhdë, e zbuta me aspektin romantik të shelgjeve. Në ndërkohë, pata kujdes që ata të mos e pengojnë pamjen kah Ura e gurit, sepse ai është një nga simbolet kryesore të Shkupit, por edhe t’i japin edhe një dozë hareje peizazhit urban” – kihte shkruar Dimitrova.

Betoni do përcëllojë në verë

Allagjozovski, i cili është kritik i artit, ka këndvështrimin e tij për skulpturën e Dimitrovës.

„Ta vendosni shelgun në një mjedis të tillë ka, për shembull, një notë hiper realistike. Zakonisht konceptet e këtilla janë konceptuale, janë konstruksione. Me këtë stimulohet një baticë e Vardarit. Por problemi  është se në verë kur niveli i Vardarit të jetë shumë i ulët, dhe këto konstruksione betoni të mbesin rreth shelgjeve të zhveshura, atëherë nuk do të mund ta arrijnë efektin e mbulimit me bukuri” – thotë ai.


Natyra tashmë ka skulpturë në Demir Kapi

Mes Vardarit disa kilometra nga Demir Kapija në një pjesë të mbetur të një mbajtëse betoni rritet një shelg. Kjo është skulptura e parë e gjallë autor i të cilës është natyra, thotë profesori Jane Acevski.


Për këtë mundësi flasin edhe ekspertët e Fakultetit të pylltarisë të cilët mes të parëve reaguan për faktin që nuk i kanë këshilluar gjatë krijimit të skulpturës. Dendrologu profesori Jane Acevski për Diversity Media sqaron se në botë nuk është tipike që shelgjet të vendosen në mes të lumit

„Sepse kjo gjë varet nga tipi i lumit. Vardari është një lumë i shpejtë, në mesin e tij kalon rryma kryesore që vazhdimisht sjell materiale të ndryshme me vete, drunj, mbeturina, e kështu me radhë, kështu që shelgjet do të ishin nën një goditje të vazhdueshme të këtyre rrymave ujore” thotë Acevski.

Ai thotë se jetëzgjatja e shelgjeve është njëqind vjet dhe jep disa këshilla se ku nuk duhet gabuar gjatë mirëmbajtjes së tyre.

„Ato, gjatë periudhës së vegjetacionit, sidomos nga fillimi i prillit e deri në fund të tetorit duhet të jenë vazhdimisht nën ujë, jo të notojnë në ujë, por vazhdimisht të kenë sasi të ujit të freskët.” – thotë Acevski.

Autorja Dimitrova, në letrën e saj flet për një kohë të shkurtër të mirëmbajtjes së pemëve.

“Skulptura parashikon shpim me metale, ndërtimin e konstruksionit me beton, mbjellja e shelgjeve dhe mirëmbajtja e tyre për dy vjet, si dhe shënimi i formës katrore me inoks”, tha ajo.   

Shelgjet të mbjella si në vazo kanë jetë më të shkurtër

E pyetëm profesorin Acevski nëse do të kenë shelgjet jetë më të shkurtër për shkak se do të mbillen si në vazo?

“Sigurisht, mirëmbajtja artificiale e shkurton kohën e jetës. Duhet të kihet durim me kujdesin dhe nuk duhet lënë pa trajtim asnjë sezon. Nuk duhet lënë anash asnjë faktor, sepse cili do nga faktorët qoftë lagështia,  regjimi i ujit në tokë ose drita, nëse lihen anash do të mund të vijë deri tek tharja e pemëve”, tha ai.

Skulptura nga shelgje të gjalla, por jo në ujë, në rang botëror janë gjini thuajse të veçanta. Debati në Maqedoni për këtë vepër arti më së shumti zhvillohet rreth vlerës së projektit që kushton 250 mijë euro, çka sipas shumë vetëve, në kohë krize është një harxhim i panevojshëm. Skulptura është pjesë e projektit “Shkupi 2014”dhe Dimtrova është e habitur nga reagimet.

“Publicitet të tillë për ndonjë vepër timen nuk kam përjetuar ndërkohë më habit fakti që flitet për një vepër që ende nuk është realizuar, një lloj sikur të flitet për ndonjë shfaqje tetari duke parë provat ose të shkruhet kritikë për film që ende xhirohet”, tha ajo.

Pjesëmarrja në projekte për interes publik artistëve siç duket u del për hundësh. Për disa vepra bëhej edhe debat politik, kurse ekonomistët përsërisin se po harxhohen para pa nevojë në kohë krize. Në këtë rast me Dimitrovën del më shumë se bëhet fjalë për “Shelgjet në kokë” se sa për “Shelgje në Vardar”.  

AddThis Social Bookmark Button