Mosbesimi tek institucionet arsye për tensione

Protestat e fundit në Shkup pas arrestimeve për vrasjen e pesëfishtë shprehnin hapur mosbesim ndaj institucioneve. Por reagimet ndaj këtij mosbesimi janë të ndryshme. Vetë MPB është treguar më e përmbajtur kurse subjekti shqiptar në qeveri BDI ka tentuar që të argumentoj zhvillimet.

Por si duhet vepruar atëherë që veprimet e institucioneve mos të paragjykohen sipas linjave etnike?

Nazim Rashidi

Protesta e organizuara rreth një javë më parë nga të rinjtë shqiptarë, ndër të tjera kishin në thelb mosbesimin ndaj institucioneve.

Kryesisht ka një mosbesim të madh se personat e arrestuar janë në fakt autorët e vërtetë të vrasjes së pesëfishtë. Aq më shumë ka mosbesim se motivet e kësaj vrasje kanë të bëjnë me islamin.

Pse janë shqiptarët mosbesues?

Por pse shfaqet ky mosbesim? Sefer Tahiri është analist.

“Shqiptarët historikisht kanë pasur mosbesim ndaj institucioneve të shteti, veçanërisht ndaj policisë dhe gjyqësisë, për shkak se policia ka vepruar duke tejkaluar kompetencat që i tejkalon me ligj, kurse gjyqësia shpesh ka marrë vendime të cilat nuk kanë qenë të bazuara në fakte dhe dëshmi për dënime të dhëna siç ishte rasti i Sopotit dhe disa të tjera”, thotë Tahiri.

Ndërkohë të gjithë të pyeturit në protesta dënojnë vrasjen dhe kërkojnë kapjen e autorëve siç thoshin të vërtetë, pavarësisht se kush janë ato.

Por si do duhej të ishte reagimi i institucioneve në një situatë të tillë?

Nga njëra anë kemi zemërim sepse mendohet se është bërë padrejtësi dhe nga ana tjetër kërkohet zbardhja e rastit.

Zgjidhja është profesionalizmi

Tahiri thotë se njerëzit ende nuk kanë parë dëshmi veç deklaratave të zyrtarëve të lartë se ka fakte bindëse që përfshin të akuzuarit në vrasje.
Sipas tij është e një rëndësie të madhe të kthehet besimi në institucione dhe propozon:

“E para respektimi i prezumcionit të pafajësisë. E dyta, shteti duhet të sigurojë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në të gjitha organet e gjyqësisë, prokurorisë dhe MPB-së. Vetëm në këtë mënyrë duke respektuar përfaqësimin horizontal jo vetëm vertikal do të kenë një lloj besimi tek institucionet”, thotë Tahiri duke shtuar se në të gjitha rastet duhet të evitohet politizimi i rasteve të mundshme.

Policia nga ana e saj ka përsëritur se qëndron në deklarimet e dhëna. Fjalor të ngjashëm përmendi edhe prokurori i përgjithshëm.

Ndërkohë subjekti shqiptar në qeveri BDI që ishte dhe në shënjestër të protestave, është përpjekur që të argumentojë veprimet e institucioneve.

Mentaliteti i munguar i profesionalizmit

Kjo gjë po ngre edhe një herë pyetjen se pse në fakt argumentimet duhet të jenë në linja etnike dhe pse këto biseda dhe shpjegime për veprimet e marra nuk i bëjnë vetë krerët e institucioneve me pjesëtarët e komunitetit pa çka se ato mund të jenë të një etnie kurse dyshimi mund të vijë nga etnia tjetër?

Gazetari Bobi Hristov thotë se duhet ndryshuar mendësia e drejtimit të institucioneve:

“Me mënyrën se si menaxhohen institucionet, me punësimin e njerëzve partiak kur vinë partitë në pushtet dhe largimi i tyre kur ndryshon qeverisja nuk mund të presim asgjë tjetër veç reagimeve siç i pamë, në anën shqiptare protestë të një natyre në anën maqedonase protesta të natyre krejt tjetër”, thotë Hristov

Nga mënyra e reagimeve të subjekteve politike sipas vëzhguesve lihet përshtypja se ato kujdesen më shumë për etninë e vet, pa pasur kujdes për deligjitimimin e institucioneve. Pa pasur vëmendje dhe ndjeshmëri për reagimet e padëshiruara, edhe pse problem me këtë reagim do ketë vetë shteti.

Por si reagojnë institucionet në vende të tjera kur ndërmerren aksione që mund të konsiderohen sensitive.

Shembulli britanik

Zoran Stevanovski, gazetar që jeton në Londër, jep shembullin e britanik. Ai thotë se në raste të operacioneve delikate policia gjithmonë është në komunikim me popullsinë lokale.  Polica profesionale e cila është e ndarë nga udhëheqja politike ka kujdes të vazhdueshëm që të mbetet profesionale dhe së shpejti do të bëjë edhe kritika ndaj qeverisë:

“Do të zhvillohet konferenca vjetore e sindikatës së policisë. Në këtë konferencë do të mbajë fjalim Ministrja e Brendshme Theresa May, si dhe përfaqësues të opozitës, por është paralajmëruar se kreu i sindikatës do ti thotë ministres se politika e saj e kursimit do të zvogëlojnë efikasitetin e saj”, tregon Stefanoski.

Kohëve të fundit disa organizata po ndërmarrin trajnime apo dhe seminare për mediet se si ato të raportojnë për dallimet por pa ofenduar të tjerët.  

Vlerësohet se një koncept i tillë mbase duhet të futet edhe në institucionet e tjera, një kujdes mbase më i specifikuar, për tu lënë njerëzve të kuptojnë se veprimet të cilat ndërmerren nuk janë të drejtuara ndaj gjithë komunitetit. Kjo sidomos do të ishte e rëndësishme për ato institucione për të cilët besimi i njerëzve është më se i domosdoshëm.

AddThis Social Bookmark Button