Kisha dhe xhami si aksesorë mode

Në Maqedoni gjatë viteve të fundit vihet re një ndërtim intensiv i objekteve fetare – kishave dhe xhamive, të vogla dhe të mëdha, në shatërvan, parqe e kështu me radhë. Sociologët komentojnë se me këtë, në njëfarë mënyre, fetë më dominuese shënojnë territorin e tyre.

Analizë e Dushko Arsovskit

Nëse udhëtoni nga Shkupi drejt Gostivarit nga të dy anët e rrugës do vini re dhjetëra xhami, disa nga ato në ndërtim e sipër, madje edhe nga dy tre objekte në një fshat. Pasi të keni vazhduar rrugën nga Kërçova për në Ohër, përveç xhamive ka edhe shumë kisha, të vogla dhe të mëdha, me kryqe të ndriçuar dhe të pandriçuar, e që ndodhen kryesisht në vendet jeton popullata e krishterë. Duket se kjo pamje ka ndryshuar dukshëm këto vitet e fundit. Sipas sociologut të fesë Zoran Matevski kjo tregon një gjë:

„Nëse ndërtoni kisha ose kisha të vogla dhe nëse në çdo kodër mbin nga një kryq, ju në njëfarë mënyre shënoni territor, thoni se ky territor është etnik maqedonas, ose më saktësisht, ortodoks. E njëjta situatë është edhe te pala tjetër, në vendet ku shumicë janë shqiptarët, gjegjësisht përfaqësuesit e fesë islame. Me ndërtimin e xhamive të shumta dhe me arkitekturë të ndryshme, sa më të mëdha aq më të bukura, ai territor shënohet si territor shqiptar dhe si territor në të cilin jeton popullatë me fe islame“

Teologu dhe imami i mëparshëm i Bashkësisë Fetare Islame Ramadan Ramadani thotë se nuk pajtohet me këtë gjë. Si shembull e jep Shqipërinë ku pas rënies së komunizmit objektet fetare janë ndërtuar masovikisht.

„Pas një kohe xhamitë dhe kishat mbetën të zbrazëta dhe pas një periudhe pesë ose gjashtë vjeçare ata u braktisën plotësisht sepse nuk kishin fluks të besimtarëve ose nuk kishte njerëz të cilët do të kujdeseshin për mirëmbajtjen e tyre. Mendoj që shembulli i këtij fqinji tonë të afërt do të na shërbejë si mësim që të mos ndërtojmë objekte fetare të panevojshme sepse ato nuk i shërbejnë as fesë dhe as besimtarëve“

Tendencë në rritje

Mitropoliti i Dioqezës së Pellagonisë të KOM, peshkopi Petar, për Dajverziti Media thotë se duhet të ndërtohen tempuj, dhe jo, siç thotë ai, në çdo cep të ketë kisha të vogla siç vihet re gjatë viteve të fundit.

„Nëse kjo gjë paraqet një nevojë të Kishës, atëherë e kuptoj. Të bëhet atje ku do të ketë kisha në të cilat do mund të hymë renda, ti shërbejmë zotit, dhe të ndezim qirinj. Por, sa i përket këtyre kishave shumë të vogla, më duhet të them se kjo gjë nuk është një iniciativë e jona.  Flas për dioqezën tonë, për të tjerat nuk mund të them gjë“

Kisha dhe xhami ndërtohen me iniciativë të qytetarëve ose të bashkësive fetare, por kjo gjë paraqet një proces të gjatë. Fillimisht, duhet siguruar vendi i ndërtimit. Gur-themeli duhet të shenjtërohet, pastaj edhe objekti pasi të jetë përfunduar ndërtimi i tij.

Por, sipas Ramadanit, në Maqedoni KOM dhe BFI veprojnë shumë ngadalë në këtë plan.

„Duhet të dimë se ato objekte fetare varen nga dëshira dhe nga motivimi i popullatës, prandaj ata vrapojnë pas iniciativave të popullatës, dhe jo anasjelltas – kjo gjë të bëhej me një radhë të caktuar dhe me një ’kontroll’ në kuptimin institucional“

Në rastin me KOM problem paraqesin objektet të cilat ndërtohen nga individë pa lejen e kishës, thotë peshkopi Petar.

„Fallxhorët të cilët ndërtojnë objekte të tilla janë personat me të cilët e kemi të vështirë të përballemi sepse kjo, në njëfarë mënyre, paraqet keqpërdorim të besimtarëve për qëllime private, gjegjësisht një pjesë e tyre në këtë mënyrë pasurohen.“

Lagja Aerodrom e Shkupit nuk ka të tilla. Për një kohë të shkurtër në këtë komunë u ndërtuan disa kapella dhe kisha të vogla. Maja Mançevska, zëdhënëse e pushtetit lokal thotë se ato janë ndërtuar me iniciativë të qytetarëve.

„Ato janë ndërtuar sepse 98 përqind e popullsisë në komunën Aerodrom  është e fesë ortodokse. Kohëve të fundit na u drejtuan disa qytetarë të cilët shprehën dëshirën të ndërtojnë kapella të vogla në territorin e komunës, dhe tashmë janë ndërtuar tre të tilla. Ndërsa, sa i përket kishave të vogla gjatë inaugurimit të shatërvanëve, ato janë vetëm maketa dhe shërbejnë si dekor.“

Feja dhe politika, lutu dhe voto?

Sipas sociologut Matevski rastet ku komunat japin mbështetje për ngritjen e objekteve fetare paraqesin një shembull të lidhjes mes kishës dhe fesë.

„Po afrohen zgjedhjet lokale dhe është më se normale që një pjesë e votuesve janë besimtarë dhe se që të fitohen zgjedhjet duhet të përfitohen edhe ato votues. Është më se e logjikshme kjo lidhje e ndërtimit të objekteve fetare sepse kemi një lidhshmëri mes elitës fetare dhe asaj politike“

Kritiku fetar  Ramadani, ka një sqarim të vetin për këtë lidhshmëri.

„Politikanët nuk punojnë për përfaqësimin qenësor të besimtarëve, apo për tu ndihmuar bashkësive fetare zyrtare, në rastin tonë KOM dhe BFI. Kështu që, në njëfarë mënyre, mundohen ta kompensojnë këtë gjë me veprime të këtilla të shpejta përmes të cilave duan të shprehin religjiozitetin e tyre“

Mançevska mohon se ndërtimi i objekteve fetare ka për qëllim përfitimin e votuesve.

„Nuk bëhet fjalë për fushatë zgjedhore, e as nuk përputhet me afatin kohor të zgjedhjeve të cilat do të bëhen pas tetë ose nëntë muajsh. Këto kisha, këto kapella kanë vite që ndërtohen, që do të thotë se mes këtyre dy elementeve nuk mund të ketë asnjë lidhshmëri. Gjithsesi, komuna mbështet të gjitha projektet të cilat i kërkojnë dhe i miratojnë vetë qytetarët“

Dajverziti Media: Doni të thoni që komuna nuk ka financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë objekt fetar?

„Absolutisht jo“ thotë Mançevska

Sipas të dhënave jozyrtare, në Maqedoni ka rreth 1500 kisha dhe manastire dhe rreth 600 objekte fetare myslimane.

Anketa e Fondacionit  „Konrad Adenauer“ në Shkup në fund të vitit 2011 tregoi se më shumë se dy e treta e besimtarëve ortodoks dhe gjysma e myslimanëve të anketuar mendojnë se kanë mjaftueshëm objekte fetare. Të tjerët kanë thënë se kanë më tepër se që kanë nevojë. Por, anketimi i kryqëzuar ka dhënë rezultate ndryshe nga këto. Në përgjithësi, të dy bashkësitë mendojnë se numri i objekteve të tyre fetare është i mjaftueshëm, ndërsa për numrin e objekteve fetare të bashkësisë tjetër mendojnë se është tepër i madh.


Statistikat nuk gënjejnë

Pothuajse 70 përqind e besimtarëve nuk i kanë lexuar librat e shenjtë

Numri i popullsisë përputhet me numrin e besimtarëve në Maqedoni. Studimi i profesorit universitar Zoran Matevski ka treguar se në vend ka nga 0,7 deri në 1 përqind ateistë. Nga besimtarët, 60-70 përqind që janë besimtarë tradicional nuk e kanë lexuar Biblën apo Kuranin, thekson Matevski.


Rregulla të pashkruara

Në 2000 besimtarë nga një tempull fetar?

Sipas rregullave të pashkruara, në çdo 1500 - 2000 besimtarë duhet të ketë nga një tempull, thotë peshkopi Petar. Në BFI nuk kanë rregulla të tilla, shpjegon Ramadan Ramadani.


 

AddThis Social Bookmark Button