Fëmijë kriminelë që në moshën 7 vjeçare

Fëmijë kriminelë që në moshën 7 vjeçare by DiversityMedia

Gratë e moshuara nga Shtipi i ka përshkuar frika, pas sulmeve dhe përdhunimeve të disa grave të moshuara në shtëpitë e tyre. I mituri i cili tentoi, ose përdhunoi disa gra të moshuara nuk ka as 14 vjet të plota. Pensionistët kërkojnë mbrojtje nga institucionet. Në gjykatë dhe në polici thonë se i kanë duart e lidhura, sepse janë të kufizuar nga ligji.

Analizë e Vesna Kollovska

Të gjitha mediet në vend raportuan për dhunën dhe përdhunimin e grave të moshuara  ose grave me aftësi të kufizuara nga Shtipi. Brenda gjashtë muajve kanë ndodhur gjashtë akte të këtilla, ose mesatarisht nga një përdhunim në muaj. Dhunuesit janë dy persona të mitur.

Qytetarët e Shtipit janë të habitur dhe të frikësuar.
,,Kjo që po ju ndodh të moshuarve është një gjë e tmerrshme. Kjo që po bëjnë të rinjtë nuk është një gjë e mirë” tha një grua e moshuar nga Shtipi.

Fqinji i saj tha: ,,Nuk e lë dot gruan vetëm në shtëpi. Gjyshen ose nënën, në asnjë mënyrë!“

Një qytetar i moshuar nga Shtipi shprehu shqetësimin e tij: „Ne i lëmë këta gra, këta fëmijë në mëshirën e fatit”.

Lajmet për përdhunimet përcillen në Shoqatën e pensionistëve. Kryetari Mile Vasilev kërkon mbrojtje më të madhe për personat e moshuar.

„Kjo gjë është diçka shqetësuese. Pensionistët dhe personat e moshuar janë në rrezik, kryesisht nga personat e mitur. Ne mendojmë se për këtë çështje duhen marrë masa adekuate që të mund të mbrohen personat e moshuar.“  

Gruaja më e moshuar e cila është dhunuar është 83 vjeçare. E ka përdhunuar një djalë i cili sapo kishte mbushur 13 vjet. Në ndërkohë që ka rrjedhur procedura për rastin e tij, sipas zëdhënëses të policisë në Shtip Snezhana Saneva, djali ka sulmuar dhe ka tentuar të përdhunojë edhe dy gra të tjera të moshuara.  

„Ligji për të drejtat e personave të mitur i mbron të miturit dhe në kuadër të kompetencave ligjore, policia vetëm mund t’i identifikojë autorët dhe të bëjë denoncimin e duhur. Konkretisht në rastin e këtij personi të mitur, në periudhën e procedurës gjyqësore, ai ka kryer tri vepra penale.”

Dënim më i rreptë, por më i suksesshëm

Në dosjen kriminale të kësaj fëmije qëndrojnë pesë vepra tentativë për përdhunim ose përdhunim të personit të moshuar ose personit me aftësi të kufizuar. Dhunimin e fundit e ka kryer pas arratisjes nga Shtëpia edukuese – përmirësuese në Shkup, ku ka kaluar vetëm pesë ditë pas shpalljes së masës së caktuar nga gjykata.

Sipas ligjit vendosja në Shtëpi edukuese – përmirësuese  është masa më e ashpër, shpjegon gjykatësi Stojan Mihov.
„Në Shtëpinë edukuese – përmirësuese ka ekipe që do të punojnë për të krijuar kushtet që në të ardhmen i mituri të mos të sillet në një mënyrë të tillë. Po ia dolën mbanë atëherë është mirë.  Nëse nuk ka sukses, dhe nëse i mituri e përsërit veprën në moshë madhore, atëherë merren masa më rigoroze - nëse është deri në 21 vjeç, mund të dënohet deri në 10 vjet burgim ".
Në lagjen rome në Shtip, ku jeton fëmija, të gjithë e njohim sipas pseudonimit të tij. Familja ka një vjet që ka ardhur nga Vinica, dhe fill pas ardhjes nëna e tij ka ndërruar jetë. Motrat e tij janë martuar që në moshë 13 dhe 14 vjeçare, ndërsa babai ka sjellë në shtëpi një grua të re. Qendra për punë sociale ka hasur në rezistencë te familja, edhe pse sipas drejtoreshës Natalija Panova, familja është qenësore në përmirësimin e devijimit kriminal të fëmijës.

„Familja është ajo që ofron mbështetje, vend të sigurt kthimi, megjithatë, në disa raste mund të ndodhë edhe e kundërta, që familja të jetë faktori i cili e nxit këtë sjellje dhe fëmija i bën këto veprime si reagim ndaj situatës e cila është prezente në familje“.

Familjet dhe shteti të dezorganizuara

Sipas kriminologut Stevan Aleksoski gjatë viteve të fundit ka rënë mosha kufitare e personave të mitur të cilët kryejnë vepra penale. Pothuajse 40% e autorëve të krimeve janë fëmijë në moshë nga 7 deri më 14 vjet, të cilët ligji i dënon ose me qortim ose i dërgon në qendrat disiplinore të cilat nuk ekzistojnë në Maqedoni.
„Kjo tregon se mbase jetojmë në një shoqëri ku sistemi i vlerave ende nuk është vendosur siç duhet, familja nuk luan rolin e saj primar ashtu siç duhet ta bëjë, ndërsa institucionet e sistemit, për shkak të dezorganizimit të tyre nuk e përmbushin rolin për të cilin ekzistojnë.  Ne mund të mburremi se kemi ligj të mirë për të drejtat e të miturve, por, për fat të keq, në praktikë ai nuk aplikohet.”
Profesori Aleksoski thotë se këtë rritje të krimeve autorë të të cilëve janë persona të mitur shkenca ia përshkruan periudhës së zgjatur të tranzicionit në shoqëri.

„Vetë ekzistimi i recesionit, krizës morale dhe ekonomike, reflekton negativisht edhe tek personat të cilët ende nuk janë të pjekur, si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë intelektual, apo social. Nëse nisemi nga fakti se vetëm një e katërta e autorëve rrjedhin nga familje intelektuale, ndërsa tre të katërtat nga familje punëtore- bujqësore, kjo tregon se para së gjithash këto fëmijë dalin nga familjet me një nivel të ulët socio-ekonomik dhe arsimor, të cilat nuk mund të plotësojnë nevoja të caktuar dhe nuk paraqesin autoritet për fëmijët dhe pastaj këto kërkojnë persona identifikimi në mesin e moshatarëve të tyre”.


Ku qëndron problemi? Në familje, te institucionet, apo te vetë fëmija kriminel të cilin psikologët e përshkruajnë si një person me karakter defektuoz që manifestohet me anë të shfaqjes së sjelljeve psikopatike me dhunshmëri të theksuar, brutalitetit dhe mungesës së ndjenjës të fajit ... Çfarëdo qoftë, gratë e moshuara nga Shtipi jetojnë në frikë se mos ndonjë nga këto fëmijë të dhunshëm troket edhe në derën e tyre.


Raste të izoluara

Fajësim i të gjithë komunitetit

Institucionet nuk duan ta theksojnë, por fakt është se përdhunuesit e rinj në të gjitha rastet janë fëmijë nga familjet rome. Dy organizatat joqeveritare rome të cilat ne i kontaktuam „Çerenja” dhe Shoqata për të drejtat e Romëve, veçohen dhe dënojnë autorët. Në „Çerenja”, na thanë se veprimet e disa individëve njollosin të gjithë komunitetin, që gjithashtu është edhe nën sulmin e përdhunuesve. Nga Shoqata për të drejtat e romëve thonë se përdhunuesit nuk mund të jenë nën mbrojtjen e tyre.
Një nga këta fëmijë (13 vjeçar) nuk ka kurrfarë arsimimi dhe asnjëherë nuk ka shkuar në shkollë, ndërsa pesëmbëdhjetëvjeçari ka kryer dy klasë të shkollës fillore.


 

 

AddThis Social Bookmark Button