Truri i pashfrytëzuar i diasporës

Në Maqedoni po bëhen përpjekje për të kanalizuar potencialet intelektuale dhe shkencore të diasporës. Agjencia për Mërgimin është duke krijuar një bazë të dhënash, por edhe përkundër kësaj shumë profesionistë nga Maqedonia që veprojnë jashtë nuk janë pjesë e kësaj baze të dhënash. Një prej tyre është Ilir Zenku me origjinë nga Kërçova, i cili ndër të tjera menaxhon operacionet me robot, në Universitetin e Ilinoit në Çikago, që janë operacionet më të avancuara teknologjike. Por sa mundet Maqedonia që të tërheqë këto kuadro për të avancuar shkencën dhe shoqërinë?

Nazim Rashidi analizon

Në një program televiziv nobelisti me origjinë shqiptare Ferid Murati, është duke shpjeguar një nga zbulimet e tij në fushën e mjekësisë për të cilën mori çmimin nobel.

Ai tashmë ka me dhjetëra tituj dhe dekorata prestigjioze ndërkombëtare.

Pak ditë më parë u shpall edhe honoris causa edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Gjatë ceremonisë tha se do të donte që të japë kontribut në zhvillimin  shkencës edhe në Maqedoni.

Por deri më tani asnjë institucion arsimor nuk ka krijuar mundësi që shkencëtarët të ndryshëm të huaj por sidomos të këtushëm të mund të ndajnë eksperiencat me studentët në universitetet private ose shtetërorë.

Dhe nobelisti Ferid Murati mbase është më i  njohuri por nuk është i vetmi.

Shqiptar i Maqedonisë menaxhon operacione mjekësore me robot

Ky është një specialit në një sallë operacionesh në Universitetin Shtetëror të Çikagos. Salla është specifike sepse ka një nga paisjet më të rrallë në botë, një robot i cili kryen operacione te njerëzit. Specialisti shpjegojnë se në fakt robotin e drejtojnë kirurgët më të mirë në botë dhe e gjitha duket si një lojë në kompjuter.

Me këtë projekt inovativ drejton Ilir Zenku, nga Kërçova i cili në SHBA ka shkuar rreth dhjetë vite më parë. Ai është Asistent i zëvendës presidentit të Universitetit të Ilinoit, në Çikago.

“Unë si rol në këtë organizatë kam detyrë që të mundësojmë shfrytëzimin e teknologjisë në mjekësi, për edukim dh kërkime shkencore. Ne kemi disa programe shumë të avancuara siç është programi i kirurgjisë robotike. Detyra ime është që në sistemin e mjekësisë të Universitetit të Ilinoit të mund të avancojmë projekte që kanë prioritete të larta, siç është kirurgjia robotike”, thotë Zenku.

Ilir Zenku i specializuar në menaxhime specifike në mjekësi, drejton edhe projekte të tjera të veçanta, si zhvillimin e robotëve të vegjël të cilët do të mund të futen në organizmin e njeriut si barna, për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pastaj të dalin jashtë, apo dhe avancimin e metodave të krijimit të ilaçeve të posaçme për çdo individ, në bazë të specifikave që ka secili.

Por a do të kishte dashur ai të ndajë eksperiencën e tij të marrë me menaxhimin e  mjekësisë dhe mjekët të klasit më të lartë botëror?

Ai thotë se po, por nuk janë krijuar mundësi për një gjë të tillë:

“Mendoj që ka shumë për tu bërë që kjo të jetë një mënyrë më e organizuara. Ne na mbetet shumë pak kohë dhe nuk mund të merremi me gjëra administrative. Do ishte me shume vlerë nëse në mënyrë administrative të fokusohet kjo energji nga jashtë që të ndihmojmë edhe ne”, thotë Zenku.

Tërheqja e trurit të mërgimtarëve

Rasti i tij ngre në pah çështjen se sa në fakt autoritete kanë informacion për individët tanë që kanë suksese në fusha të ndryshme dhe të cilët mund të kontribuojnë në avancimin e shkencës dhe shoqërisë këtu?

Nga Agjencia e Mërgimit, pranë qeverisë së Maqedonisë thonë se bashkë me Ministrinë e Jashtme kanë filluar identifikimin  shkencëtarëve nga Maqedonia që veprojnë në botë.

Vasil Naumov drejtor i kësaj agjencie thotë se ka edhe raste kur universitete të ndryshme kanë ftuar përfaqësues të diasporës që të japin mësim në Maqedoni, por pranon se duhet bërë edhe më shumë punë:

“Ky proces është i hapur dhe ne punojmë në përfshirjen më të madhe të mërgimtarëve shkencëtarë, sidomos përfshirja e tyre në universitete për të dhënë mësim si profesorë të rregullt, në mënyrë periodike ose si ju përshtatet atyre dhe universiteteve”, tha Naumov.

Por për veç një interesi për shkak të zgjedhjeve ku për herë të parë diaspora mund të votonte në zgjedhjet parlamentare, përfaqësues të diasporës thonë se nuk ka pasur një interesim konstant për arritjet e përfaqësuesve të saj në vendet ku vepron.

Institucionet arsimore shtetërore thonë parimisht se gjithmonë janë të interesuara për të tërhequr kuadro profesionit.

Por Katerina Kollozova një autore e vlerësuar ndërkombëtarisht në fushën e filozofisë sidomos në çështjet gjinore, të cilës Universiteti Kolumbia në SHBA së shpejti do ti botojë dy libra, thotë se institucionet arsimore dhe administrative duhet të ndryshojnë qasjen e vlerësimit të kuadrove.

“Në vend që dikush në mënyrë teknike, pa menduar shumë, ta trajtojë suksesin akademik si një çështje teknike duhet lejuar një proces klasik vlerësimi, ku anëtarët e një komisioni duhet të vlerësojnë punën akademike. Sepse jo gjithçka mund të shkruhet në dokumente administrative, burokratike dhe teknokratike”, mendon Kollozova e cila gjithashtu thekson se duhet pasur një kujdes për mënyrat se si vlerësohen arritjet në fushat e shkencave ekzakte dhe ato humanistike dhe shoqërore. 

Në Maqedoni disa të rinj shkencëtarë sidomos në fushën e informatikës kanë pasur sukses ndërkombëtar, gjithashtu ka pasur raste kur institucione të ndryshme kanë tërhequr individë të suksesshëm që kanë punuar jashtë dhe që janë angazhuar pranë qeverisë.

Por më të rralla janë rastet kur këto individë janë angazhuar për të rritur nivelin shkencor dhe dijen në universitete që do të sillte përfitime afatgjate për të gjithë. 

AddThis Social Bookmark Button