Fushatë e gjatë=zgjedhje me pjesëmarrje të ulët të votuesve

Një vit para afatit të rregullt për zgjedhjet lokale, qeveria dhe opozita filluan betejën për të fituar vota. Analistët janë të njëzëshëm dhe thonë kjo është një periudhë tepër e gjatë për një fushatë e që mund të ketë si rezultat pjesëmarrjen e ulët të votuesve. Sipas disa kalkulimeve partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM, për aktivitetet e tyre në terren deri në fund të verës do të shpenzojnë gjysmë milion euro.

Analizë e Dushko Arsovski

Sipas mesazheve të cilat kohët e fundit qeveria dhe opozita i dërgojnë përmes reklamave televizive, mitingjeve, bilbordeve duket se Maqedoninë e pret një periudhë e nxehtë dhe një film tashmë i parë. Një vit para zgjedhjeve lokale, kundërshtarët politikë kanë filluar fushatën pak më herët se zakonisht. Apo ndoshta reklamat e vazhdueshme për aktivitetet e qeverisë tani po bëhen më dinamike me një sërë reklamash në të cilat VMRO-DPMNE  kujton gabimet i që kanë bërë qeveritë e LSDM-së opozitare.

Partia më e madhe opozitare në vend po organizon takime me qytetarët dhe mitingje nëpër fshatra dhe qytete. Analistët janë të një mendimi se fushata për zgjedhjet lokale ka filluar shumë herët.

Një nga ato është edhe komunikologu Petar Arsovski i cili për Diverziti Media thotë:

„Rezultatet e përafërta në zgjedhjet e kaluara parlamentare fushata e të cilave zgjati më shkurt, i detyrojnë partitë të bëjnë një fushatë më të gjatë me shpresën se kështu do të mund të përmirësojnë rezultatet e tyre. Domethënë, LSDM shpreson se kështu do mund t’i afrohet VMRO- DPMNE-së, ndërsa kjo e dyta shpreson të zmadhojë dallimin.“

Mungesë e Strategjisë

Përse qeveria përsëri po bën fushatë negative? Analisti politik Vlladimir Bozhinovski vlerëson se nuk bëhet fjalë për mungesë idesh, por mungesë strategjie.

„Tek ne gjithmonë fillohet me gjëra negative, sepse mbase kështu më shpejt mund të arrihet te vetë votuesit potencial. Negativja është gjithmonë më e fuqishme se pozitivja, njerëzit reagojnë më shumë“

Fushata e gjatë, sipas politikologut Mersel Bilalli, nuk mund të sjellë asnjë gjë me rëndësi për partitë, por do të reflektonte negativisht në ditën e zgjedhjeve.

„Ka mundësi që abstinenca të jetë më e lartë se në cilat do zgjedhje të kaluara.  Pastaj, unë mendoj se votuesit nuk kanë shumë mundësi për të bërë zgjidhjen e tyre sepse përballen me presione, frikë, me ndikimin e kriminalitetit, me interesa të ndryshme, me partizimin e shtetit“

Petar Arsovski pjesërisht pajtohet me këtë.

„Do të kishte qenë e tepërt nëse në ndërkohë partitë nuk bëjnë disa ndryshime. Por, nëse bëjnë ndryshime në qasjen e tyre,  për shembull, nëse fillojnë kontakte më intensive me qytetarët, ose nëse bëjnë ndryshime në projektet e marketingut politik, atëherë do mund të bëjnë ndryshime“

Si edhe në shumë zgjedhe të mëparshme, në fokusin e fushatës të partisë në pushtet është lideri i opozitës Branko Cërvenkovski dhe gabimet që ka bërë gjatë qeverisjes së tij. Nga ana tjetër, sipas Bozhinovski- t, zgjedhjet lokale do jenë një mundësi për rehabilitimin e tij.

Për momentin  kemi një situatë specifike sepse vetë legjitimiteti i liderit të opozitës është luhatur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai i imponoi zgjedhjet lokale si një test. Nga zgjedhjet lokale do të varet nëse lideri i opozitës do të vazhdojë të jetë lideri i opozitës ose do të tërhiqet.“

Kontaminim

Vllado Buçkovski, ish funksionar i lartë i LSDM-së, këto ditë shprehu dyshim për sinqeritetin me të cilin Cërvenkovski e udhëheq fushatën, duke kujtuar përvojën me zgjedhjet e vitit të kaluar.

„Ai e kontaminoi fushatën. Nuk la hapësirë për t’i besuar se vërtetë do të tërhiqet. Edhe në një skenar Holivudian mundej që, për shembull, në mitingun e fundit në Kumanovë, para heshtjes parazgjedhore, ai të jepte dorëheqje dhe të tërhiqej. Pra, e thënë kushtimisht, me një shok terapi të tillë, gjatë heshtjes parazgjedhore të përfitonim edhe 2,3 % të votuesve, aq sa na mungonin për fitore. Megjithatë, kjo gjë nuk ndodhi dhe tani LSDM-ja mbetet me këtë hendikep.“ thotë Buçkovski në një intervistë për javoren „Kapital“ .

Mersel Billali i cili ishte këshilltar Buçkovskit gjatë kohës që ai ishte kryeministër, për Diverziti Media thotë se opozita ka nevojë për ndryshime drastike.

„Fakt është se skenës politike në Maqedoni, qoftë bllokut maqedonas apo atij shqiptar, i duhet diçka e re.  Një filozofi e re, një qasje e re me dozën e nevojshme të idealit. Për fat të keq, ne gjendemi në një lloj zbrazëtie dhe apatie e cila është shumë e cila është shumë e dëmshme për interesat e shtetit dhe të qytetarëve.“

Vlerësimet të cilat i publikuan disa medie tregojnë se vetëm aktivitetet gjatë verës partive do ju kushtojnë 500 000 euro për pllakata, transport, reklama, bina dhe zërim, zyra, si dhe pajisje televizive. Festën politike deri në pranverën e ardhshme qytetarët do e paguajnë vetë, sepse sipas buxhetit dhe llogarive përmbyllëse të shtetit, në një vit, në arkat e partive do të derdhen rreth 2 milion euro para të popullit.

AddThis Social Bookmark Button