Të shtypur dhe të harruar

Maqedonia është në mesin e shoqërive postkomuniste të fundit, e cila nuk i ka shlyer borxhet ndaj viktimave të komunizmit. Të përndjekurit thuajse nuk përmenden në librat e historisë, për këtë shkak studiuesit e historisë kërkojnë ndryshime në librat e historisë të arsimit fillor dhe të mesëm. Shoqatat e të burgosurve politik Maqedonas dhe Shqiptarë, edhepse ndaras, paraqitën kërkesa të njëjta – tu kërkohet falje nga ana e shtetit, rehabilitimi i tyre dhe spastrimi i historisë familjare.

Analizë nga Vesna Kolovska

“Gjithë jetën time e kam kaluar në burg, llogore, i ndjekur si i papërshtatshëm, i vështruar me urrejtje nga të gjithë, jetë si në kafaz, jetë pa lezet. Pyes veten: Pse? Sepse kam menduar i lirë dhe në mënyrë të lirë i kam deklaruar mendimet dhe qëndrimet e mia që më vonë u bënë të vërteta”.

Këtë e ka shkruar i ndjeri Toma Batev, profesor dhe i burgosur në burgun famëkeq komunist Goli Otok, “në librin e tij – dëshmi “Dosja hijet e larta”. Libri përmban kopje të dosjes, që plot 44 vjet për të e ka mbajtur shërbimi i sigurimit shtetëror. Batev, 29 muaj i ka kaluar në punë të detyrueshme në ishullin famëkeq, ku ata që mendonin ndryshe nga sistemi komunist, ishin dërguar pa aktakuza dhe pa aktgjykime.

Shoqata e të burgosurve politik, e cila përveç viktimave të komunizmit i bashkon edhe të përndjekurit për idetë e pavarësisë së Maqedonisë nga vitet 90 të shekullit të kaluar, nga Rapulika e Maqedonisë, si trashëgimtare e shtetit komunist, kërkon falje dhe rehabilitim.

Dëmshpërblim

Kryetari i Shoqatës, Nikola Andonov, thirret në nenin 36 të Kushtetutës, ku përmenden të burgosurit politik.

“Me Kushtetutën dhe këtë nen të saj, shteti është i detyruar të lejojë qytetarët t`i realizojnë këto mundësi ligjore. Por, kuptohet, nëpërmjet projekteve ligjore të mira, ku nuk do të ketë mundësi që ato të vihen në pozitë të atillë që t`i dëshmojnë të drejtat e veta dhe bindjet e tyre të atëhershme politike, për shkak se ato tashmë i kanë dëshmuar me aktgjykimet e gjyqeve të sjellura në atë periudhë. Ato e kanë dëshmuar veprimtarinë dhe qeverisjen e tyre politike.

Ligj përkatës për rehabilitimin në emër të 34.000 të burgosurve politik përpunon Todor Petrov, i Kongresit Botëror Maqedonas. Në të njëjtën kohë, Shqiptarët e Shoqatës së të burgosurve politik dhe personat e dëmtuar me mbi njëqind padi individuale, do të kërkojnë dëmshpërblim nëpërmjet gjyqit.

“Me kurrfarë mjete materiale kjo nuk mund të kompensohet. Për shembull, unë kam qenë i dënuar 13 vjet për vepra për të cilat sot nuk do të isha dënuar as tri ditë. Ne kemi disa standarde për kompensimin material – ish të burgosurit politik të dëmshpërblehen në nivel të personit të gjykuar ose personit që ka vuajtur dënimin pa faj. Sipas ligjeve maqedonase kjo është nga 2.000 – 6.000 denarë në ditë, deklaroi Shpëtim Pollozhani”, kryetar i kësaj shoqate.

Në protestën e fundit të Shqipëtarëve – të burgosur politik, kërkuan para se të fillojë zgjidhja e çështjes së tyre, qeveria të sjellë ligj për statusin e ish luftëtarëve të UÇK-së.

“Ka njëfarë lidhje etike, morale ndërmjet njërës dhe kategorisë tjetër, sepse të dy kategoritë në njëfarë mënyre janë viktima. Për shkak se ky konflikt mbaroi, pasoi amnestioni, duhet që të formohet bazë për njëfarë marrëveshje”, vazhdon Pollozhani.

Tani për tani koalicionerët në qeveri – BDI dhe VMRO-DPMNE, vështirë gjejnë kompromis lidhur me të burgosurit politik, ndërsa përgjigjja zyrtare gjithmonë është – akoma bisedohet. Në ndërkohë, të dy shoqatat paralajmërojnë se anëtarët e tyre që 20 vjet po presin rehabilitim, një nga një po e lëshojnë këtë botë.

Studiuesi i historisë Nikola Zhezhov, konsideron se ky proces është i gjatë dhe i ndijshëm, gjatë së cilit, nëpërmjet dosjeve duhet të vërtetohen të burgosurit e vërtetë politik dhe me vëmendje tu qaset emrave të kodoshëve.

“Për shkak se brenda keni edhe bashkëpunëtorë civil të qeverisë, të cilët jo për dëshirën e tyre kanë qenë të detyruar të bashkëpunojnë me sistemin komunist të mëparshëm të shtetit. Kemi njerëz të cilët kanë qenë të kushtëzuar ta bëjnë atë. Këto janë plagë dyanëshe- edhe nga ana e të përndjekurve edhe nga ana e atyre që merrnin pjesë në atë sistem”, komenton Zhezhov dhe shton:

“Për këtë shkak duhet të rishikohen të gjithë segmentet. E dini që në pajtim me ligjin, me letër deri te MPB, ato që kanë dosje kanë mundur t`i shikojnë edhe njerëzit sipas detyrës civile. Edhe sot keni situata të atilla në të cilat njerëzit, armë në dorë i kanë emrat dhe mbiemrat e njerëzve civil”.

Librat e historisë

Zhezhov përcakton se në çdo person të ardhshëm, vijnë tre deri në pesë persona civil. Dhe nëse merret parasysh çfarë deklaron ai, se ekzistojnë 15.000 dosje të ruajtura dhe edhe 30.000 të zhdukura, kjo do të thotë se janë nga 135.000 deri në 225.000 persona civil që kanë spiunuar për shtetin.

Toma Batev ka marrë vetëm 351 faqe të dosjes së tij, edhepse kanë ekzistuar edhe qindra e qindra faqe të mikrofilmuara, të cilat i janë lejuar t`i shikojë. Në librin e fundit, ky është dukshëm i dëshpëruar, që njëri nga te shumtit e kodoshëve që e kanë ndjekur është miku i tij i mirë, me të cilin ka kaluar shumë kohë. Në fund, në librin e tij përfundon:

“Nuk dua revanshizëm. Tani kërkoj vetëm rehabilitim të ndërgjegjes, të së vërtetës, të së drejtës, si çmim për “mëkatin” tim. Ta vazhdoj jetën time i çliruar, i lirë me kokën lartë dhe krenar, me faqe të bardhë. Niprit e mi, trashëgimtarët e mi, gjeneratat e reja të jenë pa dyshime për diçka që megjithatë nuk ka qenë ashtu.”

Batev u largua nga kjo botë pa e pritur rehabilitimin e tij. Por, la dëshmi të cilat gjeneratave të reja u duken si përjetim i pabesueshëm. Në librat e historisë për represionet pothuajse nuk shkruhet fare, që sipas studiuesve të historisë është e padrejtë dhe e palogjikshme.

Profesori universitar i historisë, Zekirija Rexhepi konsideron se në mos tjetër gjë, sëpaku për këto njerëz duhet të shkruhet dhe të mësohet, ashtu që ato të fitojnë sëpaku njëfarë satisfakcioni.

“Nuk mendoj se për shkak të viktimizimit të tyre duhet tu jepet prioritet, megjithatë meritojnë një vend tjetër në një shoqëri demokratike. Posaçërisht që kanë patur pasoja nga koha e komunizmit. Shumica e tyre ishin ndër të parët dhe si disidentë kundërshtuan sistemin diktatorial të komunizmit. Kur e them këtë mendoj ne gjithë Ballkanin, e jo vetëm për Shqiptarët në Maqedoni”.

Në Bullgari, ku mbaroi sistemi i rehabilitimit, periudha dhe viktimat e komunizmit, mesohen në librat e historisë të vitit të dytë dhe të tretë, të arsimimit të mesëm. Në Sërbi, me ligjin e atjeshëm, janë rehabilituar 1.870 persona, ndërsa kohët e fundit është vendosur të dëmsgpërblehen 15 të burgosurit e parë të Goli Otok-ut, me nga 7 euro për një ditë të kaluar në burg, sipas modelit të Kroacisë. Në Maqedoni, Metodija Andonov – Çento, është i vetmi i burgosur politik i rehabilituar.


Sistemi në shekullin e kaluar

Të gjykuar pa aktgjykime

Në sistemin komunist njerëzit kanë qenë të ndjekur nga shërbimet ose kanë qenë të përndjekur për shkak të ideve për pavarësinë e Maqedonisë. Për shkak të mendimeve të thëna, në të cilat kritikohej sistemi, partia komuniste dhe kryetari i atëhershëm i RSFJ-së, Tito, ishin të gjykuar në gjykata të rregullta ose të çrregullta partizane, ndërsa disa mbaronin në burg pa aktgjykime. Disa persona kanë qenë të ndjekur deri në fund të jetës. Të tjerë, nuk arritën t`i përjetojnë kushtet e vështira të burgut në ishullin Goli Otok.

Shqiptarët në mënyrë plotësuese kanë qenë të dënuar për shkak të anëtarësimit në grupacione ilegale, ose për shkak se refuzonin të anëtarësohen në kooperativa dhe t`ia japin shtetit tokën e tyre. Në vitet e 60-ta, të shekullit të kaluar kanë qenë të ndjekur për shkak të protestave kundër represionit në Kosovë, ndërsa në vitet e 70-ta- për idetë e diferencimit politik.


 

AddThis Social Bookmark Button