Lamtumirë piratë?!

Parlamenti Evropian me shumicë votash refuzoi marrëveshjen tregtare AKTA, e cila nga aktivistët qytetarë u vlerësua si një armë kundër lirisë së internetit. Zbatimi i marrëveshjeve të tilla do të thotë fund për ndarjen e lirë të përmbajtjeve në internet, të cilat i nënshtrohen të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të ngjashme. A është e përgatitur Maqedonia, për shembull, për të ndaluar torente, servise përmes të cilave mund të zbriten filma, muzikë, lojëra, software ...?

Analizë e Vesna Kollovska

Filmit maqedonas me metrazh të gjatë „Panku nuk ka vdekur” i duheshin më shumë se tre vite për të arrirë të shfaqet si premierë në kinema, ndërsa kopjes së tij pirate i duheshin vetëm dy-tre muaj për të zënë vendin e saj në kanalin „You tube”. Producenti Darko Popov nga faqja famoze e internetit ka kërkuar në çast që të heqë filmin. „You tube” ka reaguar shpejt, megjithatë, sipas Popovit, filmi tashmë është shikuar rreth 5000 herë.

„Kam humbur tre vite dhe jam munduar shumë për ta bërë këtë film, ndërsa dikush shkon dhe e vë atë në internet. Pastaj bën edhe komente se kjo na qenka prone shoqërore dhe se duhet ta shohin që të gjithë dhe se ajo që ai ka bërë është një vepër shumë e mirë. Ç’është ai? Robin Hudi…?” pyet i revoltuar Popov.

Shumë shpejt e kanë zbuluar se cili ishte personi i cili në mënyrë të paautorizuar ka vendosur filmin në internet, megjithatë, siç thotë Popov, avokati i ka këshilluar të mos ngrenë padi.

„Sqarimi ishte se do „zvarritemi“ nëpër gjyqe për një kohë të gjatë, e pastaj, pasi zbuluam emrin dhe mbiemrin e djaloshit nga Manastiri që kishte vënë filmin në internet, çështja ishte se çfarë mund t’i marrim?! Ne nuk jemi të poshtër, ne nuk jemi avokatët e Princit që t’i futemi në shtëpi e t’i marrim gjysmën e gjërave që ka atje! Kjo do të ishte një marrëzi! Kjo nuk është zgjidhja!” komentoi autori i filmit maqedonas.

Veprim dhe (mos)reagim

Filmi  „Panku nuk ka vdekur” në kinema është shikuar nga rreth 10.000 shikues. Por, sa herë është shkarkuar nga torentët, programe për marrjen e audiove, videove dhe filmave nga interneti, askush nuk mund ta dijë. Në faqen torent më të famshme për shfrytëzuesit e internetit në Maqedoni, „Panku nuk ka vdekur“ është zbritur 4.400 herë. Numri i shikuesve të filmit në sallat e kinemave na jep një pasqyrë më të qartë për pasojat nga torentët. Sipas Manaki Film, për dallim nga vitet e arta (2002-2003) kur në kinematë e Shkupit ka pasur rreth 2.8 milionë shikues, vitin e kaluar në kinema film kanë shikuar vetëm 25.000 shikues. Kjo shifër paraqet një rënie për 112 herë.


Situata shkak-pasojë

Filmi „Hakmarrësit“ i cili tani po shfaqet në kinemanë „Milenium” në Shkup është filmi i tetë me radhë në listën e filmave më të zbritur përmes torentëve në mbarë botën. Shtrohet pyetja - A mund të insistohet për një kontroll më të rreptë të piraterisë së filmave në Maqedoni, kur kinema të pajisura ka vetëm në Shkup, Ohër dhe në Manastir, ndërsa në Shkup ka vetëm dy kinema të cilat kanë pajisje 3D?


 

Torentët janë krijuar për këmbim pa pagesë dhe jokomercial të muzikës dhe filmave, por, nga ana tjetër, ata bien ndesh me Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtave të ngjashme.

Novica Nakov nga organizata joqeveritare „Software i lirë” mendon se Maqedonia është një rajon i vogël dhe pa interes për studiot e mëdha holivudiane që ata të kërkojnë zbulimin e zbritjes së paautorizuar të veprave të tyre, përmes zbatimit të drejtë të ligjit.

„Mbase për një kompani më të mëdha do të jenë shpenzimet për të ardhur këtu e për të lexuar ligjet, për të angazhuar njerëz dhe për të bërë hetime. Megjithatë, nga ana tjetër, problemi mund të qëndrojë edhe në zbatimin e ligjit, sepse ai mund të përdoret për të heshtur disa persona ose organizata nëse vërtetohet se ato kanë përdorur ndonjë përmbajtje të palicencuar” thotë Nakov dhe jep edhe një shembull:

„Në Rusi, janë mbyllur disa organizata të cilat luftojnë për të drejtat e njeriut me akuzën se kanë përdorur „Windows” të palicencuar.”

Avokati Valentin Pepeljugoski është përfaqësues i Lidhjes së bizneseve për software në Maqedoni, me kërkesë të së cilës janë realizuar shumë aksione për sekuestrimin e software-ve ilegale. Ai thotë niveli i përdorimit të software-it të palicencuar që tani sillet tek rreth 61% duhet të ulët në nën 50%.

„Këtu janë në humbje kompanitë e mëdha. Por, këtu është në humbje edhe shteti për shkak të tatimeve të papaguara. TVSH-ja, tatimit të fitimit, doganave, kontributeve të papaguara... Këto paraqesin humbje të mëdha që arrijnë miliona dollarë, por ka edhe të tilla që kanë si pasojë edhe humbjen e vendit të punës“.

Liri e artit...por me karar!

Organi koordinues për mbrojtjen e pronës intelektuale gjatë viteve të fundit aktivitetet e tij i realizon në drejtimin e zbulimit të software-ve ilegale dhe falsifikimit të markave tregtare. Organi ka bërë 600 denoncime, ndërsa sa i përket filmit dhe muzikës ai ka vepruar në bazë të kërkesave nga ana e Këshillit për radiodifuzion dhe të producentëve.  Pas denoncimit veprime ndërmerr edhe Ministria e punëve të brendshme, në kuadër të së cilës vepron një grup i veçantë për krime kompjuterike.

Megjithatë, askund nuk mund të jepet së paku një numër i përafërt për nivelin e shkarkimeve të paautorizuara ose për përdorimin e veprave të autorit përmes internetit në Maqedoni. Ndoshta kjo do të ishte shuma e përmbajtjeve të përgjithshme të shkarkuara nga të gjithë ofruesit e internetit të cilët veprojnë në Maqedoni.

„Në botë asgjë nuk është falas. Ata e joshin popullin duke thënë se ekziston software pa pagesë. Software i hapur nuk është falas. Në fund të ditës parashtrohet pyetja se përse nuk fshihet i gjithë software që është i palicencuar?”, thotë Pepeljugoski.

Edhe krahas përvojës së keqe personale, Darko Popov është pro lirisë së artit përmes internetit.

„Arti duhet të jetë i lirë dhe falas për të gjithë, por duhet të ketë pak rend. Nuk duhet të ndodhë që një film apo një album të gjendet në versionin pirat në internet menjëherë pas promovimit. Kjo është marrëzi. Imagjinoni, me standardet tona, po të mos kishte pirateri, nuk do të mund të shikonim filma, të dëgjonim albume të reja, muzikë. Do blinim albume të reja për  30, 15, 20 euro?!“

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë vihet re se falsifikimi dhe pirateria nuk trajtohen si aspekt i krimit të organizuar, ndërsa në vend ende është i ulët niveli i ndërgjegjësimit për pronën intelektuale.


Bullgarët të parët për pirateri në BE

Bullgaria zë vendin e parë në BE për nga niveli i piraterisë. Nëse në vendet e tjera të Evropës niveli i piraterisë sillet mes 22 dhe 26 përqind, në Bullgari është dukshëm më i lartë, dhe atë 65 përqind. Vlerësohet se dëmet për ekonominë bullgare sillen nga 3 deri në 4 miliard euro në vit. Ekspertët propozojnë krijimin e një platforme alternative, ku për shuma të vogla në internet do të mund të blihet pronë intelektuale.


 

Ne më shumë të lidhur me Zemunda dhe Pirat Bej

Portali Alexa përmban një listë rangimi të faqeve më të vizituara në internet në nivel global, por edhe sipas vendeve në veçanti. Sipas kësaj liste, në 100 faqet më të vizituara nga përdoruesit në Maqedoni ndodhen dy faqe me torentë nga të cilat mund të zbriten përmbajtje të ndryshme. Faqja bullgare Zamunda.net është në vendin e 20 sipas numrit të vizitorëve (në vendin e 2.279 në nivel global), ndërsa faqja suedeze The pirate bay në vendin e 52-të (në nivel global mban vendin e 83-të). 


 

AddThis Social Bookmark Button