Trego nëse mundesh

Qytetarët e Maqedonisë duket sikur kanë ndërprerë denoncimin publik të rasteve të korrupsionit dhe parregullsive. Shkaku, sipas atyre që me vite punojnë në denoncimin e korrupsionit, është frika tek qytetarët për të folur pa mbrojtje, por dhe mosbesimi tek institucionet. Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit në programin e saj parashikon miratimin e një ligji për mbrojtje e atyre që paralajmërojnë korrupsionin. Por në ndërkohë investiguam ku janë paralajmëruesit e korrupsionit?

Vesna Kollovska analizon

Kirurgu ortoped Todor Noshpall u pushua nga puna pasi publikisht foli për rastin ku një paciente humbi jetën duke pritur të marrë këllqe artificiale. Drejtuesit e spitalit e dënuan sepse kishte zbuluar një sekret profesional kur kishte thënë që klinika nuk ka proteza. Noshpall në deklaratën e tij për televizionin “Alfa” tha kishte folur për të mirën e pacientëve.

Unë punoj në një institucion publik të shëndetit. Fjala publik tregon diçka. Sipas ligjit për të drejtat e pacientit unë duhej të flisja dhe duhej të dilja para opinionit dhe t’i them këto gjëra”, tha Noshpall.

Në shoqëritë demokratike roli i këtij doktori mund të emërtohet si paralajmërues, “fishkëllyes” njeri i cili bën alarm për diçka, tregon për padrejtësitë, keqpërdorimet ose korrupsionin. Dhe nëse në vende të tjera për hapa të tilla mbrohesh me ligj, këtu kirurgu humbi punën. Në Maqedoni, siç vlerësohet, muajt por edhe vitet e fundit nuk ka denoncime për korrupsion dhe keqpërdorime.

Themeluesi i Qendrës për komunikime qytetare German Fillkov, sheh dy arsye për këtë:

Mendoj se tek qytetarët ka mungesë besimi tek institucionet se diçka do të ndërmarrin pasi të denoncojnë rastet e korrupsionit. E dyta, që konsiderohet edhe më e madhe, është frika nga pasoja. Nëse lajmërojnë raste korrupsioni atëherë ka frikë se dikush do të hakmerret dhe do të ketë pasoja qofshin materiale ose fizike”, thotë Fillkov.

Qytetarët e thjeshtë antikorrupsionerët më të zëshëm

Ai që verifikohet si një bashkëpunëtor i drejtësisë mund të kërkojë mbrojtje nga Komisioni Shtetëror për Pengimin e Korrupsionit. Mbrojtje të tillë sipas anëtares disavjeçare të këtij komisioni Mirjana Dimovska deri më tani ka kërkuar vetëm një punonjës shtetëror i cili kishte lajmëruar për dyshime për korrupsion në ministrinë ku punonte. Me qëllim që të mbrohen ata që njoftojnë për korrupsion, sipas Dimovskës insistohet të ketë anonimitet për qytetarët.

Kështu qytetarët mund të lajmërojnë raste korrupsioni nëpërmjet projektit të Transparency International në Facebook, Twitter, SMS ose në faqen e internetit “Denonco korrupsionin” (Prijavi korupcija). Projekti funksionon më pak se një vit dhe qytetarët deri më tani kanë njoftuar për 96 raste të parregullsive dhe korrupsionit, pjesa më e madhe e të cilave kishte të bënte me tatime, inspektime, licenca dhe në gjyqësor.

Sekretari i përgjithshëm i Transparency, Metodi Zajkov thotë se vetëm disa qytetarë duan të ngelin anonim.

Qytetarët që janë të punësuar në administratë duan të mbesin anonim sepse kanë frikë mos humbasin vendin e punës. Qytetarët e tjerë që janë në sektorin privat, shumica e tyre nuk kanë problem që emri i tyre të bëhet publik. Të gjitha denoncimet kanë proces verifikimi dhe një përqindje e madhe e tyre, nga 60 deri në 70 përqind janë të qëndrueshme dhe janë publikuar në faqen e internetit”, thotë Zajkov.

Mes atyre rasteve të verifikuara është edhe ai i një qytetari anonim i cili thotë se një këshilltar i Qeverisë ka pasur edhe katër funksione të tjera në këshilla mbikëqyrës dhe drejtues në institucione shtetërore. Transparency International këtë në faqen e internetit e mbështet me fakte duke verifikuar emrat e anëtarëve të këshillave të përmendur.

Përkundër mendimit se policia ose revizorët janë ata që zbulojnë korrupsionin, një studim global i Shoqatës të hetuesve të certifikuar të korrupsionit tregon se në fakt qytetarët janë zbuluesit më të numërt. Deri në 40 përqind të rasteve janë denoncuar nga qytetarët, kurse policia ka pasur rol minimal me 1.3 përqind. Revizioni i brendshëm ka zbuluar 17 përqind të rasteve kurse ai i jashtëm 3.2 përqind.

Mbrojtje treguesve... mbase së shpejti

Prandaj sipas antikorrupsionerit Zoran Jaçev që qytetarët të kenë një rol më të theksuar, institucionet duhet të tregojnë një vullnet më të madh.

Institucionet do të duhet të bindin qytetarët se realisht do të hetojnë rastet e njoftuara prej tyre, kurse nga ana tjetër qytetarët do të jenë të sigurt se s’do të kenë pasoja nëse denoncojnë korrupsionin”, thotë ai.

Maqedonia është nënshkruese e Konventës të OKB-së për luftën kundër korrupsionit. Në ligjin kundër korrupsionit garantohet mbrojtje e qytetarëve që do të bëjnë denoncime. Ka edhe ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve.
German Fillkov jep shembuj të disa praktikave të mira si përvoja amerikane ku nga viti 1988 është themeluar Qendra Kombëtare për Denoncimin e Korrupsionit, kurse denoncuesit mbrohen nga avokatë.

Të gjithë që lajmërojnë për korrupsion, qendra i publikon një herë me emër dhe mbiemër, me fotografi dhe publikon edhe detaje për rastin deri në sqarimin përfundimtar. Nëse është nevoja treguesit në gjykatë ose institucione ndërkombëtare i përfaqësojnë avokatë seriozë. Pra vetë, në mënyrë donkishoteske, një gjë të tillë në Maqedoni nuk do ta bënte asnjë njeri edhe për një shkak të thjeshtë sepse nuk do merrte as satisfaksion. Do të pushoheni nga puna ose do ju shpallin për të çmendur”, thotë Fillkov.

Dimovska nga komisioni antikorrupsion zbulon se mendohet të miratohet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e treguesve, sipas shembullit serb ose të disa vendeve evropiane. Do të propozohen ndryshime në ligjin ekzistues për luftën kundër korrupsionit. Sipas disa shembujve ka raste kur ligji parashikon edhe shpërblime për denoncime reale. Por, ata që luftojnë me vite korrupsionin shprehen skeptik sepse edhe pas miratimit të këtyre ligjeve gjithçka mund të jetë “shkronja të vdekura në letër” nëse elitat drejtuese nuk tregojnë vullnet të plotë për të luftuar korrupsionin.


 

Dyshime dhe guxim

Telefoni më shumë “ulërinte” për Doganën

Njofto korrupsion në burgje”, “njofto korrupsion në dogana”...hapësira e interneti në Maqedoni është përplot me thirrje për të njoftuar nëpërmjet numrave falas të telefonit korrupsionin. Antikorrupsionerët si një nga më të suksesshmit të këtyre lloj aksioneve e konsiderojnë numrin e telefonit 197 ku denoncohen parregullsi në dogana. Sipas raportit të drejtuesve të doganave gjatë vitit 2011 nëpërmjet të këtij numri të posaçëm telefoni janë bërë 31.658 denoncime për keqpërdorime dhe parregullsi nga të cilat si raste korruptive janë proceduar 105 raste.
Për 42 të punësuar kanë filluar procedura disiplinore.

Dyshime ose fakte për korrupsion qytetarët e Maqedonisë mund të tregojnë edhe jashtë vendit, për kompani që janë pjesë e bursave të huaja. Opinioni në Maqedoni nuk di ndonjë rast të tillë edhe pse me vite akcionerët e vegjël të T-home (Akcioneri dominant është Telekomi Gjerman që është pjesë e bursave në SHBA) përpiqen të vërtetojnë korrupsion në radhët e organeve drejtuese.

Rast të tillë ka pasur tek fqiu verior i Maqedonisë. Qytetar serb tek komisioni amerikan për letra me vlerë ka denoncuar një rast mashtrimi. 


 

AddThis Social Bookmark Button