Në Maqedoni askujt si “plas” për Batman

Filmi i fundit i trilogjisë së “Batman”-it ka tërhequr vëmendje për shkak të vrasjeve që ndodhën në premierën e tij në Kolorado. Në Maqedoni dominojnë informacionet e shkurtra për këtë ngjarje tragjike, por jo edhe për vetë filmin.
Si rrallë herë filmi do të shfaqet në Shkup thuajse paralelisht me premierën në botë, por një gjë e tillë është e rrallë.
Mediet kësaj here mund t’i kushtojnë rëndësi kësaj premiere për shkak të vrasjeve, por zakonisht ato nuk kontribuojnë që publikut të tyre t’i ofrojnë më shumë informacione të asaj që mund të quhet vetëdije kulturore globale.

Nazim Rashidi analizon

 “Batman”-i është pjesë e medies botërore për shkak të incidentit në Kolorado, SHBA, ku një person i armatosur gjatë premierës së filmit vrau 12 persona.
Por, para këtij incidenti mediet botërore sërish kishin përplot informacione për këtë film.
Filmi, që është pjesë e atyre krijimeve që krijojnë kulturë dhe vetëdije globale kulturore tërhoqi vëmendje për shkak të mënyrës së realizimit të ri.

Kritika botërore ka vlerësime pozitive për vetë filmin vizionet rreth ngjarjeve në qytetin e famshëm të rrëfimit, Gotham, por dhe për portretizimet të personazheve të njohur sipas regjisorit Cristopher Nolan, si dhe për lojën e aktorëve Christian BaleMichael Caine, Gary Oldman apo Anne Hathaway...

Por, të tilla informacione të detajuara siç gjenden në mediet botërore nuk janë prezente në masë në mediet në Maqedoni.
A është kjo tendencë që dikton media, apo ajo thjeshtë ndjek interesin e njerëzve?
Filmi i fundit i trilogjisë së Batman – “The dark knight rises” do të ketë premierën e tij edhe në Shkup. Bileta shitësi i kinema Milenium ku do të shfaqet filmi, thotë se interesi është i konsiderueshëm:

 “Ka interes, për shfaqjen e orës 20.00 thuajse janë shitur gjithë biletat. Është një interes i zakonshëm si edhe për filmat e tjerë”, thotë ai.

Izolim

Por, premierat e filmave në vende të tjera marrin një rëndësi të një ngjarjeje të vërtetë kulturore. I tillë është rasti me shfaqjen e premierave filmike botërore në rajon edhe pa prezencën e luksit të qendrave botërore. Gazetari Zoran Bojarovski, që ndjek krijimet filmike thotë se kjo është rezultat i një mbylljeje të shoqërisë të diktuar nga interesa specifike dhe kjo jo vetëm për filmin, por në më shumë fusha.

 “Ky është rezultat i një izolimi të skajshëm që të mos mundemi të shohim në kohë, të mos mund të krahasojmë, të mos mund të  vlerësojmë gjërat që janë prirje në korniza globale, me qëllim që gjithçka të mbesë me fokus lokal”, thotë Bojarovski.  

“Batman” hyn në kategorinë e filmave komercial që do të prekin vëmendjen e njerëzve, por mosndjekja e krijimeve filmike si ky, apo edhe i atyre që i lënë një pasuri kulturore botës dhe mbi të cilat ndërtohen pastaj edhe krijime të tjera ka të bëjë edhe me mungesën e vëmendjes që i kushtohet kulturën në përgjithësi në vendet në tranzicion.

Politikanët para artistëve

Xhevdet Jashari  është aktor që ka pasur shpesh role kryesore në filma që janë bërë në Maqedoni, por thotë ndonëse filmat marrin vëmendje se janë krijime vendase, sërish si artist e ndjen që politikanët kanë më shumë vend në media sa artistët që reflektojnë shpirtin e popullit:

“Sinqerisht një deputet që tregon si ka fjetur merr vëmendje më të madhe se sa një aktor që luan, që derdh djersë, gjak, mish dhe jep gjithçka para kamerës. Është shumë e vogël në media prezenca e një aktori se sa e një deputeti apo ministri”, thotë Jashari.

Projeksionet filmike në Maqedoni kryesisht ndodhin vetëm në Shkup. Tani në kohën e turizmit asnjë nuk bën përpjekje që filmat të shfaqen në qytetet turistike. I tillë do të jetë rasti edhe me filmin e fundit të “Batman”-it.
Ndërkohë Shkupi aktualisht ka vetëm katër kinema nga dhjetëra që funksiononin para disa vitesh. Sipas Manaki Film, për dallim nga vitet e arta (2002-2003) kur në kinematë e Shkupit ka pasur rreth 2.8 milionë shikues, vitin e kaluar në kinema film kanë shikuar vetëm 25.000 shikues. Kjo shifër paraqet një rënie për 112 herë që praktikisht do të thotë se në Maqedoni asnjërit nuk i plasi për “Batman”-in.

AddThis Social Bookmark Button