Ballkani, „zonja e vjetër” dhe „arusha e madhe”

Kur zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është as kah fundi i listës së prioriteteve të saj, qenësore është se në ç’drejtim do të lëvizë Maqedonia dhe vendet e Ballkanit perëndimor. Sipas ekspertëve, është legjitim drejtimi kah disa vende të tjera, si për shembull, kah Rusia apo Kina, të cilat, përmes investimeve të mëdha mund të realizojnë edhe fuqinë e tyre politike.  Për atë se cilat janë perspektivat afatshkurtra të rajonit biseduam me njohës të ekonomisë dhe gjeopolitikës

Analizë e Vesna Kollovska

Pak kohë më parë enti shtetëror i statistikave në Mal të zi – Monsat, publikoi informacion sipas të cilit 32% e kompanive të huaja në vend janë në pronësi të rusëve. Edhe krahas këtij fakti, Mali i zi muajin e kaluar filloi bisedimet për anëtarësim në BE. Gazetari ekonomik i gazetës ditore malazeze „Vijesti“ Millorad Millosheviq vlerëson se Qeveria e Malit të zi ka një dozë frike dhe respekti ndaj Rusisë. Por, ajo gjithmonë kujdeset edhe për interesat e vendeve të fuqishme perëndimore.

Në rrethana të këtilla, parashtrohet pyetja se kush do ta ketë ndikimin kryesor politik në vend – Bashkimi Evropian apo Rusia?

„Njëfarë ndikimi më të dukshëm politik mund të ketë një investitor i cilit do shtet që do të ofronte të investonte miliarda euro në dy vitet e ardhshme në turizmin në Mal të zi dhe në infrastrukturë, ndërtimin e rrugëve ose në fushën e energjetikës. Kjo për qeverinë në Podgoricë do të kishte qenë një ofertë e parefuzueshme, pa dallim nëse ato para do të ofroheshin nga Turqit, Rusët apo nga ndonjë palë e tretë. Pra, Mali i zi nuk ka problem as me rusët, as me amerikanët . Ajo ka shumë nevojë edhe për investime të tjera të huaja,“ thotë Millosheviq.

Rajon jostabil

Shembulli me Malin e zi është një ilustrim për perspektivat e mundshme të rajonit. Kriza e ngadalësoi, madje edhe e ngriu zgjerimin e Bashkimit Evropian. Dhe në këtë proces gjithnjë e më të theksuara janë kërkesat dhe kushtet për qeveritë kombëtare. Çfarë fuqie e lëviz rajonin i cili ende nuk është stabilizuar siç duhet? Kush do i drejtojë proceset – a do të jetë ky Bashkimi Evropian, SHBA apo Rusia?

Ilina Mangova nga Instituti për Demokraci nga Shkupi thotë se Ballkani dhe Maqedonia janë larg interesave të fuqive të mëdha.

„Për ato, para së gjithash, është me rëndësi që ky rajon të jetë stabil, sepse Ballkani dhe Maqedonia nuk kanë ndonjë gjë të veçantë për tu ofruar fuqive të mëdha botërore. Këtu nuk ka naftë, as minerale. E rëndësishme është që në këtë rajon të mos ketë destabilizim, gjë që do i drejtonte fuqitë botërore nga ky rajon. Maqedonia, nga ana tjetër, si dhe Ballkani, po lëviz ngadalë drejt BE-së dhe këtu ka dy elemente kyçe të cilët e ngadalësojnë këtë lëvizje – çështja e emrit dhe statusi i Kosovës“.

Dushan Reliq nga Instituti gjerman për marrëdhënie ndërkombëtare dhe siguri nga Berlini, thotë se Rusia ka një lidhje kulturore dhe ortodokse me një pjesë të rajonit, por është në mes Baltikut dhe Detit të zi dhe është pa ndonjë ndikim domethënës politik. SHBA nuk kanë një ndikim të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa Bashkimi Evropian po përballet me një krizë në Eurozonë. Reliq thotë se Ballkani perëndimor nga aspekti ekonomik po shkon prapa, dhe për këtë arsye në terren janë shfaqur rrethana të reja.

„Në kushte kur integrimi evropian nuk po shënon përparim, por po shkon prapa – kjo ka të bëjë me Maqedoninë, kur rajoni ekonomik po stagnon, kur çështja e hyrjes së Maqedonisë në NATO ende mbetet e hapur, gjithsesi që ka edhe ide të tjera politike të cilat po marrin fuqi„ komenton Reliq dhe thekson disa nga këto ide:

„Një nga këto ide është bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Unë edhe apriori për këtë nuk do kisha thënë se është as pozitive e as negative, por do kisha thënë se është një tendencë që ka bazën e saj në fakte si edhe çdo gjë tjetër që ka ndodhur në njëzet vitet e fundit në territorin e ish Jugosllavisë“.

Opsione pa bazë

Struktura demografike, mendon ai, është në favor të popullatës shqiptare, duke pasur parasysh edhe rënien e natalitetit te popullata sllave. I tillë është edhe shembulli me Serbinë në të cilën për çdo vit ka për 40.000 njerëz më pak, për dallim nga Kosova e cila ka një shtim natyror prej 30.000 banorësh.

„Në Maqedoni për vite me radhë ka një tendencë të mosarritjes së numrit të popullatës maqedonase me shpejtësinë e njëjtë me të cilën rritet numri i popullatës shqiptare. Kësaj i ndërlidhen edhe aspiratat politike. Nëse hidhni një shikim në periudhën kah mesi i shekullit 19, do vini re se ekziston një lëvizje e fuqishme për krijimin e një shteti unik tek shqiptarët. Edhe tani, pas 100 vitesh nga Lufta e parë Ballkanike dhe pas krijimit të shtetit bashkëkohor shqiptar, ekziston një tendencë e fuqishme shqiptarët në rajon të bashkohen në një lidhje të vetme, në një shtet...“  komenton Reliq.

Por, fuqitë e mëdha, sipas tij, u kundërvihen ndryshimeve deri në momentin kur do të krijohet një realitet i ri, cilësor dhe thekson shembullin me shpërbërjen e Jugosllavisë ose me pavarësinë e Kosovës.

„Nëse ndokush do më kishte pyetur nëse më parë do kisha besuar se do të ndodhë bashkim evropian apo do të krijohen kufij të rinj në rajon, unë, në këtë moment më parë do kisha thënë se do vijë deri te krijimi i kufijve të rinj. Sepse ajo që u jepte impuls integrimeve në rajon në këto 20 vitet e fundit ishte dëshira për një zhvillim ekonomik të shpejtë në kuadër të integrimeve evropiane. Për momentin, ky opsion nuk ka ende bazë të fortë me fakte.“.

Sipas disa analizave, SHBA do mund ta pranonin këtë opsion, pasi të kenë shterur të gjitha mundësitë për ta stabilizuar Ballkanin në kufijtë aktual.

Ilina Magnova nuk pajtohet me këtë:

„Amerika mbështet fuqishëm kufijtë aktual në Ballkan, stabilitetin dhe sovranitetin e këtyre shteteve. Rajoni nuk paraqet më një interes gjeostrategjik për Amerikën, gjë që e dëshmojnë ndërhyrjet gjithnjë e më të pakta në marrëdhëniet aktuale. Për këtë arsye mbase edhe vjen deri te interpretime të tilla të situatës aktuale dhe të interesave të SHBA në përgjithësi...„.

Bashkëbiseduesit e Diverziti Media pajtohen me atë se në proceset në rajon ndikim më të madh mund të ketë mobilizimi i ekonomisë, me investime të drejtpërdrejta, përmes të cilave mund të ushtrohet edhe ndikim politik.


Këshilltari i Xhimi Karter ka shkruar

Euroazia është vend i mbisundimit

Zbignjev Bzhezhinski, këshilltar i ish presidentit amerikan Xhimi Karter, në librin e tij „Loja e madhe e shahut” shkruan se në këtë pjesë të Evropës juglindore interesat e SHBA përplasen me ato të Francës dhe të Gjermanisë, si fuqi dominuese evropiane. Në librin e tij, Bzhezhinski thotë se Euroazia është vendi ku fuqitë e mëdha luftojnë për mbisundim.

„Atje jeton 75% e popullsisë botërore, me një pjesëmarrje prej 60% në BPV (bruto prodhimin vendor), si dhe ndodhen edhe tre të katërtat burimeve energjetike botërore. Atëherë, është legjitime pyetja se përse fuqitë e mëdha do të shpenzonin burime në konflikt dhe të mos arrihej një stabilizim i Ballkanit Perëndimor?


 

AddThis Social Bookmark Button