Të rinjtë dhe lustrimi

Ndërkohë që në Maqedoni po publikohen emra të atyre që thuhet se kanë bashkëpunuar me strukturat e ish sistemit monist, mbase asnjë nuk shtron pyetjen se si e shohin këtë proces të rinjtë. Procesi i lustrimit po ndodh pas më shumë se 20 vjetësh të rënies së komunizmit, por a ka peshën e duhur për njerëzit sot ky proces?

Nazim Rashidi analizon

Komisioni i verifikimit të fakteve, që po ndërmerr procesin e lustrimit po publikon emra të atyre që kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete të sistemit të kaluar.
Është përsëritur disa herë se procesi, tani pas 20 vjetësh është i vonuar, por bashkë me këtë konstatim shtrohet edhe pyetja se çfarë rëndësie ka procesi për një brez që tashmë nuk e ka ngarkesë të madhe me të kaluarën.

Zorana Gaxhovska gazetare e re, e cila është në kontakt me të rinjtë thotë se ata shohin një mosbesim dhe politizim:

“Me të rinjtë me të cilët flas unë mendojnë se procesi nuk po arrin qëllimin, shërben për përplasje partiake. Peronat që lustrohen ose janë pensionistë, ose janë të pa rëndësishëm në jetën shoqërore. Nëse ju kujtohet dolën dosje politikanësh nëpër oborre dhe prandaj mendoj se nuk besojnë në këtë proces dhe se do të zbulojnë fakte historike nëse ndjekin se kush kë ka spiunuar”, thotë Gaxhovska.

Publikimi i emrave ngjall interes

Për shqiptarët procesi i lustrimit ka një dimension tjetër. Në sytë e tyre, bashkëpunëtorët e sistemit të kaluar, i cili konsiderohej represiv ndaj shqiptarëve, janë konsideruar si pjesëmarrës në këtë represion.

Gjatë sistemit monist shumica që flisnin për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve akuzoheshin për “irendentizëm” një pjesë e tyre më pas përndiqeshin, dënoheshin, burgoseshin. Përgjithësisht bashkëpunëtorët kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve janë përçmuar nga populli.
Si e shohin të rinjtë shqiptar këtë proces?

Semra Jakupi, është gjithashtu një gazetare e brezit të ri dhe sjell opinionet e brezit të saj:

“Nuk mendoj se në këto kohë vere është tema kryesore e të rinjve por është një çështje që diskutohet, sepse çështja u politizua shumë, publikimi i emrave në faqen e internetit ngjallin interes edhe tek të rinjtë”, thotë Jakupi.

Mosbesim i  përgjithshëm

Procesi i lustrimit po ndërmerret me politizime të mëdha, ndaj tij po ngjallen dyshime, sidomos nga opozita maqedonase. Frika e përgjithshme është se ajo që duhet të ndriçojë situatat e të kaluarës, në fakt mund të përdoret për motive politike, thotë analisti Albert Musliu:

“Gjithsesi se do të shikohet me dyshim dhe mosbesim edhe në rezultatet e procesit. Shkak është politizimi dhe mungesa e transparencës. Gjatë gjithë lustrimit ka pasur kontestime me gjykatën kushtetuese, me procedurën, ka pasur mosbesim brenda komisionit, mosunifikim brenda komisionit dhe ka një dyshim se gjithë procesi është kidnapuar nga partitë politike dhe përdoret për politikën e ditës”, thotë Musliu

Atmosfera e dyshimit largon edhe më shumë brezin e ri nga një proces që në fakt do të duhej të ishte i rëndësishëm, thonë bashkëbiseduesit e Diversty Media, proces që duhej të pastronte me të kaluarën, që e ardhmja të jetë më e qartë.

AddThis Social Bookmark Button