Kur pakica qeveris shumicën

Ditët e fundit Kombet e bashkuara caktuan një përfaqësues të ri të veçantë për Sirinë i cili do tentojë të bëjë atë që Kofi Anan nuk arriti ta bëjë– ta bind regjimin në Damask të ndërpresë dhunën. Ekspertë nga Ballkani thonë se nuk janë të befasuar nga ngjarjet sepse Siria është një shtet shumë i ndarë dhe atë në shumë aspekte. Ndërsa karakteristikë kryesore është se pakica qeveris me shumicën me metoda brutale, me një korrupsion të madh duke krijuar kështu një hendek mes të pasurve dhe të varfërve. Për këtë dëshmojnë disa bashkëbisedues tanë, ndërsa qeveritë e mohojnë një gjë të tillë. 

Analizë e Dushko Arsovski

Një gazetare e Televizionit shtetëror të Sirisë këto ditë përmes një mesazhi me video në internet dha dorëheqje nga vendi i saj i punës duke e akuzuar presidentin Bashar al Asad se duke mos pranuar kalimin e sistemit nga tranzicioni në demokraci ai po mohon popullin e vet dhe të drejtat civile. Ola Abas thotë se  regjimi ri-prodhon  mekanizma dhe metoda të tiranisë duke shfrytëzuar një grup njerëzish të përfituar.

Një shtetas tjetër i Sirisë ka shkruar një mesazh në Facebook ku thotë se ka dhënë me mijëra euro për tu larguar nga vendi ku ka përfunduar në burg  për shkak se ka thënë që në Siri ka shumë fotografi të Asad. Pastaj, disa herë gjatë verës ai ka shkuar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë dhe ka dërguar pako me ushqime  për të afërmit e tij të cilët kanë mbetur në Damask. Ai thotë se ka frikë nga agjentë të shërbimit sekret sirian të cilët, siç thotë ai, janë kudo dhe asgjësojnë secilin që në vend të huaj flet hapur për ngjarjet në Siri.

Këto janë disa dëshmi të cilat plotësojnë mozaikun për krizën e cila në Siri po zgjat tashmë 17 muaj. Nëse në fillim kishte paqartësi, tani është shumë e qartë se në luftimet mes Ushtrisë që është nën kontrollin e presidentit Asad dhe forcave opozitare deri më tani kanë vdekur  17 mijë njerëz.

Rusllan Trad ka babanë nga Siria. Ai jeton në Bullgari, por është rritur në Siri. Familja e tij është e ndarë – një pjesë është në Siri, ndërsa pjesa tjetër është larguar për në Liban. Ai për Diversity Media thotë:

„Një pjesë e atyre që mbetën janë në anën e opozitës, ndërsa të tjerët presin të shohin se çfarë do të ndodhë. Kam të afërm të cilët ishin pjesë e Ushtrisë por që tani kanë dezertuar. Kur flasim në telefon ata nuk e kanë të lejuar të flasin për konfliktin. Është shumë rrezik sepse shpesh i burgosin njerëzit edhe pa kurrfarë shkaku. Ndodh shpesh që njerëzit të zhduken. Ne kemi miq në Siri të cilët tashmë kanë muaj që janë zhdukur dhe askush nuk e di se ku janë„.


Alarm

Vendet i tërheqin shtetasit e tyre, për shtetasit e Maqedonisë nuk dihet

Vendet e Ballkanit tashmë kanë filluar t’i evakuojnë shtetasit e tyre nga Siria. Në MPJ të Maqedonisë deri më tani askush nuk ka kërkuar ndihmë dhe nuk kanë të dhëna se për sa raste të tilla bëhet fjalë.

 „Pjesa më e madhe e shtetasve të huaj janë larguar nga Siria, dhe ka shumë mundësi që në mesin e tyre të ketë edhe shtetas të Maqedonisë, thotë zëdhënësi Borçe Stamov.

Me një fluturim të veçantë një muaj më parë Serbia transportoi një grup shtetasish të saj. Ja cilat ishin reagimet e disa prej tyre.:

„Njerëzit nuk e dinë se ç’i gjeti. Nuk e kuptojnë situatën. Disa nga ato luftojnë që të dalin nga shtëpitë. Në Siri ishim si në vendin tonë, jetonim dhe punonim normalisht, kishim shtëpitë tona dhe banesa. Tani të gjithë mbetëm në rrugë dhe pa gjë“, dëshmon një qytetar.

„Nuk ka transport, nuk ka karburant, nuk ka taksi. Për të arritur nga një destinacion në tjetrin njeri duhet të japë shumë para“, thotë një tjetër.

„Është një luftë rruge. Nuk dihet se kush për kë lufton. Ky është problemi. Askush nuk mund të shprehet me sinqeritet” – komenton i treti.


Regjimi më brutal

Trad thotë se për momentin në Siri ka më shumë se 100 mijë persona të zhdukur. Sipas tij, kjo që po ndodh nuk është një befasi sepse pakënaqësia nga qeverisja 40 vjeçare e familjes Asad është shtresuar për vite me radhë.

„Që në kohën para konfliktit njerëzit ishin të pakënaqur për shkak të korrupsionit. Që në atë kohë flitej se duhet bërë diçka dhe se duan drejtësi. Viteve të fundit u krijua një dallim ekstrem mes të varfërve dhe të pasurve. Kjo gjë i nxiste edhe më shumë të varfrit kundër qeverisë dhe krijonte hapësirë që pakënaqësia të kalojë në konflikt“.   

Eksperti boshnjak për Lindjen e afërme, Ahmet Alibashiq kujton:

„Dhunë e tillë ka ekzistuar edhe më herët në vitet e tetëdhjeta, por regjimi në Siri është mbase regjimi më brutal nga të gjitha regjimet arabe. Dhe mbase kjo është arsyeja e vonesës të revolucionit.“

Profesori universitar - arabisti që ka mbaruar studimet në Damask, Vlladimir Çukov, sqaron se fillimi i konfliktit ka qenë vetëm një çështje kohe, sepse vendi është i ndarë në shumë aspekte, sidomos në atë fetar.

„Ka një ndarje të brendshme kombëtare, politike, specifike etnokonfesionale.  Pastaj, është interesante të përmendet se në Siri ekziston një pavarësi rajonale, një ndarje e qartë mes Sunitëve dhe Shiitëve, gjë e cila nuk është prezente në vendet e tjera arabe.  Arsyeja e tretë për një komplot të këtillë të përgjakshëm është se kjo gjë është një recidiv e Luftës së ftohtë“

Çukov vlerëson se „Pranvera Arabe‟ ka qenë vetëm një nxitje shtesë për historinë siriane e cila, sipas tij, nuk ka lidhje me asnjë nga shtetet në të cilat ranë gjatë viteve të fundit regjimet diktatoriale.

„Siria nuk është Libia, Siria nuk është Irani. Siria është një shtet i varfër. Pastaj, që nga mesjeta Siria gjithmonë ka qenë gjeopolitikisht e lidhur me Evropën. Edhe një gjë tjetër që është mjaft e rëndësishme është se pakica asnjëherë nuk mund të ketë pushtetin në një shtet, ndërsa për momentin, Siria po qeveriset nga pakica Alauite që erdhi në pushtet me një grusht ushtarak të cilin e realizoi babai i Bashar Al Asad - Hafesi“, sqaron Çukov.

Me Hafes Al Asad, si ambasador i ish Jugosllavisë në Irak, disa herë është takuar Stojan Andov. Ai e përshkruan si autokrat me marrëdhënie aleate me Iranin i cili ka dashur të ketë nën kontroll edhe situatën në Iran. Këtë praktikë, siç thotë Andov, e ka vazhduar edhe i biri.

„ Prandaj armatosej regjimi. Për një vend të asaj madhësie, Siria ka një ushtri të madhe dhe ka grumbulluar shumë armë. Përveç armëve bërthamore, ajo posedon edhe të gjitha llojet e tjera të armëve. Në njëfarë mënyre Siria paraqet një kërcënim edhe për shtetet fqinje, siç është Turqia“, thekson Andov.

Edhe krahas brutalitetit të regjimit, në Këshillin e sigurisë të Kombeve të bashkuara nuk ka një unitet për një intervenim të mundshëm luftarak nga jashtë. Sipas Andov, kjo ndodh për shkak të vetos nga Rusia edhe Kina për çka të dy shtetet kanë arsyet e veta.

„Rusia ka pasur marrëdhënie shumë të mira ushtarake me Sirinë. Ekzistojnë edhe marrëveshje afatgjata sipas të cilave flota Ruse mund të shfrytëzojë shërbimet e limanit në Taki. Kina, nga ana tjetër, ka interesat e saj. Ajo përfundimisht është kundër revolucioneve qytetare për shkak të arsyeve të saja të brendshme, thotë Andov dhe shton se regjimi është i konsumuar.

Kontrolli, ushtria dhe Turqia

Pasi pak kohë më parë shkeli devotshmërinë ndaj Asad dhe u largua në Liban, kryeministri i Sirisë Riad Farid Hixhab deklaroi se qeveria kontrollon vetëm 30 përqind të territorit. Kjo, sipas Çukov, është një alarm se pushteti është dobësuar.

„Ka shumë mundësi që në pjesën verilindore të Sirisë, atje ku dominojnë aktivistët Kurdë të fitohet një rajon autonom, ngjashëm si në Irak. Që tani mund të ndjehet se si do jenë reagimet e Ankarasë. Ajo nuk do lejojë që PPK (Partia e punëtorëve të Kurdistanit) të kontrollojë atë rajon“


Demografia

90 përqind janë arapë, vetëm 10 përqind janë Kurdë

Siria ka 22,5 milion banorë. Nga ato, 90 përqind janë arapë, 9 përqind janë Kurdë, ndërsa në Siri ndodhet edhe komuniteti i shtatë më i madh në botë i Ermenëve. Gjithsej 87 përqind e popullatës janë myslimanë  (74% Sunitë, 13% Shiitë), ndërsa 10 % janë të krishterë.


Përfaqësuesi i ri i veçantë i Kombeve të bashkuara, Ladar Brahimi, do tentojë të gjejë një zgjidhje diplomatike  të krizës, gjë në të cilën Kofi Anan nuk pati sukses.  Largimi i Asad është zgjidhja, vlerëson Andov.

„Zgjidhja mund të jetë vetëm largimi i tij, t’i garantohet jeta atij dhe familjes së tij me një sasi të ardhurash, ndërsa si kompromis partia e tij të mund të jetë një nga partitë në shtet. Nëse fiton në zgjedhje atëherë të jetë në pushtet, nëse jo të jetë opozitë. Të mos dëbohen për këtë gjë“

Por, Rusllan Trad paralajmëron:

„Rrëzimi i Presidentit nuk do të thotë fund i regjimit. Aparatura shtetërore është shumë e fuqishme. Gjithashtu edhe ushtria. Dhe nëse nuk ka vullnet në mesin e popullit sirian, kjo krizë do jetë e njëjtë si ajo në Liban 20 vite më parë“

Në kohën kur qeveria e Bashar Al Asad vazhdon të deklarojë se po lufton kundër terroristëve, fuqitë perëndimore dhe disa vende arabe i konsiderojnë si rebelë dhe u dërgojnë ndihma financiare dhe pajisje ushtarake. Në një situatë të këtillë më shumë se 2.5 milion sirianë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, thonë burime zyrtare.

Po aq persona, si dhe miliona sirianë të tjerë të zhvendosur si Rusllani, ky është viti i dytë që Fitër Bajramin e kalojnë në frikë dhe në pritje të përfundimit të tmerrit, që ende duket shumë i largët.


Statistika

Siria ka 2.800 dollarë PKB për banor

Siria moderne është krijuar në vitin 1946  pas shpalljes së pavarësisë nga Franca. Qyteti më i madh është Alepo. Kryeqzteti Damask është qyteti më i vjetër i banuar në mbarë botën i cili daton 9.000 vite para erës sonë.  PKB për banor është 2.800 dollarë amerikanë. 


Intriga politike

Edhe Bosnja në krizë për Sirinë

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të bashkuara këto ditë miratoi rezolutën për dënimin e Sirisë për bombardimin e qyteteve të rebelëve nga ana e Ushtrisë. Bosnja dhe Hercegovina votoi „PËR“, për çka reaguan ashpër serbët e Bosnjës. Analisti Ahmet Alibashiq thotë:

„Arsyeja është se zotëri Dodik (presidenti i Republika Serpska) shfrytëzon çdo mundësi për të treguar dhe për të demonstruar se Bosnja dhe Hercegovina është një shtet i pamundur, dhe pikërisht këtë po bën”.


 

 

 

 

AddThis Social Bookmark Button