Federalizimi jo më opsion shqiptar

Disa veprime dhe deklarata të ministrave të qeverisë së Maqedonisë kanë shkaktuar përplasje brenda qeveritare. Vendimet kokë me vete dhe në kundërshtim me qëndrimet e partnerit të koalicionit kanë nxjerrë në sipërfaqe debatet për federalizmin e Maqedonisë. Por cili është debati ndërshqiptarë për këtë?

Nazim Rashidi analizon

Përplasjet e fundit brenda qeverisë por dhe veprimet e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë nga forcat që janë në koalicionin qeverisës nga vëzhgues të ndryshëm cilësohen si veprime që e tregojnë Maqedoninë si një vend “me dy qeveri”, një vend me “administrata të ndara”  si dhe një vend pothuajse federal.

Javëve të fundit ka pasur përplasje të tilla ku pushteti përdoret për të treguar forcë edhe pse kjo bëhet  mes  zyrtarëve që janë pjese e të njëjtës qeveri.

Veç përplasjes mes Kryeministrit dhe Ministrit të mbrojtjes që shkaktoi edhe krizën qeveritare pas vendosjes së luleve nga  përfaqësues të ushtrisë në varrezat e ushtarëve të UÇK-së, tashmë sjellja inatçore është kanalizua edhe në nivel lokal.

Pas vendimit për krijimit e klasave të kombinuara me nxënës shqiptarë të moshave të ndryshme, duke mbyllur klasa në gjuhën shqipe në Komunën e Aerodormit, veprime të ngjashme për nxënësit maqedonas ndërmorën dy krerë shqiptarë komunash, ai i Çairit dhe Sarajit.

Sjellje inatçore e politikës

Vendimet e tilla ku partnerët e koalicionit janë vënë ballë për ballë kanë nxjerrë në sipërfaqe debatet për federalizmin.

Disa analistë thonë se Maqedonia funksionon me “dy qeveri”.

Por federalizmi si opsion për rregullimin shtetit nuk shihet si zgjidhje nga të gjithë vëzhguesit shqiptarë edhe pse në të kaluarën është artikuluar si një nga kërkesat politike e shqiptarëve.

Bashkim Bakiu i Institutit për Krijimin e Politikave dhe Qeverisjes së Mirë thotë se Maqedonia nuk duhet ta shohë rregullimin federal të sistemit politik si gogol:

“Maqedonia ka nevojë për ndryshimin e sistemit politik për shkak se sistemet gjatë këtyre 20 vjetëve nuk janë treguar adekuate, praktike për menaxhimin e konflikteve brenda shoqërisë apo elitave politike shqiptare dhe maqedonase. Mendoj se sistemi federal nënkupton ndarjen e sovranitetit në dy pjesë”, thotë Bakiu.

Por analisti Albert Hani ka qëndrime të tjera. Ai thotë se federalizmi është tejkaluar si opsion për shqiptarët e Maqedonisë për shkak të proceseve eurointegruese:

“Pas disa vitesh shqiptarët do të jetojnë në Shqipërinë e madhe, ashtu siç do të jetojnë serbët në Serbinë e madhe, maqedonasit në Maqedoninë e madhe. Mendoj se perspektiva dhe vizioni afatgjatë i shqiptarëve nuk duhet të kufizohet në territore rajonale apo federale të mundshme  të Maqedonisë . Ky vizion duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet ta përfshijë gjithë territorin e Maqedonisë, nga Tetova në Dellçevë dhe nga Kumanova në Gjevgjeli”, thotë Hani.

Federalizimi apo kontroll për territor?

Pavarësisht debateve për sistemin politik për vëzhguesit shqiptar ajo që shkakton kriza në Maqedoni është artikulimi i qëndrimit në mënyrë direkt ose indirekte se Maqedonia është një herë e maqedonasve dhe pastaj e të tjerëve:

“Me ndryshimet (kushtetuese) që u bënë me Marrëveshjen e Ohrit, Maqedonia u shndërrua në demokraci konsensuale, megjithatë kjo nuk është e mirëpritur nga ana e elitës maqedonase”, thotë Bakiu.

“Mendoj se problemi kryesor qëndron tek pronësia e një territori, e shtetit. Shqiptarët shihen si armiq të përbetuar të maqedonasve ose si komunitet i cili cënon jo vetëm integritetin dhe identitetin maqedonas por edhe pronësinë, të cilën maqedonasit nuk duan ta dorëzojnë aspak”, thotë Hani.

Por për tej debateve për federalizmin ose jo të Maqedonisë të dy bashkëbiseduesit edhe Bashkim Bakiu edhe Albert Hani për Diversity Media thonë se për qytetarët më shumë se gjithçka është e rëndësishme funksionimi i institucioneve të cilat duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre dhe jo ti shkaktojnë ato.

AddThis Social Bookmark Button