Sofja e pranon kombin maqedonas

Jo shumë kohë më parë Bullgaria hapi për publikun e gjerë arkivat e saj për periudhën nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në rënien e komunizmit. Në to, mes të tjerash, ka edhe tre dokumente në t cilat shkruhet qartë se shteti e pranon kombin maqedonas – politikë kjo që gjatë viteve ndryshoi në mënyrë drastike.  Sot, Sofja jo vetëm që e mohon këtë gjë, por edhe e konsideron si gabim. Sipas disa ekspertëve, shtetet nuk janë të kufizuara kur bëhet fjalë për ndryshimin e qëndrimit të tyre ndaj një çështjeje të caktuar.

Analizë e Dushko Arsovski

„Miratohet pjesëmarrja e komunistëve bullgarë në Kongresin e Frontit nacional çlirimtar të maqedonasve në Greqi. Por, në këtë moment Bullgaria e konsideron joaktual diskutimin në lidhje me krijimin e një shteti maqedonas të pavarur në suaza të federatës Ballkanike të popujve.“

Kjo është pjesë e një materiali të vëllimshëm të arkivave të Bullgarisë që këto ditë u bë i hapur për publikun e gjerë. Materiali daton që nga viti 1949 dhe në të flitet gjerësisht për popullin maqedonas dhe për shtetin maqedonas.


Letër

Falënderim të udhëheqësin bullgar për luftën për pavarësi të Maqedonisë

Në një letër drejtuar udhëheqësit të atëhershëm bullgar Georgi Dimitrov me një gjuhë të pastër maqedonase, maqedonasit nga Greqia i shprehin atij falënderim për mbështetjen e dhënë gjatë luftës për pavarësi.


Politika e bullgarisë për çështjen maqedonase pas më shumë se gjashtë dekadash ka ndryshuar plotësisht – me mohim. Në parim, sa larg mund të shkojnë shtetet kur bëhet fjalë për ndryshimin e politikave të tyre?

„Këtu nuk ka kufizime. Qeveritë ndryshojnë, një herë në pushtet janë të majtët, pastaj vijnë të djathtët. Ndryshimi i qeverisë automatikisht nënkupton edhe ndryshimin e politikave, në rastin konkret nëse ekzistojnë apo nuk ekzistojnë maqedonas. “, thotë eksperti dhe analisti Bekim Kadriu.

 

Ekstreme

Por, në rastin e Bullgarisë bëhet fjalë për ndryshim të udhëheqësisë të pushtetit komunist. Sipas Dimitrov, komunistët shkojnë drejt një ekstremi  tjetër – mohim të çdo gjëje që është maqedonase.

„Ata do ju thënë se atëherë kanë qenë rrethana të tjera, qeveri tjetër, dhe se të tilla kanë qenë raportet mes shteteve. Ne sot kemi këtë qëndrim dhe pikë”, thotë Kadriu.

Edhe pse Sofja ishte e para që pranoi pavarësinë e Maqedonisë, qeveritë demokratike në këtë shtet përfaqësojnë idenë se maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë rrënjë bullgare. Në lidhje me faktet në materialet e arkivit ne biseduam me Jan Pririnski, maqedonas nga Bllagoevgradi, një mbështetës i fortë i të drejtave të kësaj pakice.

„Ata mendojnë se kanë bërë gabim dhe se nuk duhet të ketë qenë kështu. Por, tani, për 100 vjetorin e çlirimit të Xhumajës së epërme, në Maqedoninë e Pirinit do bëjnë fushatë që të manifestojnë sikur atë që ka bërë Bullgaria për këto dy rajone është vepër e tyre.“

Historianët bullgarë, me sa duket, bëhen pjesë e fushatës së pushtetit të atjeshëm. Trendafil Mitev, drejtor i Institutit shkencor maqedonas në Sofje, pak kohë më parë për Diverziti Media dha këtë sqarim për problemin:

„Të kuptohemi. Askush në Bullgari nuk do që gjeneratave të tanishme t’u imponojë se si duhet të ndjehen. Por, kjo gjë duhet bërë për paraardhësit tanë të vdekur që nuk mund të mbrohen vetë, për të vërtetën e madhe e të pamohueshme që deri në fund të vitit 1944 shumica e popullatës së krishterë në Maqedoni ka folur në gjuhën bullgare. Këto dy popuj kanë rrënjë të përbashkët dhe një të kaluar të begatë të cilën, në një moment, politika e madhe i ka ndarë përgjithmonë.“

Bekim Kadriu sqaron se çfarë do të thotë pranim ose mohim i një populli sipas të të drejtës ndërkombëtare:

„Çështja nuk është se çfarë thonë ata, por është një çështje faktike. A ka njerëz të tillë që ndjehen si maqedonas, apo nuk ka?

Frikë nga rrëzimi i mitit?

Çështja shkoi deri atje sa Bullgaria si anëtare e Bashkimit Evropian problematizoi edhe më shumë kontestin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kryeministri bullgar Bojko Borisov pak kohë më parë deklaroi se për të është i papranueshëm emri “Maqedonia e veriut“, propozim ky që qarkullon si një opsion i mundshëm në bisedimet për emrin, duke aluduar se pjesa lindore e rajonit të Maqedonisë ndodhet në Bullgari.

„Nëse është kështu, atëherë Maqedonia duhet ta shfrytëzojë atë vijë të kuqe jo për ta kapur absurditetin e vendeve të Bashkimit Evropian, por të thotë se në fillim Bullgaria dhe Greqia duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për këtë problem, e pastaj Maqedonia të vazhdojë me bisedimet për këtë kontest absurd të imponuar“, thotë Gjorgji Spasov, ambasadori i parë i Maqedonisë në Bullgari.

Maqedonasit në Bullgari mendojnë se ky problem ka rrënjë te ata. Ata thonë se në Sofje ekziston frika se nëse e pranon ekzistencën e maqedonasve do rrëzohet miti për bullgarizmin. Sepse, sipas tyre, çdo i dyti bullgar ka gjene maqedonase. Për këtë arsye, apo për ndonjë arsye tjetër, gjykata bullgare tashmë më shumë se një dekadë refuzon të regjistrojë partinë e maqedonasve OMO Ilinden Pirin, duke u bërë presion mbështetësve të kësaj partie.

„Ajo situatë, ai aksion që u ndërmor (nga pushteti bullgar) u reflektua edhe në shpirtin e njerëzve tanë. Por, gjithsesi, jo edhe aq shumë. Njerëzit tanë kanë shpresë dhe shpirt për të vazhduar luftën për të ardhmen” thotë Jan Pirinski.

Nyjën në këtë pjesë të botës mbase më mirë e definon përfundimi i dalë nga një diskutim që këto ditë u mbajt në Beograd. Në të thuhet: „vendet e Ballkanit duhet të lënë mënjanë fiksimin e tyre me të kaluarën dhe të ndërtojnë bashkësi më të fuqishme, nëse duan që në rajon të ketë paqe dhe prosperitet“ .

AddThis Social Bookmark Button