Të vegjël për vendime, por të mëdhenj për zgjedhje!?

Në më shumë komuna në Maqedoni bashkësitë etnike minoritare përfaqësohen nga këshilltarët në pushtetin lokal. Por, sa dëgjohet zëri i tyre? Disa nga ato me të cilët ne kontaktuam, kanë përvoja të ndryshme. Një pjesë e tyre thonë se duhet t’i nënshtrohem vullnetit të shumicës. Por, ka edhe raste që ndodh edhe e kundërta. Ekspertët vlerësojnë se dobësia qëndron në faktin se nuk respektohet e drejta për veto që e kanë pakicat. Si shembull ata theksojnë riemërimin e shkollave në komunën e Çairit në Shkup.

Analizë e Dushko Arsovski

Në këshillin e komunës së Velesit pak kohë më parë këshilltarët patën mendime të ndara rreth çështjes së motelit në Çashka, motel të cilin qyteti ia ka dhuruar komunës fqinje. Në diskutim dominonte shumica – këshilltarët me përkatësi etnike maqedonase nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe opozita e udhëhequr nga LSDM-ja. Në këtë organ, nga gjithsej 22 këshilltarë, përfaqësues të pakicave janë vetëm 2 prej tyre.

Bejhan Memedov është turk, anëtar i koalicionit qeverisës në komunën e Velesit. E pyetëm si ja arrin të imponojë idetë dhe projektet e tij.

„Kjo gjë varet shumë nga shumica, a do pranojnë apo nuk do pranojnë ata. Gjithmonë, kur je vetëm, gjërat realizohen shumë vështirë. Gjithmonë duhet të mbash anën e shumicës dhe mendoj se kështu funksionojnë edhe këshillat e tjerë. Kjo gjë nuk është në rregull.“

Por, përvoja e Kujtim Usejnit, me përkatësi etnike – shqiptar, këshilltar në komunën e Ohrit, është krejt ndryshe.

„Që në çastin kur jam bërë këshilltar, unë kam qëndrimet e mija personale. Kam program në lidhje me atë që duhet bërë për infrastrukturën në Voskë, ose për infrastrukturën dhe sistemin e kanalizimit në Vellgosht, për këtë “ngul këmbë” dhe deri tani më është realizuar çdo plan.“

Usejni është përfaqësues i Partisë për ardhmëri evropiane (PAE) e cila në Ohër është në koalicion me LSDM-në. Për shkak të shumicës së përafërt që e kanë në Këshillin e komunës së Ohrit, ai thotë se shpesh ndodh që vota e tij të jetë vendimtare. Ai, siç thotë, veten e konsideron si një këshilltar multietnik.

„Jo, për mua nuk është kurrfarë pengese. Unë gjatë ditës takoj me qindra njerëz të të gjitha përkatësive etnike. Mua kjo gjë më pëlqen dhe do vazhdoj ta bëj edhe në të ardhmen. Unë nuk vuaj nga komplekse për çështje etnike.“

Urdhra nga partia, e jo interes i popullit

Nëse një përfaqësues i një bashkësie që është pakicë në zgjedhjet lokale vendos të kandidohet si kandidat i pavarur rreziku nga dështimi me sa duket është shumë më i madh. Omer Demirov në Shtip njihet si një “luftëtar” i zëshëm për përmirësimin e kushteve për jetesë të romëve. Pas mandatit të parë të suksesshëm si këshilltar, ai në tentativën e dytë nuk ka pasur sukses sepse nuk u është bashkëngjitur koalicioneve të mëdha.

„Nëse do kisha qenë këshilltar i ndonjë partie, do më duhej të dëgjoja urdhrat e partisë, dhe jo interesat e popullit. Kam mjaft amendamente dhe projekte. Ne kemi bërë shumë për gjithë qytetin, e jo vetëm për vendet ku jetojnë romët. “ 

Ai është mjaft kritik për mënyrën në të cilën tani këshilltarët romë e bëjnë punën e tyre.

„Del se ne si një bashkësi e vogël që jemi në vendin tonë, në qytetin tonë gjithnjë duhet të lusim, të përgjërohemi. Kjo nuk bën dhe sistemi nuk funksionon. Sot, këshilltarët romë kështu veprojnë – lusin e përgjërohen“

Demirov mendon të kandidohet edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ai thotë se që tani ka filluar të pranojë ftesa nga partitë.

„Unë vërtetë mund të bëhem pjesë e një partie, por dua që lirshëm të mund të shpreh nevojat e qytetarëve në atë pjesë të Shpitit, por edhe në të gjithë Maqedoninë. E kam fjalën për romët.“

Rrezik nga konflikte në rrugë

Profesorja universitare Mirjana Maleska ishte pjesë e ekipit të ekspertëve të cilët bënë studimin e funksionimit të procesit të vendimmarrjes në mjediset multietnike. Një nga konkludimet kryesore ishte se nuk funksionon e drejta për veto, e cila, sipas ligjit, u përket përfaqësuesve të bashkësive minoritare. Për një praktikë të këtillë një rol të madh ka edhe mënyra se si sillet partia e shumicës në pushtet në nivel qendror.

„Nëse ata nuk respektojnë disa rregulla që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave, nevojat e tyre, atëherë pakicat në komunat ku janë shumicë, si për shembull në Tetovë, në Gostivar, në Dibër hakmerren po më atë mosrespektim. Me fjalë të tjera, një sjellje e tillë luhat dukshëm shtetin ligjor.“ komenton Maleska.

Ajo sqaron se rregulli i Badinterit paraqet një mekanizëm mbrojtës për mos të prekur çështje ndëretnike të ndjeshme. Si shembull të fundit ajo thekson riemërtimin e shkollave në Çair.

Maleska thotë se modele të tilla kanë edhe disa shtete të tjera evropiane, si për shembull Irlanda.

„Ato kanë të njëjtat probleme që i kemi edhe ne. Të vetmin dallim që shoh unë është se tek ne ekziston rreziku që konflikti të përcillet në rrugë dhe të kalojë në një gjendje si ajo që e pamë në vitin 2001.“

Qendra për bashkëpunim ndërkombëtar e Maqedonisë (QPNM) tre vite më parë realizoi një monitorim për këtë çështje. Një nga përfundimet e raportit thoshte se pakicat janë shumë pak të përfaqësuara në Këshillat e komunave në Maqedoni dhe nuk kanë ndikim në procesin a marrjes së vendimeve që janë të një rëndësie qenësore për të gjithë qytetarët e komunës. Në Maqeodni ka 84 këshilla të komunave nga të cilët 10 janë në qytetin e Shkupit. Në një të tretën e tyre ka nga 1 deri në 5 përfaqësues të pakicave.

AddThis Social Bookmark Button