Përmendore e Prishtinës në Shkup

Javën që vjen në Shkup do të vendoset përmendorja e Hasan Prishtinës. Një patriot shqiptar nga Kosova, i cili një pjesë të jetës dhe veprimtarisë ka kaluar në Shkup. Por ajo që pak dihet në opinion është lidhjet dhe sugjerimet për alenaca me popuj të Ballkanit, duke përfshirë edhe maqedonasit në luftën kundër perandorisë osmane për çlirimin e tyre.

Nazim Rashidi analizon 

Shkupit do ti vendoset edhe një përmendore. Ndër dhjetëra të tilla, do të ketë edhe një përballë qendrës tregtare "Mavrova" në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë. Në fund të javës me ceremoni zyrtar dhe akademi solemne tre ditëshe do vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës.

Figura e tij konsiderohet si tejet e rëndësishme në historinë shqiptare. Ka qenë deputet në parlamentin osman katër herë me radhë dhe ka përfaqësuar vilajetin e Shkupit. Ka financuar ndërtimin e shkollave sepse ka konsideruar se arsimi është e ardhmja e këtyre trojeve. Ka qenë një ideolog, diplomat por mbi të gjitha është i njohur për një dokument me 14 pika, një platformë për të drejtat e shqiptarëve që i është dorëzuar autoriteteve të perandorisë osmane.

Ka punuar shumë për pavarësinë e shqiptarëve por ajo që dihet pak është se ka sygjeruar bashkëpunime ballkanike, dhe përtej ballkanike për të arritur aspiratën e popujve çlirimin nga perandoria osmane.

Vizion

Historiani dhe profesori Vllado Popovski në një prononcim të mëhershëm për Diversty Media shpjegon këto detaje të Hasan Prishtinës. “Sidomos në vitin 1912 Hasan Prishtina, drejtues i  kryengritjes shqiptare kishte lidhje direkte dhe marrëveshje për veprim të përbashkët me drejtuesit e VMRO-së si Todor Aleksandrov, Çaulev, Çepriganov.

“Në vitin 1911 i gjithë komitetit qendror i VMRO-së shkuan në Cetinje në takime për të biseduar me shqiptarët për të parë se çfarë ndodh dhe cila është platforma e bashkëpunimit. Por në vitin 1912 VMRO përcaktohet me idetë e politikës të jashtme bullgare duke menduar se ajo ishte përgjigje e çështjes maqedonase. Nuk iu bashkua propozimit të Hasan Prishtinës të cilin e dha në vitin 1912 që maqedonasit dhe shqiptarët të ngrihen në kryengritje për të krijuar një shtet të përbashkët ose dy shtete vëllazërore”, shpjegon Profesori Popovski.

Për vizionet për popullin shqiptar por edhe të popujve të tjerë ballkanik flet edhe Skëndër Hasani, historian bashkautor i një libri të ri për Hasan Prishtinën:

“Ai e shihte këtë koncept se vetëm përmes bashkëpunimit me popuj tjerë të robëruar mund të çlirohet dhe mund të krijohet shteti shqiptar në ballkan. Jo rastësisht u ofron bashkëpunim edhe maqedonase edhe kroatëve edhe të tjerëve, sepse pa një bashkëpunim ishte i pamundur krijimi i shtetit shqiptar”, sqaron Hasani.

Profesori Blerim Reka, pranë Universitetit të Evropës jugindore, thotë Hasan Prishtina është një nga figurat kryesore të mendimit politik, vizionet e të cilit janë aktuale edhe sot:

“Hasan Prishtina krijoi një koncept për integrime rajonale dhe për lidhje federale të gjithë Ballkanit, i cili nuk u realizua atëherë. Po të zhvilloheshin ngjarjet sipas koncepteve të Hasan Prishtinës, konstalacionet në Ballkan nuk do të ishin ashtu si janë sot”, thotë Reka.

Ide me vlerë edhe pas 100 vjetësh

Dhe pikërisht një rëndësi në kontekst ndërkombëtar Hasan Prishtinës i jep Profesorja e të drejtës ndërkombëtare pranë Universitetit të Ljubljanës Vasilka Sancin, njohëse e veprës së Hasan Prishtinës. Ajo thotë se ai është një frymëzim në kohën kur rajoni ka mungesë të liderëve vizionar:

“Idetë e tij, programet e tij kanë efekt të gjerë edhe pas 100 vjetësh, dhe jo vetëm lokalist ose rajonalisht, por gjithashtu globalisht”, thotë profesorja Sancin.

Hasan Prishtina jetonte në Shkup, rreth 100 vjet më parë. Kishte biznesin e tij por nga Shkupi udhëhiqte edhe veprimtarinë e tij politike. Ai është një nga ato figurat që na mëson për bashkëpunimet që kanë ekzistuar në Ballkan, dhe përmes të cilëve mund të ndërtohen vlera të përbashkëta sot. Hasan Prishtina është një figurë gjigande e historisë shqiptare, një nga arkitektët e pavarësisë së shtetit shqiptar por njëkohësisht është një prej atyre figurave që mund të ngrejë ura bashkimi, sepse veprimtaria e tij ka qenë e nxitur nga vlerat dhe prirjet pro evropiane.

AddThis Social Bookmark Button