Diplomaci në recesion

Rrejti i vogël diplomatik i Maqedonisë në botë kohën e fundit funksionon pothuajse me staf të përgjysmuar. Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se diplomacia po punon me buxhet të shkurtuar, por kjo nuk është pengesë për kryerjen e detyrave pa vështirësi. Ambasadorët e mëparshëm komentojnë se kjo gjë paraqet një gabim të madh dhe se, sipas tyre, duhet bërë e kundërta  - të shtohet numri i punonjësve për shkak se Maqedonia ka një problem të madh me Greqinë.

Analizë e Dushko Arsovski  

Në një të pestën nga 56 përfaqësitë diplomatike-konzulare të Maqedonisë jashtë vendit nuk ka numër të mjaftueshëm të profesionistëve, ndërsa disa prej tyre janë pa ambasadorë.

Në Pragë ka vetëm këshilltar, në Londër këshilltar dhe punonjës administrativ. Në Bukuresht ndodhet vetëm sekretari i parë dhe për momentin nuk ka përgatitje për të dërguar edhe ambasador. Në Kanbera situata nuk është e qartë pas tërheqjes vullnetare të ish ambasadorit Pero Stojanovski. Sipas informatave, ambasada e Maqedonisë në Estoni mbetet e mbyllur në pritje të ambasadorit të ri.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme vërtetojnë gjendjen e këtillë dhe thonë se për shkak të krizës ekonomike edhe diplomacia punon me buxhet të shkurtuar. Zëdhënësi Borçe Stamov për Diversity Media thotë:

„Kemi vendosur të mos mbyllim përfaqësi diplomatike-konzulare, por me zvogëlimin e numrit të diplomatëve në to dhe me angazhimin maksimal të tyre të përballemi me këto sfida.“

Politikë e jashtme e arnuar

Ish ambasadori Risto Nikovski, i cili konsiderohet si i afërt me pushtetin aktual, nuk pajtohet me këtë praktikë.

Po plas e ulëri, çfarë do thoni, nuk kam para? Nuk do rrini në shtëpi, por do shkoni të operoheni. Nëse ka nevojë do huazoni para. Nuk ka asnjë arsyetim. Përkundrazi. Në kushte të këtilla diplomacia duhet të përforcohet, jashtë duhet të dërgohen personat më të aftë që të mund të promovojnë interesat tona“.

Përfaqësuesi i opozitës diplomati me përvojë, Nano Ruzhin, sqaron se Maqedonia po pëson humbje në kontaktet bilaterale, por edhe te organizatat ndërkombëtare.

„Ekzistojnë me qindra komitete te të cilat duhet të ndiqet aktiviteti i Aliancës, i BE-së apo i OKB-së dhe çdo shkurtim i aparaturës diplomatike nënkupton mungesën e Maqedonisë nga këto organe tejet të rëndësishme“.

Për zëdhënësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme Stamov kjo gjë nuk paraqet pengesë dhe thotë se rezultatet e diplomacisë janë të qarta.

„I tillë është rasti edhe me integrimet euroatlantike me raportin e Komisionit Evropian edhe me diplomacinë ekonomike, gjegjësisht interesin për investime dhe marrëveshjet për eksport që janë realizuar në këtë periudhë. Por, gjithashtu edhe me praninë globale dhe krijimin e miqësive të reja“.

Rastet si Londra, Madridi, apo Praga ku Maqedonia nuk ka ambasadorin e saj për ambasadorin Nikovski janë vetëm një arnim.

„Ambasadori mund të arrijë deri te Kryeministri i një shteti. Kuptohet, jo në secilin vend. Ushtruesi i detyrës mund të arrijë deri te personi i tetë – domethënë, shtatë pozita më poshtë. Kjo është një teknologji e cila funksionon. Nëse nuk punon makina kryesore, mund të punojnë të gjitha makinat e tjera, por qendra nuk mund t’ia dalë mbanë“

Një diplomat, punon për dy

Ruzhin shton se mbyllja e përfaqësive, siç ka ndodhur në rastin me përfaqësinë e Maqedonisë në Estoni, është precedent.

„Kjo ose do të thotë se shteti ndodhet para kapitullimit, ose që nuk është i interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, ose po përballet me një problem diplomatik serioz. Ambasadat zakonisht mbyllen në rast kur mes shteteve ka raporte të tendosura– luftë, situata politike.  “

Për atë nuk ka arsyetim për këto kursime.

„Kjo është e papranueshme, nga njëra anë të shpiken vështirësi të caktuara ekonomike, ndërsa nga ana tjetër të ndërtohet një ndërtesë kaq e kushtueshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që funksiononte mirë edhe në ambientet e mëparshme“.

Kriza ekonomike evropiane detyroi disa shtete të ndërmarrin hapa drastike. Sllovenia mbylli katër ambasada dhe dy konzulata si një nga masat me të cilat planifikon të kursejë 1.8 milion euro në vit. Qeveria Çeke lajmëroi se do mbyllë dhjetëra ambasada në Afrikë dhe në Amerikën Latine dhe se do pushojë nga puna 100 punonjës në ministrinë përkatëse.

Sipas ish ambasadorit Nikovski dallimi qëndron në atë se Maqedonia ka një problem të madh me Greqinë dhe për këtë arsye prania diplomatike duhet të përforcohet. Ministri i punëve të jashtme Nikolla Popovski në intervistën e tij të fundit tha se mesatarisht, ndikimi është sa edhe paratë. Sipas këtij kriteri, thotë ai, diplomacia jonë sot “grushton në një kategori shumë më të lartë se pesha e saj". Kjo do të nënkuptonte kursim të mëtejshëm dhe se çdo diplomat duhet të punojë sa për dy.

AddThis Social Bookmark Button