Përtej ekudistancës

Brenda 10 ditësh në Maqedoni do të qëndrojnë për vizitë Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës Sali Berisja dhe Hashim Thaçi, kurse një libër do të promovojë edhe ish Kryeministri i Shqipërisë Aleksandër Meksi. Më herët Maqedoninë e vizituan edhe zyrtarë të tjerë të lartë të shteteve fqinje.
Por sa po ndryshon politika e jashtme e  Maqedonisë në raport me fqinjët dhe sa duhet shfrytëzuar situatat e reja në favor të zhvillimit?

Nazim Rashidi analizon

Spoti publicitar për ngjarjen e 25 nëntorit në Shkup paralajmëron spektakël, si muzikor ashtu edhe politik.

100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori, ka krijuar një dinamikë kulturore, sociale dhe politike tek gjithë shqiptarët në rajon. 100 vjet më parë shqiptarët nga i gjithë rajoni ishin të përfshirë në një sëre lëvizje në përpjekjet për tu çliruar nga perandoria osmane. Atëherë kufijtë e sotëm ishin inegzistent dhe sundonte fuqishëm periudha që quhet “rilindja kombëtare shqiptare”.
Pikërisht për këtë arsye shqiptarët në gjithë rajonin kremtojnë pavarsisnë e Shqipërisë sepse ajo përfaqësonte moment që nxiti ide, kulturë, vlera të cilat vlejnë dhe sot.

Në kuadër të këtij momenti historik i cili nuk interpretohet si hegjemonist nga shqiptarët, figura të rëndësishme shqiptare po vizitojnë Maqedoninë.

Më datë 25 nëntor dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi do të marrin pjesë në një organizim festiv, por para tyre, të martën ish kryeministri i Shqipërisë Aleksandër Meksi, një historian do të promovojë albumin historik me fotografi  “100 pavarësi kombëtare”.

Hapje dhe përcaktime

Por këto vizita sa në fakt po ndikojnë në krijimin e qëndrimeve të reja në politikën e jashtme të Maqedonisë?

Aleksandër Meksi asnjëherë nuk e vizitoi Maqedoninë në cilësinë e Kryeministrit për shkak të problemeve të fillim viteve 90.

“Unë kërkoja që shqiptarëve që banojnë në Republikën e Maqedonisë të plotësohen të drejtat e tyre njerëzore, siç ishin shkollimi, të drejtat për punësim etj. të cilat siç e dimë të gjithë deri në vitin 2000 kanë qenë të mangëta dhe sot flitet për to. Kjo ka qenë arsyeja që nuk kam mundur ta vizitoj Maqedoninë. Tani kam kënaqësinë ta vizitoj aq më tepër për një sebep të tillë, siç është promovimi i librit”, thotë Meksi.

Por tashmë të martën do të jetë në Shkup, për të promovuar librin e tij dhe të bashkautorit Xhevair Lleshi. A mund të konsiderohet kjo një lloj hegjemonie ndaj të tjerëve:

“As më ka shkuar ndër mend. Sot në një periudhë të globalizmit dhe rrugës drejt Evropës së bashkuar për një pjesë të popujve të Ballkanit që s’janë anëtarësuar në të, të mendonim të kishim qëllime të tilla. Është thjeshtë paraqitje e ilustruar e historisë së shqiptarëve”, thotë z. Meksi.

Adelina Marku, e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë thotë se ka ardhur koha e një çlirimi nga e kaluara, kur në rajon duhet tu jepet shans forcave progresive:

“Progresizmi duhet vënë tani në provë duhet mbështetur. Nuk duhet diskomunikuar ndikimi i politikës evropiane dhe asaj amerikane në Ballkan. Mendoj që një network i tillë duhet mbajtur dhe shtrënguar më shumë që këta forca ti adresohen një demokracie sa më të hapur dhe shtresuar në Ballkan”, thotë Marku.

Stereotip

Shqiptarët në rajon por krijojnë një dinamikë të ndryshme nga e kaluara. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kosova shtet i pavarur dhe shqiptarët në Maqedoni me më shumë ndikim në shtet se më parë.
Aleksandar Çomovski, gazetar që ka ndjekur zhvillimet dhe politikën e jashtme të Maqedonisë prej vitesh thotë se Maqedonia, duhet të heqë dorë nga frikat për mbijetesën e saj si rrezik nga fqinjët. Sipas tij fqinjët e Maqedonisë janë aty ku Maqedonia dëshiron të jetë, NATO dhe BE, një familje e madhe ku frikat janë iracionale sipas tij.

“Politika e jashtme e Maqedonisë nuk po del nga stereotipi që e vendosi ish Presidenti Kiro Gligorova, politika e ekuidistancës. Për politikën me fqinjët, diplomacia e Maqedonis duhet të ndërtojë një qëndrim të ri afrimi dhe kohabitimi”, thotë Çomovski.

Vizitat e zyrtarëve të lartë shqiptarë nga vendet fqinje në ditët në vijim si dh libri që promovohet të martën, janë pjesë e shumë aktiviteteve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Libri ndërkohë është në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe konsiderohet si një histori e ilustruar e shqiptarëve në këto 100 vite, me personazh nga i gjithë rajoni. Albumi me fotografi të rralla, disa të publikuara për herë të parë por edhe vetë vizitat janë mundësi më shumë për tu parë historia siç e tregojnë shqiptarët, por edhe moment kur mund të krijohen mundësi për zhvillime të reja progresive në rajon.

AddThis Social Bookmark Button