Puno punë private, ëndërro punë shtetërore

Të rinjtë në Gostivar janë më shumë të interesuar për punë shtetërore. Por, administrata nuk  mund t’i pranojë të gjithë. A do e pranonin vallë të rinjtë zejtarinë si zgjidhje për punësim?

Analizë e Martina Stojanova nga Radio Kometa nga Gostivari

„Po. Kam menduar për këtë dhe nëse kam mbështetje nga qeveria, do e kisha provuar“, thotë një vajzë e re të cilën e takuam në qendër të qytetit.

Pyetëm edhe një kalimtar tjetër, të ri, nëse do ishte bërë zejtar sot?

„Po, do isha bërë“.

Radio Kometa: Me se merresh për momentin?

„Me riparimin  e makinave për qepje“, thotë i riu nga Gostivari.

Radio Kometa: Pra, edhe ky është një lloj zanati?

„Po, po“

Radio Kometa: A je i kënaqur nga puna, nga zanati?

„Po, është mirëˮ.

Radio Kometa: Ke apo nuk ke punë? Kur ke pasur më shumë punë, më parë apo tani?

„Më parë kishte më shumë punë. Tani ka më pak, por nuk është keq“, përgjigjet zejtari i ri.

Kryetari i odës rajonale të zejtarëve, Nazif Mustafa thotë se në Gostivar dhe në rajon ka rreth 1.500 ndërmarrje që kryejnë veprimtari zejtare. Sipas tij, kohëve të fundit ky numër madje po rritet, sepse shteti, përmes Agjencisë për punësim,  ofron lehtësime të ndryshme. Personat e evidentuar si të papunë mund të marrin kredi dhe të hapin ndërmarrje të tyre, e kështu të vetëpunësohen.

„Momentalisht po kalojmë një krizë ekonomike, që nuk është aq e madhe, por kemi frikë se mos bëhet edhe më e madhe. Kemi nevojë për bashkëpunim mes Ministrisë së ekonomisë, Odës ekonomike të Republikës së Maqedonisë, komunave dhe ne, odat rajonale të zejtarëve në aktivitete për zhvillimin e ekonomisë në rajon”,thotë Mustafa.

Diçka e rrallë

Megjithatë, edhe krahas mbështetjes nga shteti, të rrallë janë rastet kur të rinjtë trashëgojnë zejet e familjes.

Arse Cvetanovski është një petabërës i fashëm në Gostivar. Për momentin ai ka mbështetje edhe nga i biri.

„Biri më ndihmon, punon me mua, por nuk mendoj se do e trashëgojë këtë punë, sepse është një punë e rëndë fizike. Të rinjtë duan punë më të lehta. Deri më tani, ia kemi dalë mbanë, është mëkat të ankohemi, kemi qenë mirë, por kohëve të fundit edhe shteti po përballet me vështirësi, ekonomia është e dobët. Por, sa për bukën e gojës mund të fitohet“.

Biri i Arses e ka mësuar, e punon dhe tani për tani ka në plan ta trashëgojë punën e babait të tij.

„Me këtë punë është marrë gjyshi dhe stërgjyshi im. Kam 15-16 vite që punoj. Kam filluar që në moshën 14-15 vjeçare. Di ta bëj mirë punën. Ka periudha kur kemi shumë punë, kur janë festat tona – Pashkët. Gjithashtu edhe gjatë festave të myslimanëve kemi më shumë punë. Mund të punosh edhe vetë, pak më shumë mund, më shumë punë“.

Zejtaria në Gostivar ende paraqet një segment të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Përveç rëndësisë ekonomike, kjo është një pjesë e rëndësishme edhe në krijimin marrëdhënieve ndërnjerëzore.

AddThis Social Bookmark Button