Shumë medie pak liri

10.24.2011 MEDIA SITUATION PKG by DiversityMedia

Liria e Medies, por dhe vetë koncepti i lirisë së shprehjes po shënon cënim jo vetem në Maqedoni por edhe thuajse në të gjitha vendet e evropës juglindore. Këtë gjë e thonë disa raporte ndërkombëtare, ndër të cilët i fundit ishte Raporti i progresit i Komisionit Evropian. Por pse ndodh një gjë e tillë?

Nëse merr telekomandën në dorë dhe fillon të kërkosh kanale, vëmë re një numër të madh kanalesh televizive në të gjitha gjuhët e rajonit. Disa prej tyre shfaqin një pamje lluksoze, show madhështore, spektakle të ngjashme me televizionet perëndimore. Por kur lexon raportet për lirinë e medias për vendet e rajonit ata japin një pamje të zymtë dhe krejt të ndryshme për mediat në rajon.

Raporti i i fundit i progresiit për thuajse të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor ishte kritik sa i përket lirisë së medias. Por pse ndodh kjo?

Dunja Mijatoviç përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medias thotë që një nga arsyet është se vendet ende kalojnë tranzicionin si nga sistemi i kaluar ashtu edhe nga konfliktet dhe kjo shkakton pasiguri tek politika:

“Ka frikë nga politikanët dhe nga opsionet politike që të dëgjojnë disa gjëra qartë. Por pavarësisht sa është e vështirë dhe e dhimbshme s’ka mënyrë tjetër veç se të flitet dhe të ngrihet zëri nëse mendojmë se nuk jetojmë në shoqëri të lira”, thotë znj. Mijatoviç.

Por kur vjen puna te reagimi, ai sidomos nga njerëzit nuk është i madh edhe pse sygjerohet se shkelet një nga të drejtat themelore të njeriut, ajo e shprehjes së lirë pa frikë për ndëshkim.

Por, Diana Kalaja, studiuese dhe pedagoge e medias thotë se shoqëritë në rajon kanë hyrë vetëm në fazën fillestare të koncepteve të lirisë së medias, ecja përpara do të varet nga zhvillimi i të gjitha segementeve të tjera shoqërore:

“Zhvillimi i medias dhe zhvillimi i lirisë së medias do të vijë paralelisht me zhvillimin e shoqërisë. Nëse ne edhe në drejtime të tjera të jetës sociale nuk kemi një avancim aq të shpejtë, kjo reflektohet edhe tek liria e medias”, thotë Diana Kalaja.

Denis Latin – Ne jemi “fise primitive”

Snezhana Tërpevska, profesore në Shkollën e Lartë për Gazetari në Shkup ndërkohë thotë se sipas disa analizave publiku reagon ndaj situatës së mediave, por sipas saj sërish mediat janë ato që vetë nuk mundësojnë dëgjimin e zërave të njerëzve.

“Vetë mediat që janë në qendër të gjithçkaje në demokraci duhet të mundësojnë hapësira për njerëzit që të debatojnë dhe të marrin pjesë në diskutime. Ky funksion mungon, atë nuk e zbatojnë mediat”, thotë Profesorja Tërpevska.

Denis Latin, është gazetar i njohur kroat, programi i të cilit “Latinica”, që njihej për hapjen e temave delikate u hoq nga programi i televizionit publik kroat. Ai thotë se  përgjegjësia për gjendjen e mediave megjithatë është tek pushtetarët.

Sipas tij ata qëllimisht nxisin tensione që të përfitojnë dhe në të shumtën e rasteve në mënyrë të paligshme. Ai sygjeron që beteja e gazetarëve duhet të bëhet duke u kthyer prapa dhe duke shpjeguar nga fillimi rëndësinë e lirisë së shprehjes:

“Ne skemi punuar sa duhet me publikun. Vazhdimisht duhet të shpjegojmë se ç’është liria e medias, ç’është demokracia. Duhet të tregojmë më shumë përvoja të huaja. Kjo asnjëherë nuk mjafton. Sepse në fund të fundit, ne kemi qenë fise primitive”, thotë Denis Latin.

Liria e shprehjes dhe si rrjedhojë edhe medias do të mbrohet, thonë bashkëbiseduesit, kur kjo vlerë e demokracisë të konsiderohet si thelbi i shoqërive moderne.

Presionet dhe shkaktimi i frikës, siç sygjerojnë raportet e ndryshme për lirinë e medias, për mos të shprehur mendimin lirshëm tregon se pushtetarët në rajon nuk po kuptojnë ende edhe pas 20 vjetësh rregullat e demokracisë.

Në kartën univerzale të të drejtave të njeriut liria e shprehjes është një nga të drejtat themelore të njeriut. Kjo e drejtë është e betonuar thellë në demokracitë liberale dhe cënimi i saj cënon vetë sistemin në të cilin jetojmë.

AddThis Social Bookmark Button