Rulet maqedonas me “Çao Bela”

Rulet maqedonas me “Çao Bela” by Diversity Media on Mixcloud

Shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale është një nga zgjidhjet për krizën politike. Kështu vlerësojnë
analistët. Nga ana tjetër, thonë ata, do të përforcohen presionet e faktorit ndërkombëtar për
gjetjen e një kompromisi mes qeverisë dhe opozitës. Në kushte të tilla nuk mund e të mos
parashtrojmë pyetjen se cilat janë potencialet e opozitës për kthesën e dëshiruar politike në dobi
të saj?
 
Analizë e Vesna Kollovska
 
Opozita bëri thirrje për rezistencë. Pas shembullit të Serbisë ose pas “Pranverës Arabe”
rezistenca maqedonase për momentin përkrahet nga anëtarët e bllokut opozitar, por jo edhe në
mënyrë masive nga vetë qytetarët.
 
Analisti Mersel Bilalli mendon se për momentin masiviteti është një “mision i pamundur”.
 
„Njerëzit nuk duan të rrëzojnë një pushtet të keq që të fitojnë një pushtet tjetër të keq. Mendoj
se reformat janë të domosdoshme, fillimisht në mesin e opozitës. Ajo që mund të bëhet si meritë
e njerëzve që udhëheqin opozitën është që para së gjithash të gjenden zgjidhje kadrovike që pas
një periudhe të caktuar e pas një pune të mundimshme të rrëzohet pushteti dhe të arrihet një
pushtet ndryshe nga ai i pari“.
 
Protestat u pranuan pjesërisht në shoqërinë tashmë të ndarë në Maqedoni. Në rrugë në mesin
e opozitarëve nuk janë shqiptarët. Për një pjesë të madhe kjo nuk është një befasi, në një
situatë kur partitë politike janë një nga nxitësit e pakët të aktivizmit qytetar, e këto protesta nuk
mbështeten nga blloku shqiptar.
 
 
 
Megjithatë, sipas sociologut Hasan Jashari, ekziston një problem tjetër:
 
„Këtu tashmë një kohë të gjatë ekziston një botë paralele. Një botë e maqedonasve, një botë
e shqiptarëve. Dhe këto elemente të bashkimit dhe aktivizmit të përbashkët janë minimale.
Në kushte kur një parti propagandohet se qëndron në krye të rezistencës, kjo gjë i limiton
pjesëmarrësit “.
 
Faktori ndërkombëtar në bangë rezervë
 
Pas „të hënës të zezë për demokracinë“, siç e quajti opozita 24 dhjetorin, mungoi dënimi
dramatik i pritur nga bashkësia ndërkombëtare. Pjesërisht për shkak të periudhës kur ndodhi, kur
bota katolike festonte Krishtlindjet, e për këtë arsye reagimi arriti disa ditë më vonë.
 
Sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin, për SHBA dhe për BE më shumë
rëndësi ka të ruhet stabiliteti në vend dhe të funksionojnë institucionet. Por, mbi të gjitha, të
ruhet dialogu dhe paqja ndëretnike.
 
„Të mbështetet qeveria, e cila, sipas tyre, është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe pavarësisht
nga ai incident ata nuk duan të ndërhynë në punët e brendshme të shtetit, i cili në të njëjtën kohë
është vend kandidat për anëtarësim në NATO dhe një vend i cili çdo çast pret datën për fillimin
e bisedimeve me BE. Sipas të dhënave të fundit, kjo qeveri, paralelisht, ka ambicie serioze të
zgjidhë një nga çështjet historike, që është kontesti me fqinjin jugor.”
 
Ruzhin thotë se pas ngjarjeve të fundit ka një sinergji mes SHBA dhe BE. Ai nuk pajtohet me
analizat se në mesin e krizës politike, VMRO-DPMNE në pushtet mund të presë mirëkuptim nga
një nga vendet faktor në rajon – Gjermania.
 
„Nuk është e vërtetë për Gjermaninë, sepse kam informacion se cilat kanë qenë pozitat e
ambasadorit të Gjermanisë dhe të Francës, të cilët kanë qenë më kritik për atë që bëri pushteti në
24 dhjetor. Çfarë nëse partia simotër e VMRO-DPMNE është në pushtet në Gjermani, kur ajo
nuk arriti të ndihmojë as në Bukuresht. Sipas kësaj, këto rregulla nuk vlejnë, sidomos për atë
që ndodh në Ballkan. Para së gjithash, këtu bëhet fjalë për një investim më të madh politik në
çështjen – Maqedonia si shtet që është në rrugë drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Dhe, e dyta,
shtet i cili ndodhet në një mister serioz tranzicioni, sepse nuk është në gjendje t’i dalë në krye
këtij problemi“.
 
Në ndërkohë edhe partia në pushtet edhe opozita po i përforcojnë pozitat e tyre. Opozita i
përcolli protestat nëpër qytetet e Maqedonisë. VMRO-DPMNE nga komitetet lokale ka kërkuar
një vigjilencë më të madhe për veprimet e opozitës dhe një prani më të madhe të anëtarësisë. Të
dy palët presin një mbështetje të fortë nga qytetarët.
 
Opozitë e dobët, pushtet i fuqishëm
 
Por, ç’është ajo që i mban anëtarët shqiptar të koalicionit –BDI-së?
 
„Ajo i mban me komunizëm. Ato më parë kanë qenë marksistë, leninistë dhe e kanë të njohur
këtë veprim te popullata. Pra, të afrohen me popullatën, t’i çojnë aktivistët nëpër dreka, t’i
mbrojnë nga organet e pushtetit për kontrabandë, ti korruptojnë, të blejnë vota, e shumë gjëra të
tjera. Dhe kjo është një mbulesë për padijeni dhe për mospunim”, thotë Hasan Jashari.
 
Në rrethana të këtilla parashtrohet pyetja nëse opozita do mund të nxisë qytetarët të dalin dhe të
tregojnë një “rezistencë të vërtetë qytetare”? Ose të fitojë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare?
 
„Përderisa opozitën e udhëheq Branko Cërvenkovski, Nikolla Gruevski do vazhdojë të jetë
në pushtet. E njëjta gjë vlen edhe për bllokun shqiptar. Përderisa në krye të opozitës qëndron
Menduh Thaçi, Ali Ahmeti do vazhdojë të qeverisë”, thotë Bilalli, i cili mendon se opozita po
harxhon kot energjinë, ndërsa LSDM është më e dobët se para ngjarjeve të 24 dhjetorit.
Sipas Nano Ruzhin, opozita nuk do e zgjidhë krizën vetëm.
 
Do ketë lëvizje, sepse nuk mund të qëndrojmë në këtë fazë “limbo”. Por, kur të ndodhë kjo, a
do të ndodhë javën që vjen ose në një të ardhme të pa caktuar, askush nuk e di, sepse ekzistojnë
më shumë mundësi për këtë. ) Që nga shtyrja e zgjedhjeve, e deri në pranimin e zgjidhjeve dhe
elementeve të tjerë. Çdo gjë do jetë pasqyrë e marrëveshjeve të caktuara mes opozitës, pushtetit
dhe bashkësisë ndërkombëtare“.
 
Opozita kërkon marrëveshje politike me pushtetin, si kusht për kthimin e tyre në Kuvend.
 

Nikolla Spasov, Agjencia „Rejting“
 
Edhe Rejtingjet – manipulime partiake
 
Populli është në anën e pushtetit dhe përparësia është e madhe. Kjo, në një masë të caktuar,
mund të ndikojë në dekurajimin e atyre qytetarëve të cilët duan të dalin në protesta dhe të
mbështesin opozitën. Kështu që, nga ky këndvështrim, kjo mund të ketë këtë efekt”, mendon
Spasov.
AddThis Social Bookmark Button