Nacionalizmi po lëkund Ballkanin - shtetet e ushqejnë

Nacionalizam-alb novo by DiversityMedia

Sipas disa vlerësimeve vendet në rajon vuajnë nga nacionalizmi pa dallim nëse janë aspirante apo tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian. Duke marrë si shembull Maqedoninë dhe Bullgarinë, alarmant është fakti që ky nacionalizëm ushqehet edhe nga qeveritë aktuale.

Regjistrimi i popullsisë, barrikadat në kufi, fushata për ndërtimin e përmendoreve gjigante, ndalimi i paradës së homoseksualëve, protestat kundër romëve, janë ngjarje të cilat po lëkundin Ballkanin kohëve të fundit, por që kanë një pikë të përbashkët.

Kur u bë inaugurimi i shatërvanit nën përmendoren e madhe “Luftëtari mbi kalë” në sheshin qendror në Shkup, të pranishmit ishin të një zëri se kjo ishte krenaria e re maqedonase.

Profesori universitar Nano Ruzhin këto projekte të financuara nga qeveria i sheh si një nacionalizëm të ushqyer nga qeveria.

-Të gjithë këto projekte me disa domethënie simbolike ku theksohen rrënjët tona, dalldisjet tona antike, janë një lloj opiumi masiv i popullit, por në funksion të përforcimit të rejtingut politik të garniturës udhëheqëse. Kjo është formë nacionalizmi që tejkalon kufijtë e të zakonshmes, thotë Ruzhin.

Ja se si kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski e sqaron nevojën për ndryshimin e pamjes së Shkupit në fjalimin e tij me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë.

“Ato janë vepra të Maqedonisë, të krijuara nga të gjithë ne që jetojmë këtu si vërtetim se nuk kemi harruar se cilat janë vlerat të lëna amanet dhe se ç’është mbi gjithçka për ne – Maqedonia e lirë dhe e pavarur. “

Elemente nacionaliste në projektet e qeverisë vuri re edhe gazetari i CNN në kronikën  me të cilën pak kohë më parë filloi një seri kronikash për Maqedoninë.

Për dikë ka, për të tjerë nuk ka shenja të nacionalizmit të nxitur nga shteti

Se çfarë do të thotë politikë nacionaliste shtetërore, me sa duket, më mirë e dinë qytetarët e Serbisë. 12 vite pas përfundimit të qeverisjes së Sllobodan Millosheviqit pasqyra e përgjithshme ka ndryshuar, por përsëri, qeveria aktuale demokratike kalkulon me shpërthime nacionaliste të individëve apo grupeve pa i përkrahur, por edhe pa i dënuar ato – vlerëson gazetarja e TV Vojvodina, Danica Vuçeviq.

-Ky flirt u tregua me anulimin e paradës së homoseksualëve, ky flirt shihet në qëndrimin për veriun e Kosovës. Këtu që të gjithë e dinë se çështja e veriut duhet të zgjidhet në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër ata nuk janë në gjendje tu përcjellin mesazhin serbëve që të tërheqin barrikadat për shkak të frikës së vazhdueshme se mos shpallen tradhtarë, thotë Vuçeviq.

Edhe regjistrimi i popullsisë, të cilin në mbarë botën e organizon shteti, mund të shkaktojë shfaqje të nacionalizmit. I tillë është rasti me Shqipërinë ku pakicat, si grekët dhe maqedonasit, bënë thirrje për të bojkotuar këtë operacioni me arsyetimin se janë të kufizuar të shprehen lirshëm për përkatësinë etnike dhe fetare vetëm në disa rajone, e jo në të gjithë territorin e shtetit. Politikologu nga Tirana Ermal Hasimja thotë se kjo gjë nuk është diçka alarmante.

-Për shkak të një varësie të caktuar nga shtetet e tjera, posaçërisht nga Greqia, elementet e nacionalizmit janë vërtetë të kufizuara. Në rastin me Shqipërinë nuk mund të shohim shenja të nacionalizmit të sponsorizuar nga shteti. Ka raste të caktuara, po nuk kanë të bëjnë me shtetin, por me individë.  

Nacionalizmi mund të shkatërrojë BE-në?!

Që edhe Bashkimi Evropian nuk është imun ndaj nacionalizmit të sponsorizuar nga shteti tregon shembulli me Bullgarinë. Gazetarja Adelina Marini thekson se manifestimi i fundit janë protestat masovike kundër romëve të nxitura nga kryeneçësia e një biznesmeni me përkatësi etnike rome. Faji i shtetit është se për vite me radhë i ka lejuar të mos paguajë tatime.

-Ne kemi probleme me shkeljen e ligjit që maskohet me sqarimin për mostolerancë etnike që çon drejt përforcimit të mostolerancës etnike. Sipas meje kjo gjë paraqet një rrezik të madh, sidomos tani kur vetë Bashkimi Evropian ka mjaft vështirësi kurse ne të shkaktojmë të tjera, të cilat mund të çojnë deri te shpërbërja e Bashkësisë”, mendon Marini.

Një diplomat anonim nga Brukseli për Diversiti Media sqaron se Bashkimi Evropian i ndjek ngjarjet që kanë të bëjnë me nacionalizmin në rajon. Si pozitiv e veçon vendimin e Serbisë për të kërkuar falje për luftën në Kroaci dhe për masakrën në Srebrenicë në vitet nëntëdhjeta. Burimi ynë thekson se negative është ajo që edhe në disa vende anëtare qeveria nxit nacionalizmin pa marrë ndonjë dënim më serioz për këtë. Për shembull: fushata kundër romëve në Francë kaloi pa sanksione nga ana e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër që ekzistojnë instrumente u vërtetua në rastin me Austrinë. Në vitin 1999 kur në pushtet erdhi radikali i djathtë Jorg Hajder, Bashkimi Evropian i ngriu marrëdhëniet me këtë vend anëtar, ndërsa Hajder u detyrua të tërhiqej. Ky mbase është shembulli më i mirë se politika nacionaliste shtetërore sjell izolim. 

AddThis Social Bookmark Button