Pushtetopozitë

Përkundër mospajtimeve të hapura për shumë çështje, partia në pushtet dhe opozita për një gjë pajtohen – mosrespektimin e rregullave etike të kodit zgjedhor. Ekspertë të luftës kundër korrupsionit vlerësojnë se promovimi masovik i projekteve infrastrukturore të mëdha pas caktimit të datës së zgjedhjeve lokale nuk është i kundërligjshëm, por shkel disa rregulla të caktuara të një fushate të drejtë. Në ndërkohë, të gjitha institucionet shpallen si jokompetente për reagim.

Analizë e Dushko Arsovski

Pushteti lokal në Prilep në 17 janar shpalli se si do duket sheshi i ri i qytetit. Disa ditë më pas kryetari i komunës së Karposhit hodhi gurë-themelin e një sheshi të ri në lagjen Vllae. Këtë javë njeriu i parë i komunës Qendër njëkohësisht u bë edhe kandidat për një mandat të ri dhe promovoi ndërtimin  një garazhi me kate.  

Këto janë pjesë e aktiviteteve që ndodhin edhe në qytetet e tjera pas caktimit të datës së zgjedhjeve lokale. Ligji është i prerë dhe thotë se në periudhën deri në zgjedhjet lokale ndalohet ndërtimi i objekteve infrastrukturore me fonde publike, përveç në rastet kur për këtë gjë paraprakisht janë ndarë mjete nga buxheti.

Të tillë janë shembujt e mëparshëm.

Sllagjana Taseva, e cila për vite me radhë merret me korrupsionin thotë se nuk është shkelur ligji. Por, gjithsesi, komenton:

“Nëse e shikojmë nga aspekti se ata persona e shfrytëzojnë orarin e punës dhe makinat zyrtare për të bërë një fushatë politike dhe se të gjitha këto projekte që më parë qëllimisht janë caktuar për t’u promovuar tani, atëherë bëhet fjalë për një sjellje joetike që është në kundërshtim me rregullat zgjedhore. Dhe për këtë duhet të reagojnë të gjitha institucionet kompetente“

Ndarje

Komisioni i antikorrupsionit jo shumë kohë më parë përmes një shkrese për mediet prezantoi planin e tij operativ për mbikëqyrjen e zgjedhjeve. Tha se do reagojë në situatat kur fondet publike do të shfrytëzohen për financimin e projekteve që mund të jenë në dobi të fushatës parazgjedhore të ndonjërës parti.

Anëtarja e komisionit, Mirjana Dimovska, gjatë një bisede telefonike për Diverzity Media tha se “reklamimin e parakohshëm e mbikëqyr Këshilli për radiodifuzion, dhe se ato ligjërisht nuk kanë kurrfarë kompetencashˮ.

Dimovska përforcon qëndrimin e Sllagjana Tasevës. Sa i përket reklamimit të vazhdueshëm të projekteve dhe nëse kanë pasur ankesa, ajo tha se gjatë një muaji shqyrtojnë edhe me mijëra të tilla dhe se vazhdimisht kanë shumë punë.

Edhe mediet janë pjesë e kësaj historie. Një pjesë e madhe e tyre informuan për projekte të kryetarëve aktual të komunave. Ligji për radiodifuzion vetëm i paralajmëroi një pjesë të tyre se gjatë kësaj periudhe nuk duhet të reklamojnë projekte qeveritare. Në takimin e fundit të komisionit rregullator kishte qëndrime të ndara.

Anëtari Stole Naumov theksoi:

„Nga dita e marrjes së vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, deri në ditën e përfundimit të zgjedhjeve, organet shtetërore dhe organet e komunave dhe të qytetit të Shkupit nuk duhet të publikojnë reklama të financuara nga buxheti. Pra, nuk duhet. Ku janë dënimet?”, pyeti ai.

Kryetari i Këshillit, Zoran Trajçevski, kishte këtë reagim:

„Pjesa më e madhe e shkeljeve janë bërë nga komuna Karposh. Për këtë  nuk thatë asnjë fjalë. Kur vinte në radhë kjo pikë herës së kaluar thoshit se s’ka pse të diskutohet. Nëse kemi principe të njëjta ato do vlejnë për të gjitha mediet”

Plus dhe minus e barabartë me minus

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve  i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë është i lidhur me procesin zgjedhor thotë se nuk është kompetente për rastet e këtilla.

Zëdhënësja Biljana Jovanovska deklaroi shkurt se punojnë sipas ankesave të parashtruara dhe se deri më tani nuk ka reaguar asnjë nga partitë.

Por, si dhe kur partia në pushtet dhe opozita bëjnë veprime joshembullore. Në Prilep dhe në Qendër kryetarët e komunave janë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa Karposhin e udhëheq kuadër i LSDM-së.

Zëdhënësja e kryetarit të komunës së Prilepit nuk donte të komentojë. Në komunën Karposh nuk u përgjigjën telefonatave tona.

Për Sllagjana Taseva, ky është një sinjal i qartë.

„Tek ne, në fushën politike, nuk ekziston vullnet për tejkalimin e një gjendjeje të këtillë, dhe prandaj po përballemi me të edhe në këto zgjedhje, por mendoj që do e hasim edhe në zgjedhjet e mëvonshme“

Ajo thotë se të gjitha tentativat e deritanishme për të bërë një ndryshim kanë qenë të pasuksesshme.

„Kemi  kërkuar përforcim të sanksioneve të llojit – të mos mund të merret pjesë në zgjedhjet e ardhshme ose të ndërpriten zgjedhjet nëse shkelen rregullat e zgjedhore  , por...e dini se si zbatohen tek ne ndryshimet e këtij Ligji? Në mënyrë shumë selektive dhe restriktive. Askush nuk do as ta shkruajë, e as ta zbatojë ligjin.“

Kur t’i bësh të gjitha llogaritë del se partitë në pushtet dhe opozita janë në kundërshtim për shumë çështje, por ajo që është në dobi të përbashkët, e kultivojnë që të dyja palët. Në këtë rast rivalët e flaktë janë të njëjtë në shkeljen e disa normave të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 24 mars. Fushata zyrtare ende nuk ka filluar. Ajo jozyrtare, në fakt, asnjëherë edhe nuk përfundoi, thotë  në analizën e tij Dushko Arsovski.

AddThis Social Bookmark Button