Status, para dhe pushtet lokal

Status, para dhe pushtet lokal by Diversity Media on Mixcloud

Vetëm disa ditë para afatit përfundimtar për shpalljen zyrtare të kandidaturave zgjedhjet lokale të marsit duket do të zhvillohen pa partinë më të madhe opozitare të bllokut maqedonas LSDM-së. Në kushte të tilla koalicioni qeverisës do të ketë pushtet absolut, por dhe përgjegjësi absolute. Por çfarë kriteresh do të ketë për listat e kandidatëve – statusi social i tyre ose kualiteti i mbajtësve të ardhshëm të pushtetit?

Vesna Kollovska analizon

Mediet serbe funksionarit prej shumë vitesh dhe kryetar i baskisë së Jagodinës Dragan Markoviq – Palma i numëronin gaf pas gafi. Por pas tij qëndron edhe fakti se para 10 vjetësh kur mori pushtetin lokal, komuna e Jagodinës kishte buxhet prej 4.8 milion euro që sot të ketë 28 milion euro. Markoviq mund të jetë njeriu i duhur për ti dhënë leksione politikanëve në Maqedoni në garë për të marrë pushtetin. Në një intervistë dhënë të përditshmes “Nova Makedonija” këshilla e tij e parë për kryetarët e komunave dhe këshilltarëve të këshillave komunal është të kursejnë sepse sipas përvojës paraardhësit kasën e lënë bosh.

“Filozofia ime ose atë që unë praktikoj është që në funksione të emërohen ata njerëz që janë biznesmenë, ose që janë të punësuar në kompani ose ndërmarrje. Kështu jepet një pamje e mirë para njerëzve se paratë e tyre nuk i hidhen për honorare. Ndërkohë as ne nuk na duhen njerëz të papunë të cilët do të jenë në komunë vetëm të qajnë”

Në këshillat komunal deri më tani, partitë vendosnin aktivistë të cilët duhej të shpërbleheshin. Madje me honorare apo paga mujore u zgjidhej edhe statusi social. Për këto zgjedhje LSDM që në maj të vitit të kaluar miratoi një rregullore për zgjedhjen e këshilltarëve dhe kryetarëve të komunave, ku vlerësohen kandidatët me reputacionin më të lartë profesional dhe që respektohen nga rrethi i gjerë.

S’ka evolucion radikal

Për kryetarin e komunës së Koçanit Ratko Dimitrovski nuk ishte vendimtare kujdesi social për anëtarët e partisë ose kandidatët të pavarur por kualiteti që do të jepnin ata si këshilltarë. Në partinë e tij kandidatët i zgjidhnin sipas disa kritereve:

“Veç asaj që duhet të kenë ngjyrë partiake, të kenë përkatësi partiake, sërish duhet të jenë persona me reputacion, pa njolla në karrierën e tyre profesionale dhe familjare. Në një farë mënyre ata kontribuojnë në zgjedhjen e gjithë pushtetit lokal dhe sipas meje për këtë duhet ndikim  dhe prandaj duhet zgjedhur kuadro cilësor, njerëz korrekt të cilët votuesit do ti identifikojnë si mbajtës të pushtetit lokal”, thotë Dimitrovski.

Por si kuptohej deri më sot ushtrimi i pushtetit lokal? Këshilltarët e Këshillit të Komunës Qendër vendosën të vetë shpërblehen për rritjen e nivelit të punës. Çdo këshilltar do të duhej të merrte nga 50.000 denarë nëse nuk ndërhynte Inspektoriati Shtetëror për Pushtet Lokal. Këshilltarët në komunën e Kisella Vodës pas përfundimit të mandatit refuzuan ti kthejnë kompjuterët zyrtarë. Kurse Kryetari i Gjevgjelisë mbronte buxhetin komunal me honorare dhe pagesa të tjera maksimale të cilat i votonin bashkë edhe këshilltarët e pushtetit edhe opozitës.

Prandaj a është naive të mendohet se do të zbatohen këshillat e dhëna për kursime, apo do të ndodhë e kundërta?

“Jo. Ata do shkojnë me atë nivel që ju ofrohet. Çdo parti dëshiron të fitojë pushtetin, kurse pushteti bazohet me privilegje përkatëse. Nuk mendoj se do të heqin dorë nga privilegjet pa ardhur në pushtet, nuk shoh motiv për një gjë të tillë. Sigurisht nëse ka kufizime, ata do tu përmbahen, por secili shikon që pozicionin e tij ta përdorë mirë materialisht”, thotë Ilija Todorovski, profesor për Pushtet Lokal në fakultetin e Drejtësisë në Kërçovë.

Sipas tij nuk do të ketë ndryshime radikale në ushtrimin e pushtetit lokal.

“As mundësitë kadrovike dhe as ato fiskale nuk janë të ndryshme që të besoj se pas zgjedhjeve ose në mandatin e ardhshëm do të ketë ndryshim të konsiderueshëm. Ka evolucion por nuk pres asnjë ndryshim radikal”

Ka për parqe, s’ka për shkolla

Komunat në Maqedoni marrin nga 7 % të buxhetit të shtetit, për dallim nga Danimarka e zhvilluar  ku për shembull, deri në 42 % të buxhetit shkojnë në kasat e komunave. Komunat të cilat u angazhuan të bëjnë sheshe nuk kanë para për rekonstruksione më të mëdha të shkollave dhe spitaleve. Vetëm 5-6 % e fshatrave në Maqedoni kanë kanalizime, kurse rreth 50% s’kanë ujësjellës.
Në Maqedoninë perëndimore sipas Zijadin Selës të PDSH-së këto probleme janë edhe më të konsiderueshme. Por ai thotë se do të jenë në garë për ta fituar pushtetin.

„Nuk mund të mos përmend se Maqedonia perëndimore dhe qytete e saj përballen me mungesë të investimeve kapitale. Pjesa më e madhe e qyteteve që kanë shumicë shqiptare përballen me mungesë investimesh kapitale, qoftë rrugë, infrastrukturë. Mbi 70 përqind e kësaj zone ka mungesë të kanalizimeve, mos flasim për ambientin jetësor i cili për ditë e më tepër ndotet dhe është më i pistë”, tha Sela.

Vetëm disa ditë para dorëzimit të kandidaturave ka gjasa që këto zgjedhje lokale do të mbahen pa LSDM-në, e cila kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Profesori Todorovski thotë se humbësit më të mëdhenj do të jenë qytetarët. Sipas tij me mospjesëmarrjen të Socialdemokratëve do të dobësohet kapaciteti i pushtetit lokal, sidomos në ato komuna të suksesshme që drejtohen nga LSDM.

AddThis Social Bookmark Button