Udhëzues kundër politikanëve që gënjejnë

Po afrohet fillimi fushatës zyrtare për zgjedhjet lokale. Do shtohen premtimet nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë. Analistët dhe ekspertët këshillojnë të bëhet kujdes për ata që me paraqitjen e përditshme ndryshojnë edhe qëndrimet e tyre. Të dyshimtë janë ata që bëjnë premtime të cilat i tejkalojnë mundësitë e këtij vendi të varfër. Disa të tjerë, mendojnë se nuk duhet tu besohet medieve sepse mungon liria e të shprehurit, e kështu për disa politikanë krijohet një pasqyrë e gabuar.

Analizë e Dushko Arsovski

Me një video u promovua filmi për kryetarin e komunës së Reikjavikut, kryeqytetit të Islandës, njeriun i cili u bë ultra i famshëm  edhe jashtë vendit të tij. Në një mënyrë të veçantë, me shaka dhe parodi ai ia doli mbanë të fitojë në zgjedhjet e vitit 2010. Emri i tij është JonGnar. Ai është aktor, komedia, ish muzikant i pankut. Në platformën e tij zgjedhore ai premtoi se nëse do i fitonte zgjedhjet, nuk do përmbushte një nga premtimet e bëra, si për shembull, peshqirë falas në çdo pishinë, Dizni Park të ri, Kuvend Islandez pa drogë deri në vitin 2020, si dhe arushë polare për Kopshtin zoologjik në Reikjavik.

„Shpresoj që njerëzit të qeshin më shumë. Unë mundohem t’i zbavit njerëzit e t’i bëj më të lumtur. Mundohem të bëj maksimumin dhe jam profesionist në këtë punë. Ka mundësi që vizitorët të më shohin duke bërë komedi diku nëpër qytet“.

Partia e tij quhet Më e mira.

Në aktin themelues ai ka futur një klauzolë se formon “parti politike që do të funksionojë si një bashkësi e korruptuar e hapur” me të cilën donte të theksonte se të gjitha partitë e tjera në Islandë janë parti të korruptuara të fshehura.


ISLANDA

Revolucion kundër politikanëve gënjeshtarë

Gjatë kohës së krizës më të madhe në vitin 2008 u shkatërrua sistemi bankar, Islandezët e detyruan qeverinë e korruptuar që të japë dorëheqje. U krijua një Kuvend publik për përpilimin e një kushtetute të re. Bankat u nacionalizuan, u vendos të mos paguhen borxhet e krijuara nga bankat private. E gjithë kjo u bë në mënyrë paqësore. Çfarë do të ndodhte nëse shembullin e Islandës do e ndiqnin edhe shtetet e tjera në botë?


Sinqeriteti në Maqedoni, si duket është një dukuri e rrallë natyrore. Me afrimin e zgjedhjeve do të përforcohet edhe fushata parazgjedhore. Politikologu Albert Musliu jep këshillën e parë:

„Çdo premtim që tejkalon mundësitë e kësaj shoqërie jo edhe aq të pasur duhet të shihet me skepticizëm dhe të vihet nën pikëpyetje. Të gjitha premtimet e një politikani i cili premton se do bëjë çudira duhet të merren me rezervë.”

Vitrinë e „mallit”

Ata me përvojë që kanë qenë në funksion më gjatë kohë mund të lexohen më lehtë.

„Politikanët duhet t’i mbajnë premtimet, e në të kundërtën, nuk duhet të premtojnë asgjë. Bëhet fjalë për gënjeshtra të qëllimshme, sepse nëse e di se nuk mund të realizohen, atëherë përse kërkohen arsyetime për projekte dhe premtime të cilat nuk janë realizuar? Qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të gjithë politikanët të cilët nuk i plotësojnë premtimet e tyre duhet t’i dënojnë me votim të lirë.

Këshillën e dytë e jep psikologu Ana Çuçkova. Sipas saj përkrahje duhet t’i jepet atij kandidati i cili pranon takime të drejtpërdrejta.

„Në një fjalim publik është shumë më lehtë të gënjehet sepse politikanët e sotëm, me sa kam vënë re unë, kanë fjalime të përgatitura që më parë e që vetëm i lexojnë. Askush, ose rrallë kush flet në mënyrë spontane dhe është shumë më lehtë të lexohet gënjeshtra e shkruar. Gjatë fjalimeve, ose bisedimeve “sy më sy” është shumë më e vështirë të kontrollohet edhe trupi edhe e folura dhe në të njëjtën kohë të trillohet edhe gënjeshtra.”

Këshilla e tretë, sipas komunikologut Klime Babunski, është të mos u zihet besë medieve, sepse, siç vlerëson ai, ato për momentin nuk janë të lira. Pikërisht mediet janë vitrina të “mallit” që në këtë rast kandidohet për kryetarë të komunave dhe këshilltarë.

„Nëse një medie nuk do që të tregojë profesionalizëm, e të tregojë se çfarë ka folur një politikan para 3-4 muajve e çfarë thotë tani, mendoni që mund të presim që një shikues i thjeshtë do ketë aq fuqi, kohë e burime ta bëjë këtë që pastaj të mundet të marrë një vendim adekuat se për kë të japë votën? Jo, kjo është punë që duhet ta bëjnë mediet!”

Nga ana tjetër, thotë ai, ndonjëherë fajin e kanë vetë qytetarët.  

„Ndonjëherë, edhe ne njerëzit, gjegjësisht qytetarët, duam të dëgjojmë fjalë më të bukura e pothuajse na pëlqen të na gënjejnë, duam të besojmë për një të nesërme më të mirë dhe ja ku e keni arsyen se përse gënjehemi aq lehtë.“

Për këtë situatë, Musliu sheh edhe një logjikë ekonomike.

„Me varfërimin e shoqërisë tonë numri i qytetarëve të cilët janë të varur nga vullneti i partive politike rritet vazhdimisht dhe për to nuk ka rëndësi se çfarë premtimesh jepen. Ky është problemi më i madh.“

Gënjeshtarë patologjik

Ndonjëherë problem bëjnë edhe rastet patologjike të politikanëve, shton Çuçkova.

„Nëse një politikan e beson atë që e thotë, ka shumë pak gjasa të demonstrojë shenja se gënjen, sepse ai është i bindur në deklaratat e tij.“

Sa më e madhe të jetë partia aq më të mëdha janë premtimet sepse ato i lidhin edhe me pushtetin qendror, vlerëson Albert Musliu. Zgjedhjet lokale, thotë ai, janë mundësi për alternativa të reja.

„Zgjedhjet lokale janë një mundësi e mirë për promovimin e subjekteve të pavarur. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera. Të shpresojmë që subjektet e pavarur, kandidatët e pavarur do jenë në numër më të madh për të dhënë një stimul për departizimin e shoqërisë që është e polarizuar dhe po shkon prapa.”

Në pluralizmin e Maqedonisë mbahen mend disa projekte të mëdha të parealizuara. Miliarda nga Tajvani – Vasill Tupurkovski, Vija hekurudhore drejt Bullgarisë të cilën e filloi por kurrë nuk e përfundoi një nga qeveritë e Branko Cërvenkovski-t. Nikolla Gruevski para zgjedhjeve lokale të vitit 2009 premtoi se për shtatë vite do investojë tetë miliardë euro në infrastrukturë.

Mbahen mend vetëm qindra milionat që u shpenzuan për Projektin Shkupi 2014.

Si duket më i lehtë dhe më i ndershëm do kishte qenë premtimi për peshqirët falas në çdo pishinë të cilin e bëri kryetari i komunës në Reikjavik. Por, Islanda është larg, e ndryshimet deri tek ne vijnë ngadalë.

AddThis Social Bookmark Button