Punëtorë kanë kredituar pronarët dhe tani kërkojnë paratë në gjyq

Vesna krediti albanski by DiversityMedia

Më shumë se dyqind punëtorë nga dy kompani në Shtip me kërkesë të punëdhënësve të tyre kanë marrë kredi dhe paratë ua kanë dhënë atyre. Kreditë pjesërisht ose plotësisht i kanë kthyer vetë. Tani ata padisin punëdhënësit bizneset e të cilëve kanë dështuar plotësisht. Këta qytetarë i pret një luftë e lodhshme për të dëshmuar, sepse për bankat ka rëndësi vetë se kush i ka marrë paratë e jo kush i ka shpenzuar ato.


Çdo gjë ka filluar me thirrje te zyra e drejtorit. Punëdhënësi ka kërkuar nga punëtorët të shkojnë në bankë dhe të marrin kredi në emrin e tyre, e pastaj paratë t’ia japin atij.  Arsyetimi për këtë ka qenë se kompania po kalon një periudhë të vështirë dhe nëse punëtori nuk angazhohet personalisht dhe nuk gjenden para nga kredi, kompania do të dështojnë dhe ata do humbasin vendin e punës.
Punëtorët nuk duan të flasin vetë. Kurse avokatja e tyre Violeta Petkova, thotë se pothuajse të gjithë kanë të njëjtën histori.

"Punëtorët, në fakt, në fillim nuk kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë bëjnë, sepse këtë gjë e kanë parë si pjesë të detyrimeve që kanë ndaj punëdhënësit. Dhe në këtë kuptim ata nuk janë angazhuar fare për marrjen e kredisë, por këtë gjë e kanë bërë punëdhënësit në emër të tyre dhe atyre vetëm u është thënë se kur, ku dhe çfarë duhet  të firmosin. Paratë janë marrë, janë nxjerrë nga llogaria rrjedhëse dhe i janë dhënë punëdhënësit", thotë avokatja Petkova.


Në disa raste punëtorët as që kanë parë paratë që janë marrë me kredi në emër të tyre, për shkak se paratë i ka marrë njeri i besuar që ia ka dërguar ato punëdhënësit. Kreditë e punëtorëve vetëm kanë zgjatur agoninë e kompanive në dështim. Pas disa kohësh, një fabrikë e tekstilit dhe një ushqimore u mbyllen dhe punëtorët mbeten  pa punë. Por, bankat nuk i kanë harruar borxhet që dalin nga kreditë. Ata punëtorë të cilët kanë mundur të gjejnë punë tjetër kanë vazhduar të kthejnë kredinë, tek të tjerët kanë shkuar përmbaruesit.

Bankat thonë se detyrimin për kthimin e kredisë e ka ai që e ka marrë kredinë. Ata nuk ndjekin shpenzimin e parave të kredive konsumatore, kështu që nuk mund të dinë se ku dhe kush i shpenzon paratë. Konfederata e Punëdhënësve të Biznesit, ku punëdhënësit mësojnë për përgjegjësinë shoqërore, dënon sjelljen e këtyre kompanive. Sevdalinka Eftimova thotë se këto punëdhënës kanë bërë dy shkelje ndaj punëtorëve - të të drejtave themelore të njeriut dhe të ligjit.

“Te ne ajo që kërkohet fillimisht është hapësira për të manipuluar ligjet, ligjet nuk respektohen me rigorozitet. Kjo është njëra çështje, kurse tjetra gjithçka varet nga vetë punëdhënësi, nga vlerat e tij morale”, thotë Eftimova.

Në Bosnjë janë përfshirë policia dhe prokuroria

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut nuk di gjë për këtë rast. Nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut do të varet nga fakti nëse marrjen e kredive është bërë me detyrim. Në këtë rast, punëtorët kanë ndjerë presion dhe frikë për vendin e punës.

Për momentin gjykata është i vetmi institucion i përfshirë në këtë rast në lidhje me kreditë në emër të dikujt tjetër.
Megjithatë, sipas shembullit të Bosnje dhe Hercegovinës, ka gjasa që kjo të mos jetë e mjaftueshme. Më shumë se një mijë punëtorë boshnjak të cilët kishin marrë kredi për punëdhënësit e tyre, pa ndërhyrjen e policisë dhe prokurorisë do të kishin përfunduar në gjyq. Presidenti i Shoqatës së garantëve Jovica Cvjetkoviq  thotë se është vërtetuar lidhja jomorale mes bankave dhe pronarëve të kompanive.


"Asnjë mashtrim nuk mund të ndodhë pa dijeninë e nëpunësit bankar. Nuk ekziston njeri që mund të mashtrojë bankën. Mashtrimi përmes marrjes së kredive nga punëtorët është një vepër penale, mobing klasik, ku drejtori dhe banka kanë bërë marrëveshje. Për ta vërtetuar këtë për të provuar në polici duhet të  paraqiten të gjithë së bashku, dhe kur të mblidhen 20, 50 denoncime të njëjta, atëherë ato nuk mund të shuhen", thotë Cvjetkoviq.

Punëtorët në Maqedoni tashmë ish punëdhënësit e tyre i padisin për pasurim të paligjshëm dhe për mashtrim. Por jo edhe aq larg nesh, në Serbinë fqinje, një punëdhënës nga Beogradi ka blerë 35 shtëpi dhe 10 apartamente për punëtorët e tij, dhe 15 punëtorëve u ka dhënë kredi për shtëpi pa interes për 100 vjet. Në një deklaratë për mediet e Beogradit biznesmeni Sllobodan Janusheviq thotë: punëtorët e mi janë edhe fëmijët e mi. Mos vallë duhet të mbledh pasurinë time dhe ta ruaj për disa breza të largët, kur fëmijët e tyre vuajnë për bukë? 

 

Sipas Bankës Popullore

S’ka të dhëna se vetë kthejnë kreditë e të tjerëve

Sipas Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë kredi kanë marrë 78.354 amvisëri. Qytetarët bankave maqedonase u detyrohen më shumë se një miliardë e njëqind milion euro. Nga këto, 400 milionë euro janë kredi konsumatore. Ose, mesatarisht, çdo qytetar detyrohet nga 2.225 euro. Detyrimi i Përbashkët ndaj bankave i qytetarëve dhe kompanive është 3.2 miliardë euro. Në Maqedoni nuk ka të dhëna se sa njerëz paguajnë kredi në emër të dikujt tjetër. Byroja e kredive me kërkesë të bankave, kursimoreve dhe institucioneve të tjera përgatit dosje kreditore për qytetarët të cilët kanë një kredi, hipotekë apo kanë lënë peng ndonjë pronë tjetër.

AddThis Social Bookmark Button