Investon 50, kthen 100 mijë euro

Investon 50, kthen 100 mijë euro by Diversity Media on Mixcloud

Maqedonia me pozitën e saj gjeografike dhe me 250 ditë diellore në vit, është një vend që ka të gjitha kushtet për kultivimin e luleve. Por edhe përkundër kësaj, shumë pak vetë kultivimin e luleve e konsiderojnë si biznes nga i cili mund të fitohet shumë. Lulet i kthehen sërish juglindjes së Maqedonisë, por sërish duket e largët ideja që ajo të shndërrohet në një degë të rëndësishme të agrikulturës.

Stole Kosotov nga Radio Hit në Strumicë analizon

Fusha e drejtë në Strumicë në këtë periudhë të vitit është e mbuluar me sera të përhapura në 3.500 hektarë tokë. Në këtë bardhësi janë mbjellë domate, speca, krastaveca, por të rralla janë serat me plot ngjyra.

Por nën plasmanët e bardhë ndodhet “biznesi” i Suzana Mlladenovës nga Strumica. Para 23 vjetësh ajo kish filluar biznes me lulishte, kurse para disa vjetësh një pjesë të luleve që i shet i prodhon vetë.

“Është e vetmja dashuri që kam dhe do të vazhdoj. Fitimi nuk është gjithmonë i rëndësishëm. Ky profesion për mua është më shumë se dashuri”

Lulishtet nga Strumica, rasatin e importojnë nga Holanda, i cili me ndihmën e diellit në Maqedoni shndërrohet në lule cilësore shtëpie. Prandaj thotë Suzana, lulet natyrale do t’ua ofrojë blerësve për festën e gruas.

“Ka njerëz që nuk heqin dorë, duan artificialen. Por lulishtja jonë është e njohur për lulet natyrale dhe gjithmonë preferojmë të shiten lule natyrale. Dhe mendoj se shiten  më shumë”

Është interesant fakti se bartëse të biznesit me lulet janë kryesisht gra, i cili sipas disa përllogaritjeve mund të sjellë përfitime deri në 500 për qind. Prodhuesit thonë se është një biznes i shtrenjtë dhe i lodhshëm dhe kërkon shumë dije.

Vitet e fundit, sipas profesorit Risto Vuçkov nga fakulteti i bujqësisë në Strumicë, të rinjtë gjithmonë dhe më shumë interesohen të kultivojnë lule.

“Fakt që gëzon është se ka njerëz të rinj që vinë për konsultime dhe duan që në sera plastike apo xhami të kultivojnë lule. Pra lulja po rikthehet me të madhe në rajonin e Strumicës sepse kemi shumë orë diellore që mundëson kultivim cilësor të luleve këtu”. 

Rreth 50 mijë euro për fillimin e biznesit

Maqedonia sipas profesorit Vuçkov ka të gjitha kushtet natyrale për kultivimin e luleve, por mungojnë nisma të organizuara nga shteti dhe mbështetje për investime për këtë biznes. Për të filluar këtë biznes janë të nevojshme rreth 50.000 euro. Fitimi është dy fish më i madh sipas tij.

“Vitet e fundit ka kultivues të mirë të luleve, siç është rasti në fshatin Vlladevci. Gjithashtu edhe  në rajonin e Gjevgjelisë. Me një fjalë, nëse më parë importoheshin rreth 90 %  të luleve nga Holanda, tani kemi edhe prodhim vendor”.

Paralelisht me interesin për kultivimin e luleve po zhvillohet edhe kultura e blerjes së luleve. Në prag të 8 marsit edhe kultivuesit edhe shitësit e luleve shpresojnë për fitime, por thonë se lulet duhet të shiten çdo ditë siç është praktikë në vendet evropiane.

Bllagica Temellkova, e cila fiton nga shitja e luleve thotë se për festën e grave njerëzit dinë të zgjedhin lulen e duhur.

“Më shumë blihet roza. Kryesisht e kuqja. Dominojnë lulet e freskëta, sepse mendojnë se artificialja nuk është për atë rast”.

Por a janë lulet atë që gratë preferojnë për 8 mars?

“Unë si grua dua shumë gjëra. Por duke pasur parasysh kohën, krizën e madhe, dhurata më e madhe do jetë dashuria dhe respekti nga familja ime”, thotë një vajzë e re në Strumicë.

Lulja dhe dashuria, dy fjalë që shkojnë më së miri së bashku edhe për biznesin edhe festën e gruas.


Nuk matemi dot

Importohen, lule, farë dhe saksi

Në Dhomën Ekonomike të Maqedonisë  nuk kanë informacione se me çfarë përqindje merr pjesë kultivimi i luleve në prodhimet bujqësore në Maqedoni, sepse është minimal. Maqedonia ende është importuese e luleve. Sipas Inspektoratit për bujqësi lule importohet nga Holanda, Serbia, Venezuela dhe Ekuadori, farë importohet nga Sllovenia dhe Holanda, kurse saksitë nga Holanda, Sllovenia dhe Serbia. Ka dhe eksport të rasatit të luleve në Holandë, por shifrat janë të pa konsiderueshme. Në Evropë në vjet harxhohen 3.3 miliardë euro për lule. 2.9 miliardë shkojnë në Holandë si prodhuesi më i madh i luleve. 


 

AddThis Social Bookmark Button