Tre mijë padi për gjashtë denarë

Tre mijë padi për gjashtë denarë by Diversity Media on Mixcloud

Një ortek me padi vërshoi mbi gjykatat në Maqedoni pas përhapjes së lajmit se qytetarët mund ta padisin EVN-në për gjashtë denarët e faturuara joligjërisht si shpenzime manipulative. Edhe pse kthehen shuma minimale, vendimet konsiderohen si një fitore e parë masovike e qytetarëve kundër një monopoli. Organizatat e qytetarëve  thonë: „i marrë joligjërisht, në qoftë edhe një denar, i joni ështëˮ. A është kjo pranverë pranvera e aktivizmit qytetar drejtuar kah monopolet e fuqishëm në shtet, i cili deklaron një treg të hapur?

Analizë e Vesna Kollovska

Në mënyrë simbolike, pesë minuta në 12, të premten, kur edhe është afati i fundit ligjor, lëvizja qytetare „Otpor” do dorëzojë 3000 padi kundër kompanisë të distribucionit EVN. Me ndihmën e padive qytetarët do kërkojnë që kompania tu kthejë nga gjashtë denarë për shpenzime manipulative të cilat joligjërisht i ka faturuar në periudhën nga muaji maj i vitit 2006 deri në muajin shkurt të vitit 2008.

Vllatko Ristevski nga „Otpor“ thotë se i kanë mbuluar kërkesat nga qytetarët pas lajmërimit se do i përgatisin paditë falas.

„Kërkojnë njerëz nga e gjithë Maqedonia. Më vjen mirë që u ndërgjegjësuan. Ne donim tu sqaronim një gjë qytetarëve: edhe një denar qoftë, është i joni dhe e duam! Duam drejtësi! Dhe duam të tregojmë se kur të na mashtrojnë, shteti do qëndrojë pas nesh e do na mbrojë“, thotë Ristevski,  i cili lëvizjen e quajti sindikatë qytetare për luftë kundër monopolistëve.

Këtë aksion e kanë filluar jo shumë kohë më parë, pasi kanë dëgjuar se avokatë japin nga 500 deri më 800 denarë për blerjen e faturave të paguara nga qytetarët për periudhën nga dhjetori i vitit 2007 deri më janar dhe shkurt të vitit 2008. Mjaftojnë tre nga këto fatura ku shihet se janë kalkuluar shpenzime manipulative.

„Ne na u duk simptomatike ky “shërbim” i tyre dhe menduam se pas kësaj gjëje fshihet diçka. Prandaj, ne u dolëm në ndihmë qytetarëve dhe u ofruam ndihmesë ligjore falas.  Ne, vetë aktivistët, punojmë si vullnetarë dhe i përgatisim kërkesat në bazë të padisë së fituar“, thotë Vllatko Ristevski.

Vendimi gjyqësor

Një qytetar nga Shkupi është personi i parë i cili e ka fituar procesin kundër EVN-së, e i cili duke u thirrur në vendimin e Gjykatës Supreme, e ka kontestuar faturimin e shpenzimeve manipulative në faturat e energjisë elektrike. Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve kërkon që secili që shet ose ofron ndonjë shërbim, të japë faturën falas. Avokatë nga e gjithë Maqedonia kanë filluar të blejnë faturat nga qytetarët dhe në emrin e tyre ta padisin kompaninë. Më të zellshëm janë avokatët e rajonit të Ohrit dhe të Strugës, ku edhe janë sjellë vendimet e para.

Avokati Gjoko Tomoski thotë se vetëm ai ka dorëzuar 600 padi, nga të cilat për 450 janë marrë vendime.
„Procedurat e gjykatës kompetente kryhen brenda afateve ligjore dhe me ndryshimet e Ligjit për procedurë kontestuese, për dallim nga më parë, janë shumë më të shkurtra dhe zgjidhen më shpejtë. Në pjesën më të madhe, 90 % e vendimeve përfundojnë me  pranim të përgjegjësisë nga ana e të paditurit, në rastin konkret, EVN-ja“.

Me këto vendime, më shumë fitojnë avokatët. Ato paguajnë nga 500 ose nga 800 denarë për ta blerë faturën nga qytetarët, ndërsa përmes gjykimit duhet të fitojnë nga rreth 3500 denarë si “shpenzime”. Në gjykatën e Ohrit këto shuma arrijnë deri më 4600 denarë.

Nga EVN thonë se do veprojnë ashtu si do ju urdhërojë gjykata. Por, ende nuk kanë përllogaritur se sa do i kushtojë kjo gjë.

Prandaj, ekzistojnë përllogaritje jozyrtare nga aktivistët qytetarë se kompania nga qytetarët ka marrë rreth 1,2 milionë euro në emër të shpenzimeve manipulative. Që shpenzimet për përgatitjen e faturave nuk janë të vogla tregojnë edhe të dhënat nga llogaritë përfundimtare të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi” nga Shkupi. Në bilancin e suksesit për vitin 2009 qëndron se ndërmarrja “Ujësjellësi” ka fituar 180 000 euro nga shpenzimet manipulative. Siç do kishte thënë populli – “Nëse nuk rrjedh – do pikojë”.

Prandaj, duket se këto vendime të gjykatave ngjallën emocion te publiku, e të cilat organizatat qytetare i konsiderojnë si një fitore të madhe të qytetarëve. Në diçka të ngjashme disa vite më parë punonte lëvizja qytetare “Bëj rezistencë, thuaj jo” e cila bënte luftë me Telekomin e Maqedonisë.

Korrigjimi

Koordinatori Trajçe Mitev mendon se me aktivizmin e tyre është përgjysmuar parapagesa dhe  janë hequr shpenzimet manipulative.

„Ne ia dolëm mbanë që faturat t’i bëjmë më të qarta për qytetarët. Ia dolëm mbanë ta “godasim” Qeverinë në kokë që të fusë konkurrencë, ndërmarrje të cilat do i konkurrojnë Telekomit. Tani çmimet janë përafërsisht si te të tjerët. Qëllimi ynë kryesor ishte liberalizimi i telefonisë fikse, ashtu siç është tani“.

Mitev thotë se kompania në periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2008 nga qytetarët ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme më shumë se 5 miliardë euro, dhe atë përmes parapagesës dhe shpenzimeve manipulative.

Përse atëherë duhet aq shumë kohë që të korrigjohen kompanitë të cilat fitojnë në kurriz të qytetarëve?

Profesori Temellko Risteski thotë se përgjigjja është te shkelja e Kushtetutës dhe e ligjeve.

„Ne nuk kemi një kulturë të respektimit të rregullave në shtet. Respektimi i rregullave do të thotë edhe respektim i ligjeve. Tek ne ligjet nuk respektohen, e me mosrespektimin e ligjeve, normalisht, kërcënohen të drejtat e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve“, thotë profesori Risteski, sipas të cilit Qeveria është e para që duhet t’i mbrojë qytetarët nga monopolistët agresiv, dhe do të thotë:

„Për zbatimin e ligjeve në ndërmarrjet publike më përgjegjëse është qeveria. Ekziston Komisioni i antikorrupcionit. Në shoqëri ekzistojnë edhe komisione të tjera. Pastaj, nëse prokuroria publike zbulon edhe shkelje të tjera të lirive dhe të drejtave, prokurori publik mund të fillojë procedurë, të bëjë kërkesë për fillimin e hetimeve. Aty është avokati i popullit, aty janë gjykatat, etj.”
Mes tyre, janë edhe organizatat qytetare. Lëvizja „Otpor“ nga Prilepi si aksion të radhës paralajmëron heqjen e shumës me të cilën paguajmë për 33 % fuqi te angazhuar një zë ne faturën e energjisë elektrike.


 Shkelja e ligjeve dhe dënimi

Telekomi i Maqedonisë pagoi një milion euro, EVN 500 000 euro

Shkelja e ligjeve mund t’i kushtojë shumë kompanitë e mëdha. Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës dënoi Telekomin e Maqedonisë pikërisht për shpenzimet manipulative me 1 milion euro, ndërsa EVN-në me gjysmë milion euro sepse “kanë keqpërdorur pozitën dominuese në këtë treg përmes imponimit të kushteve të padrejta të tregtimit”. Operatori „ONE“ u dënua me gjobë prej 250 000 euro sepse ka faturuar për shërbimin që të mundëson lënien e mesasheve me zë.


 

AddThis Social Bookmark Button