Pagesë e shkëlqyer, aventurë e rrezikshme

Pagesë e shkëlqyer, aventurë e rrezikshme by Diversity Media on Mixcloud

Puna në Arabinë Saudite, djepin e islamit, për njerëzit e këtyre anëve është një aventurë. Megjithatë, fitimet e mëdha e rrëzojnë të gjitha pengesat.  Maqedonasit që jetojnë atje thanëse vetëm duhet të respektojnë rregullat. “Për” dhe “kundër”  jetës dhe punës në mbretërinë konservative, ku femrat duhet të jenë të mbuluara nga koka e deri te këmbët, ku meshkujt nuk duhet t’i shohin në sy, e ku në çdo cep mbikëqyr policia fetare.

Analizë e Vesna Kollovska

Trajneri i futbollit Vllatko Kostov tashmë ka dy muaj është në krye të ekipit të premierligës të Arabisë Saudite „Al Rijad“. Ngadalë po mësohet me kushtet e jetesës dhe me rregullat që i dikton sistemi i sheriatit në këtë mbretëri. Para se të vinte në qytetin Burajdah i është bërë e ditur se duhet t’i respektojë rregullat e rrepta islame – që meshkujt të vishen me pantallona të gjata, që femrat nuk duhen parë në sy e të fotografohen dhe se duhet respektuar e drejta e shenjtë e lutjes.

„Ata gjatë ditës luten katër-pesë herë, gjë që duhet ta respektoni. Më ndodh që para çdo trajnimi ata (futbollistët) të shkojnë për t’u lutur, ose të ndërpresim trajnimin pas pesë minutash. Ndodh që të duhet të luten edhe kur duhet të dalim për të filluar lojën, dhe unë e respektoj këtë gjë maksimalisht”, thotë Kostov, i cili kur ka marrë përsipër postin e trajnerit të klubit „Al Rijad“ ka pasur edhe mbështetjen e ndihmës trajnerit nga Sllovenia dhe mjekut të klubit nga Serbia.

Shkurt kohë pas ardhjes së tij në një klub tjetër në jug të Arabisë Saudite ka shkuar edhe trajneri i njohur nga Maqedonia, Xhoko Haxhievski, bashkë me Zllatko dhe Vanço Belevskin dhe Zllatko Janakievskin.

Për Arabinë Saudite trajneri Kostov thotë se është një vend në të cilin mund të fitohet mirë, për një ekzistencë të mirë, por thekson se jeta është krejt ndryshe nga ajo në Maqedoni.

„Ka një dallim të madh mes asaj që fitojmë në Maqedoni dhe këtu. Dallimi është shumë i madh. Të huajt më së shumti punojnë punë fizike , merren me higjienë, në mjekësi...Këto janë punë të cilat nuk i punojnë që ta kenë çdo gjë në rregull“.

MPÇSAgjenci e sigurt

Me vëmendje u ndoqën lajmërimet për punësime në këtë vend arab të cilët i shpalli një agjenci nga Shkupi për ndërmjetësim gjatë punësimit. Kërkohen infermiere, stomatologë, gjinekologë, dermatologë dhe kuadro të tjera mjekësore, dhe zejtarë si kasapë, teknologë të prodhimit të djathit dhe ushqimeve të konservuara. Paga, siç thotë lajmërimi sillet nga 750 deri më 3500 euro, me pushim, vendosje dhe biletë avioni të paguar.

Kjo agjenci është një nga dy agjencitë në Maqedoni të cilat kanë licenca për ndërmjetësim gjatë punësimit në vend dhe jashtë tij. Ajo ka licencë për punë të dhënë nga Ministria e punës dhe çështjeve sociale  (MPÇS). Dhe sipas zëdhënësit Davor Politov bëhet fjalë për një agjenci serioze.

„Të gjithë veprimtarinë e organizon vetë agjencia. Ajo ka detyrim edhe për të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të cilët i dërgon në Arabinë Saudite, ose në ndonjë vend tjetër të huaj.  Megjithatë, kjo është një veprimtari e cila kontrollohet nga Ministria e punës dhe çështjeve sociale”, sqaron Politov.

Maqedonia ka lidhur marrëveshje për dërgimin e punonjësve me vetëm tre shtete të huaja. Marrëveshja me Gjermaninë është për dërgimin vjetor të 570 punonjësve. Marrëveshja me Slloveninë, edhe pse e bërë në vitin 2007, nuk u realizua dhe duhet të ndryshohet. Marrëveshja e fundit është ajo me Katarin në vitin 2011, e cila është ratifikuar, por punëdhënësit në Katar ende nuk kanë treguar interes për punëtorët nga Maqedonia. Një marrëveshje të këtillë mes Arabisë Saudite dhe Maqedonisë nuk ka.

Varshmëria nga emigrantët

Megjithatë, edhe krahas pagave të larta për kushtet tona, puna në vendet arabe mund të jetë një aventurë e rrezikshme, paralajmëron Nada Karaivanova, një maqedonase e cila për dy vite me radhë ka udhëhequr projekte për përmirësimin e pozitës së gruas në një nga vendet arabe – në Libi.

„Në ato shoqëri gruaja nuk është e pranuar. Si grua, madje edhe si një e huaj që jetonte atje, unë u përballa me shumë vështirësi në jetën e përditshme, e të mos flas edhe për punën. Nga hulumtimet paraprake që u bënë për këtë projekt, arritëm në përfundimin se infermieret trajtoheshin shumë keq (flas konkretisht për në Libi), madje edhe nga vetë mjekët, pa fije respekti, sikur të mos ishin qenie njerëzore. Për fat të keq, ata trajtoheshin keq edhe nga pacientët. Mendimi publik në Libi është se ky profesion nuk vlerësohet fare”, thotë Karaivanova.

Vendet arabe varen nga fuqia punëtore e emigrantëve. Në Katar, 94% e punonjësve janë të huaj, ndërsa në Arabinë Saudite të huaj janë më shumë se gjysma e punonjësve.

Por, si do funksiononin shtetasit maqedonas në vende ku ekzistojnë rregulla të rrepta islamike dhe ku femrat kanë të drejta minimale?

„Me siguri në ato vende ekzistojnë kultura të tjera, raporte të tjera. Ato kuadro përballen me përshtatjen ndaj situatave të tilla. Kjo do të thotë se duhet ta respektojnë kulturën e atjeshme si dhe marrëdhëniet etnike. Gjatë përshtatjes me këto situata ato duhet të mbështeten te aftësitë e tyre profesionale dhe vlerat që kanë“, thotë Trajçe Micevski, profesor i ekonomisë dhe menaxhmentit.

Në të kaluarën, Maqedonia si pjesë e ish Jugosllavisë, dërgonte punonjës për punë në vendet arabe, si në Libi dhe në Irak. Inxhinierë ndërtimtarie, muratorë dhe infermiere fituan mirë në këto vende të pasura, por erdhën edhe me një përvojë jetësore në kultura plotësisht të kundërta.


 

Tregtia me njerëz

600 000 punonjës të huaj të arrestuar dhe të detyruar

Në Jordani këto ditë mbahet konferenca për tregtimin me njerëz nën mbështetjen e Kombeve të bashkuara. Organizata ndërkombëtare e punës (ILO) bën vërejtje për mungesën e procedurave të inspektimit në shtëpitë private të izoluara ku si punonjës shtëpiak punojnë të huaj, kryesisht femra.

Në sektorët e “meshkujve” legjislacioni vendor i parregulluar nuk lë hapësirë për të drejtat e punëtorëve dhe ndërprerjen e kontratave për punë dhe ndryshimin e punëdhënësit. ILO alarmon për 600 000 raste të punonjësve të huaj të cilët kanë qenë të detyruar ose të arrestuar.


 

AddThis Social Bookmark Button