Debate_mk

  

Në temën Përse shoqëria në Maqedoni nuk e sheh lirinë e të shprehurit si një vlerë demokratike?” Diversity Media më datë29.04.2013 në Klubin e gazetarëve në Shkup mbajti debatin e parë në kuadër të projektit Debate_mkˮ

Për këtë temë debatuan Olivera Trajkovska, autore e emisionit „Win – Win”, Zoran Dimitrovski, kryeredaktor i gazetës ditore „Nova Makedonija” dhe Fatmir Besimi, zëvendës kryeministër për çështje Evropiane në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. 

Zoran Dimitrovski, kryeredaktori i gazetës ditore „Nova Makedonija” mendon se liria e të shprehurit në Maqedoni  nuk dallon shumë nga ajo në vendet evropiane.

„Liria e të shprehurit si vlerë në Maqedoni ka devalvuar. Por, a ka liri të medieve? Të bëjmë një krahasim se sa medie ka pasur më parë, sa që nga viti  2002 e deri në vitin 2013. Do shihni se deri në vitin 1998 ka pasur monopol të një NGP. Nëse këtë e krahasojmë me gjendjen sot, do shohim se kemi bërë një hap të madh para.

Gazetarja Olivera Trajkovska e kritikoi qëndrimin e Qeverisë, e cila, sipas saj, e ka fshehur zërin e njerëzve trima.

„Dëshpërimi im lind gjatë numërimit se sa nga ne janë të zëshëm dhe mund të flasin lirshëm. Në një shoqëria, liria nuk ka kuptim nëse varet drejtpërdrejt nga trimëria. Kur ajo të bëhet diçka e zakonshme, ose nevojë për tu shprehur, atëherë do jemi në rrugë të mbarë, do jemi më të afërt me faktet. “

Fatmir Besimi, zëvendës kryeministër për çështje Evropiane thotë se qeveria e Maqedonisë ka njerëz të cilët punojnë për përmirësimin e lirisë të të shprehurit, një nga të cilët është edhe vetë ai.

„Para së gjithash sepse ajo ka shumë rëndësi për demokracinë. E dyta sepse është një kategori e garantuar me kushtetutë dhe e treta sepse janë standarde që Maqedonia duhet t’i ketë si prioritet gjatë bisedimeve me BE-në“, tha Besimi.

Ai nuk donte të komentojë për raportin e Stejt Departmentit për gjendjen me të drejtat e njeriut ku Maqedonia u kritikua për gjendjen me lirinë e medieve, e ku thuhet se Qeveria bën presion financiar për të realizuar qëllimet e saj.

Besimi foli për një ekspertizë të huaj dhe mbikëqyrje të ligjit të ri për mediet që u kritikua nga organizatat e medieve.

 

Petrit Saraçini nga Instituti Maqedonas i Medieve në një postim të tij shkruan:

„Sot, për herë të parë në një skenë publike, në një debat të organizuar nga Diversity Media, në një tavolinë me gazetarët dhe me redaktorët Olivera Trajkovska dhe Zoran Dimitrovski, dëgjuam për qëndrimet e Stejt Departmentit dhe Reporterëve pa kufij nga një përfaqësues i lartë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi”.

Ky ishte debati i parë nga gjithsej 10 debate që Diversity Media do i organizojë në periudhën nga muaji prill e deri në shtator të vitit 2013. Projekti pjesërisht është i mbështetur nga programi CIVICA Mobilitas i Qendrës për zhvillim institucional, CIRa.

Këto debate do synojnë përmirësimin e cilësisë së pushtetit lokal, përmirësimin dhe zhvillimin e dialogut ndëretnik në të gjitha sferat e shoqërisë, përgjegjësinë shoqërore korporative të sektorit privat, për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike dhe për të nxitur dhe përforcuar aktivizmin shoqëror në Maqedoni.

   

AddThis Social Bookmark Button