Vlerë demokratike

Vlerë demokratike by Diversity Media on Mixcloud

  

Së shpejti Maqedonia do fitojë edhe një ligj me të cilin rregullohet fusha e medieve dhe liria e të shprehurit. Propozim ligji edhe më shumë e thelloi hendekun mes bashkësisë së medieve  dhe pushtetit. A është ky edhe një element më shumë në perceptimin se në këtë vend liria e të shprehurit nuk konsiderohet si një vlerë e demokracisë?

Vdekja e një minatori të ri mbeti në hijen e prerjes së katër drunjve në qendër të Shkupit. Në këtë mënyrë ilustrative e sqaroi gjendjen në mediet në Maqedoni Zoran Dimitrovski, redaktor i gazetës më të vjetër ditore „Nova Makedonija”. Në një kohë kur po shkatërrohen ekonomitë dhe Evropa është gjunjëzuar para krizës, në vend të parë duhet të jetë e drejta për jetuar e për të punuar, e pastaj gjithçka tjetër, tha Dimitrovski.

„Kriza ekonomike dhe financiare thjesht i devalvoi të gjitha këto të ashtuquajtura „vlera“,të cilat po bëhen lluks në pazarin politik. Këto vlera po bëhen mall lluksi. Bëhet fjalë edhe për devalvimin edhe të nocioneve që i përcaktojnë këto vlera. Pse? Sepse ato devalvohen gjatë keqpërdorimit të tyre. Më së shpeshti keqpërdoren të drejtat e njeriut sepse ato institucione, shtete, të cilat si të themi janë luftëtarët kryesorë për të drejtat e njeriut, kanë standarde të dyfishta sa i përket këtyre të drejtave“.

Në debatin me temë „Përse shoqëria në Maqedoni nuk e sheh lirinë e të shprehurit si një vlerë demokratike?” gazetarja Olivera Trajkovska e kritikoi qëndrimin e qeverisë, e cila sipas saj ka heshtur zërin e njerëzve trima.

„ Dëshpërimi im lind gjatë numërimit se sa nga ne janë të zëshëm dhe mund të flasin lirshëm. Në një shoqëri, liria nuk ka kuptim nëse varet drejtpërdrejt nga trimëria. Kur ajo të bëhet diçka e zakonshme, ose nevojë për tu shprehur, atëherë do jemi në rrugë të mbarë, do jemi më të afërt me faktet. “

(Jo)polemikë

Ato fakte, sipas Trajkovskës, shpesh anashkalohen, fshihen dhe mbulohen pas praktikave të pushtetit, që politikanët të mos polemizojnë, të mos debatojnë së bashku.

„Ne mund të jemi ndërmjetësues të mirë të cilët në politikat e tyre redaktuese kanë një  marrëveshje elementare për atë që ata duan të flasin. Këto dallime do na mundësojë të jemi ndërmjetësues të mirë të polemikave, të cilat, përndryshe, nuk ekzistojnë. Kur në mesin e elitës nuk ka polemikë, kur nuk ka debat, do jetë shumë më e lehtë që kjo të ofrohet në televizione, nëse shoqëria ose bashkësia ka nevojë të debatojë.“

Raportin e organizatës „Reporterë pa kufij“në të cilin sipas lirisë së medieve Maqedonia ndodhet nga fundi, pushteti deri më sot nuk ka dashur ta komentojë. Në raportin për gjendjen me të drejtat e njeriut të Stejt Departmentit Amerikan  vendi mori kritika për gjendjen me lirinë e medieve dhe u theksua se Qeveria praktikon presion financiar për të realizuar politikat e saj. Zëvendës kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi ishte përfaqësuesi i parë i pushtetit i cili u shpreh për këto vlerësime në debatin e organizuar.

„Ai raport është raport informativ për kongresmenët e SHBA-ve, por është i rëndësishëm për ne, sepse këto vlera i ndjejmë ne dhe për përmirësimin e këtyre vlerave dhe parimeve duhet të punojmë vetë ne. Nuk them objektiv...subjektiv...

Ai është një raport profesional, ashtu siç bëhet për çdo vit.”

Liria e të shprehurit për Besimin është një çështje e rëndësishme, ndërsa liria e medieve është një nga pesë prioritetet që i është vënë si detyrë Maqedonisë nga BE-ja.

Ligj i ri

Për këtë arsye Sekretariati për çështje evropiane e ndjek me një vëmendje të madhe procedurën e miratimit të ligjit të ri për mediet, i cili u prit ashpër nga bashkësia e medieve.

„Personalisht nuk kam ndërmend të bëj diçka që është jashtë procedurës së zakonshme gjatë këshillimeve me Komisionin Evropian. Në ligj dhe në draftin e fundit mund të ketë mendime të ndryshme, por me rëndësi është që të inkuadrohen edhe ekspertët e Komisionit Evropian. Ligji nuk do të jetë identik me atë të Francës, nuk do të jetë identik as me atë të Gjermanisë  ose Britanisë, por do duhet të reflektojë të njëjtat standarde të lirive të të shprehurit.“

Përfaqësuesit e organizatave të medieve kërkuan që ekspertë evropian të bëjnë vlerësimin e cilësisë së ligjit, i cili sipas Zoran Dimitrovskit, sërish është viktimë e qëndrimit të gazetarëve.

„Ne gazetarët shpesh mendojmë se të gjitha ligjet sillen për mbrojtjen e lirisë ose për kufizimin e lirisë. Liria mund të rrezikohet nga monopolet në biznes. Liria nuk do rrezikohet vetëm nga pushteti. Liria, në fund të fundit, është një çështje filozofike dhe secili mund ta analizojë në mënyra të ndryshme. Ideja është se ne do na lejohet që ta miratojmë atë ligj lirshëm, kuptohet në korniza të standardeve të BE-së. “

Debati që është pjesë e projektit të mbështetur nga programi CIVICA Mobilitas i Qendrës për zhvillim institucional, CIRa, ishte i pari nga debatet me tema që synojnë përforcimin e aktivizmit shoqëror, përmirësimin e dialogut ndëretnik, përmirësimin e cilësisë së pushtetit lokal.

  

AddThis Social Bookmark Button