Politika e zbraz Maqedoninë

Maqedonia ka masa aktive dhe politika për ta parandaluar emigrimin masovik të njerëzve, por në realitet po ndodh e kundërta. Një pjesë e ekspertëve të cilët morën pjesë në debatin që u mbajt në Prilep arritën në përfundimin se fajin për këtë gjendje e kanë edhe qytetarët të cilët nuk ndërmarrin iniciativa për të filluar një biznes. Arsyet i shohin te mungesa e iniciativës tek njerëzit, por edhe në partizimin e shoqërisë ku në parti aktivizohen kryesisht të rinjtë, jo për ideologji, por për të gjetur punë.

Përgatiti Dushko Arsovski

Edhe sikur të ekzistonte një Itar Pejo bashkëkohor vështirë se do mund t’ia dilte në krye me situatën në të cilën ndodhet Prilepi tani. Është dëshpërues fakti që sot në këtë qytet bëhen deri më 10 aplikime në ditë për pasaportë bullgare. Kështu, qyteti që më parë kurrë nuk ka qenë i tillë, ngadalë po bëhet një qytet kurbetçinjsh.

„Arsyeja do jetë ose politika ose ekonomia, e kur nuk ka ekonomi të fuqishme, na mbetet vetëm politika, ndryshe nuk kemi se ku ta vendosim problemin.“

Analisti ekonomik Aleksandar Cvetkovski sqaron thelbin e problemit dhe shton se pjesë të fajit kanë edhe njerëzit e zakonshëm:

„Në fillim është mungesa e iniciativës dhe vetiniciativës tek ne. Kjo është kështu që nga koha pas Luftës së parë botërore. Ne na mungon ajo që quhet iniciativë afariste, e që as që e kemi pasur ndonjëherë.  Kjo është si pasojë e sistemit të kaluar dhe atij para tij“

Pastaj, sipas tij, fajin e ka edhe arsimi i lartë i cili po prodhon kuadro të cilët nuk janë të kërkuar në tregun e punës.

„Duhet të ekzistojnë mekanizma të cilët do i kahëzojnë, duke filluar që nga familja, Agjencia për punësim, vetë sektori i biznesit, pushteti lokal. Këto nuk bëjnë asgjë. Atyre, për shembull, u tregon universiteti se për çfarë kanë nevojë në Pellagoni.

Ndarje

Mariçe Treneska, punonjëse sociale në organizatën joqeveritare Koalicioni i organizatave rinore „Sega“ sqaron se si funksionin kjo gjë në shtetet e zhvilluara. Ajo këtu e sheh edhe motivin që një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë mendojnë për karrierë jashtë shtetit.

„Diplomat u pranohen edhe në shtetet perëndimore dhe atje mund të bëhen ekspertë dhe doktorë të shkencave për një afat kohor nga pesë deri më dhjetë vjet. Këtu do ishin shumë të kufizuar. “

Ndërsa në Maqedoni edhe sikur të gjejnë punë sipas profesionit, ndodh kështu:

„Që të gjithë janë të rinj me kapacitet e që kanë se çfarë të ofrojnë. Ajo që i revolton dhe i frustron janë paratë e pakta që do i marrin për punën për të cilën kanë mësuar. “

Cvetkovski thotë se Maqedonia i ka të gjitha parakushtet ligjore për të mos i ndodhur emigrimi masovik i njerëzve. Ekzistojnë strategji, masa aktive, si për shembull, arsim për të gjithë, programe për pjesëmarrje të diasporës, mundësi për biznes. Megjithatë, thotë ai, ka edhe shumë veprime të palogjikshme. Ja një shembull:

„Ne kemi njerëz që kanë mbaruar studimet e gjuhës angleze, asaj gjermane ose studime të gjuhëve të tjera dhe ata duhet t’i ofrojnë shërbimet e tyre në treg, t’i arsimojnë njerëzit. Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare dhe Qeveria ofrojnë leksione falas të gjuhës angleze. Si ka mundësi? Nëse keni një treg të leksioneve për gjuhë angleze, ju nuk mund ta shkatërroni atë duke ofruar leksione falas. “

Ndarjet politike kanë një rol të madh në tendencën gjithnjë e në rritje të emigrimit jashtë vendit. Të rinjtë si bartës të zhvillimeve të ardhshme nuk kanë ndonjë zgjidhje, thotë Treneska.

„Të rinjtë tek ne nuk është se anëtarësohen në parti për shkak të ideologjisë së asaj partie. Qëllimi i tyre i vetëm është - unë kam përfunduar studimet, ose jam magjistër, do të anëtarësohem në atë parti sepse do të më gjejnë punë. Në mos tani, atëherë pas një ose dy vitesh.“

Shqetësim

Cvetkovski është shumë i prerë për atë se si funksionon partizimi në terren.

„Sot ka njerëz të tillë të pushtetshëm. Ku do gjeni mbështetje nëse doni të plasoni një ide. Të rinjtë thonë, unë do kisha bërë diçka, unë kam edhe ide, por si mund të jem i sigurt për të ardhmen time. Ajo që quhet parashikueshmëri ose meritokraci nuk po ndodh.“

Ai dyshon se edhe të gjitha Qeveritë e deritanishme kanë pasur shqetësim emigrimin e rritur.

„Një nga gjërat që kanë rëndësi për Qeverinë – devizat. Dhe nga ky këndvështrim përse do mundoheshin ta zvogëlonin numrin e personave të cilët emigrojnë kur ata që tashmë kanë emigruar thjesht e përmirësojnë deficitin buxhetor të Qeverisë.“

Interesi për pasaporta bullgare nuk duhet të jetë një befasi, mendon Treneska. Evropa jep një instant mundësi të cilët shtetasit e Maqedonisë nuk do e kenë deri sa vendi nuk bëhet anëtare e Baskimit Evropian.

„Mendoj që kjo i nxiti edhe të rinjtë nga Maqedonia që të shkojnë në Bullgari, shtet ky që para pak kohësh u bë anëtare e Bashkimit Evropian dhe që ua lehtësoi rrugën të rinjve për tu larguar drejt perëndimit. “

Ekzistojnë të dhëna të ndryshme për numrin e personave që janë larguar nga Maqedonia përgjithmonë. Sipas disave, në 15 vitet e fundit janë larguar 230 mijë persona. Sipas disa të tjerëve 450 mijë persona e kanë kërkuar fatin jashtë shtetit. Cila do qoftë nga këto statistika të jetë e saktë, një gjë është e sigurt se në të dy rastet vihet re një tendencë e rritjes së emigrimit. Projekti i Qeverisë aktuale për tërheqjen e investitorëve të huaj që ka për qëllim të zvogëlojë numrin e të papunëve, u humb në kastrimin mekanik në Agjencinë për punësim. Në stilin e Pejos – sa më shumë persona që largohen, aq më pak material mbetet për “kastrim”.

   

  

AddThis Social Bookmark Button