Ndotja e rrezikshme e Pollogut

Me shikimin e drejtuar nga shtëllungat e tymit, Memedali Ametishprehet i shqetësuar lidhur me sëmundjet që sjell ajri i ndotur nga Kombinati Metalurgjik Silmak në fshatin Jegunoc. Ai jeton në fshatin Kopanicë të komunës së Jegunocit, në veri-perëndim të Maqedonisë dhe është i brengosur për ajrin me aromë metalesh që thith ai dhe familja e tij.

Urim Hasipi
 
Thotë se fabrika daton që para pesë dekadash dhe tani lëshon vetëm helme, jo vetëm për banorët e Komunës së Jegunocit.
“Është mirë që kjo fabrikë po punon, por duhet e njejta të ketë filter mbrojtës. Pluhuri e dëmton ambientin ku jetojmë. Edhe në bujqësi kemi dëme, por edhe ajri është i rëndë. Duhet të ketë mbrojtje për shëndetin e qytetarëve”, thotë Memetaliu. Ajri në rrethinën e Pollogut, që përfshin rajonet e qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, është i ndotur disa herë mbi nivelin e lejuar.
 
Pothuajse 99 përqind e ndotjes së ambientit vjen nga Kombinati Metalurgjik “Jugokrom”, e cila më shumë se 50 vite funskionon në këtë rajon dhe bën pjesë në industrinë më të rëndë.
 
 
Këtë e konfirmon edhe Ministria e Ekologjisë e Republikës së Maqedonisë. Në pjesën e këtij rajoni vërehen rretë e zeza të cilët dalin nga ky kombinat dhe shpërndahen në rajonin e kësaj komune. Situata është alaramante sidomos në fshatrat që janë përgjatë Lumit Vardar. Këtë më së miri e ilustrojnë pamjet nga ku shihet se si nga ky kombinat del tymi dhe më pas shpërndahet. Këtë tym të dëmshëm e thithin banorët që janë afër këtij kapaciteti industrial.
 
Banorët e komunës së Jegunocit dhe Tearcës gjithnjë e më shumë shqetësohen nga ajri i rëndë që thithin. Janë të shqetësuar edhe për prodhimet bujqësore që i kultivojnë. Institucionet përkatëse nevojitet që t'u përmbahen rregullativave për një ambient më te pastërt. Por, tani për tani vetëm konfirmojnë se rezultatet e ndotshmërisë së ajrit nuk janë të kënaqshme.
 
“Në rajonin e Pollogut, në pajtim me të dhënat që disponon Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit Jetësor, janë identifikuar emisione në ajër nga instalimet që janë vendosur në Tetovë, Gostivar dhe Jegunovcë”, thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Ekologjisë.
 
Sa i përket kualitetit të ajërit, nga Ministria e Ekologjisë thonë se i njëjti matet në Tetovë me stacionin monitorues në kuadër të Sistemit Automatik Shtetëror Monitorues për Kualitetin e Ajërit.
 
Sipas rezultateve të grumbulluara për substancat ndotëse gjatë 2013, është kaluar kufiri mesatar i sasisë për grimcat me madhësi deri në 10 mikrometër (pluhur). “Duhet të theksojmë se stacioni duhet të dislokohet për shkak se në afërsi të saj janë ndërtuar objekte të mëdha dhe nuk ka kushte që matja e ndotjes së ajërit të jetë relevante”, thonë në Ministri.
Dikasteri i Ekologjisë thotë se rregullisht u bën kontrolle kapaciteteve industriale në këtë rajon.
 
“Kontrollën e fundit që e kemi bërë në Jugokrom ka qenë para dhjet ditëve. Në pajtim me të dhënat nga stacioni monitorues i sasive të lejuara të emisioneve tejkalim ka vetëm tek grimcat e pluhurit. Shkak është teknologjia e vjetëruar”, thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë e Ekologjisë.
 
Ekspertët dhe shoqatat joqeveritare të mbrojtjes së ambientit jetësor thonë se ndotja e ajrit në rajonin e Pollogut është alarmante.
 
Sipas tyre, ndotësi më i madh është Silmak-Jugohromi, tymi i së cilës shpesh mbulon si me mjegull rajonin e komunave të Jegunocës dhe Tearcës. Ndërkohë që bashkë me tymin që lëshon fabrika e tekstilit Teteks, ndotet i tërë Pollogu. Profesori universitar Murtezan Ismaili nga Instituti i ambientit dhe shëndetit në UEJL thotë se këto shifra duhet të alarmojnë institucionet përgjegjëse, e jo të analizojnë nëse ky pluhur dhe kjo ndotje vjen nga ndërtimet që bëhen në afësi të aparaturave matëse.
 
“Qyteti i Tetovës kohëve të fundit është mjaft i ndodur. Kur zbresim nga Kodra e Diellit shohim oxhakun e Teteksit dhe të Silmakut që lëshon tym të ndendur I cili dukshëm e ndot me ato kapacitete që punojnë. Tetova urgjentisht ka nevojë për monitorim të pavarur të llojit të ndotjes. Jo vetëm të ajrit pro edhe të parametrave të tjerë ndotës. Rritjet e pacientëve me sëmundjet e traktit respirativ(frymëmarrjes) dhe sëmundjet me prejardhje të panjohur janë indikacion i mjaftueshëm që Tetova nuk është një parajasë në aspektin e mbrojtjes së ambientit”, thotë profesor Murtezan Ismaili.
 
Ndërkohë që sipas Hartës së publikuar nga NASA për ndotjen e ambientit, Pekini është qyteti më i ndotur në botë, ndërsa Sarajeva qyteti më i ndotur në Evropë. Sipas hartës së publikuar nga NASA për ndotjen e ambientit, Tetova dhe Shkupi, janë qytetet më të ndotura në Maqedoni . Për nga ndotja e ajrit, Tetova ka ik shumë përpara Velesit, i cili deri para pak kohësh ishte qyteti më i ndotur në Maqedoni.Harta e publikuar nga NASA tregon se shumica e njerëzve në botë vdesin nga ndotja. Sipas studimit ndotja e ajrit vret çdo vit 2.1 milion njerëz.
 
 
Storja është realizuar me mbështetje financiare të QGH “SCOOP” Maqedoni
 
AddThis Social Bookmark Button