Robert Popovski : “Gazetarët maqedonas duhet të mësojnë shqip”

KOHEZIONI NE MEDIA by DiversityMedia

Vlerësim i përgjithshëm është se mediet në Maqedoni vitet e fundit janë të ngjashme në informacionet që japin rreth çështjeve që ngjallin interes, pa varësisht se në ç’gjuhë raportojnë. Por ajo që mbetet mangësi është mospasja e mundësisë për publikun maqedonas të ndjekë opinionet, kollumet apo debatet që shkruhen në gjuhë të tjera.

 

Nazim Rashidi vizitoi redaksitë dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Atmosfera e punës në gazetën “Utrinski Vesnik”, është shumë e ngjashme ndonëse me staf më të vogël me atmosferën në redaksinë e gazetës “Koha”

Nëse shfleton faqet e dy gazetave, tek të dyja dominojnë thuajse të njëjtat tema, sigurisht me kënde dhe prioritete të ndryshme në varësi se kujt publiku i drejtohen. Por, ajo që dallon dukshëm, janë faqet me opinione.

Në këtë pjesë njerëzit janë shumë të ndryshëm, por ajo që është edhe më specifike është fakti se publiku maqedonas është i hendikepura dhe nuk ndjek debatin dhe mendimin që zhvillohet në gjuhë të tjera.

Arben Ratkoceri, botues i gazetës “Koha”, thotë se kolegët maqedonas shpesh habiten kur marrin vesh debatin që zhvillohet në këtë medie.

“Shpesh na ndodh që për shumë çështje tu paraprimë proceseve në Maqedoni, e kam fjalën për gjithë mediet në gjuhën shqipe, ku bën pjesë edhe gazeta “Koha”. Kur bëhet pastaj debati edhe në hapësirën maqedonase, ata e shohin se ne këto çështje i kemi trajtuar. Atëherë kolegët pendohen që nuk e njohin gjuhën shqipe”, thotë Ratkoceri.

Çfarë shkruajnë intelektualët shqiptarë?

Ka raste, por trajtohen si specifike, kur emra të njëjtë autorësh shkruajnë në më shumë gjuhë, por Lupço Popovski, redaktor në Gazetën “Utrinski Vensik” thotë se do të donte që të ndjekë në vazhdimësi reagimin e intelektualëve për fenomenet shoqërore:

“Unë do doja të dija shumë për shembull se çfarë shkruajnë në gazetën “Koha” një numër i madh shqiptarësh të mençur. Publiku maqedonas është i privuar sepse nuk shikon nuk lexon dot shkrimet në gjuhën shqipe”, thotë Popovski.

Muhamet Zeqiri, është gazetari që drejton emision “Rruga drejt...”, në emisionin e të cilit debati zhvillohet në më shumë gjuhë. Ai thotë se televizioni Alsat-M, po bën përpjekje të madhe për kohezionin në vend, diçka që duhej ta bënte televizioni shtetëror por edhe segmente të tjera në shoqëri:

“Kjo është fatkeqësi, sepse rolin që është duke luajtur Alasti, është dashur ta luaj televizioni publik. Deri në këto moment askush nuk ka tentuar të bëjë një gjë të tillë mendoj se këtë nuk e kanë bërë nga frika se si do ta përjetojnë shikuesit një gjë të tillë. Por ne e patëm atë guxim dhe tani jemi pionier dhe shembull në Maqedoni dhe rajon”, thotë Zeqiri.

Gazetarë shqiptarë në media maqedonase

Emision me karakter debativ ka edhe gazetari Robert Popovski. Ai shpesh në programet e tij i referohet fjalës së shkruar, por sa ndihet i lënë anash, kur nuk ndjek debatin në mediet jo maqedonase?

“Me të vërtetë është e pakëndshme që kur flasim për zhvillimet në Maqedoni, mos kemi informacione se si gazetarët shqiptarë e paraqesin realitetin. Prandaj them që gazetarët maqedonas duhet ta kuptojnë se duhet të mësojnë gjuhën shqipe. Por ky do të ishte një proces i gjatë që nuk mund të ndodhë shpejtë dhe jo të gjithë do pranojnë një gjë të tillë, prandaj si fazë kalimtare do të duhej që mediet në gjuhën shqipe të kenë faqe interneti në të cilat do të përkthenin informacionet bazë”, thotë Popovski.

Studiuesit e medies vlerësojnë se mënyra e informimit dallonte shumë vite më parë në varësi se në ç’gjuhë bëheshin raportimet, tani titujt dhe ngjarjet që dominojnë lajmet janë më të ngjashme, por për të krijuar një tabllo më të plotë, për mos të pasur dy të vërteta sugjerohet se duhet bërë një hap më tej, përcjellja edhe e mendimit, kritikave dhe debatit që zhvillohet sidomos në mediet me gjuhët jo maqedonase.

Thuajse të gjithë bashkëbiseduesit me të cilët bisedoi Diversity media pajtohen se duhet ndërmarrë diçka, kjo që nga punësimi i gazetarëve shqiptarë në mediet maqedonase e deri tek projekte dy gjuhësore të cilat mund ti ndihmonin edhe institucionet shtetërore.

AddThis Social Bookmark Button