Struganët janë për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura

Struganët ishin mikpritësit e diskutimit të parë publik të shoqatës Diverstity Media e titulluar “Sistemet zgjedhore, për interes të qytetarëve apo partive politike”. 
Një nga pjesëmarrësit në diskutim, politologu Bashkim Bakiu u shpreh se angazhohet për një sistem zgjedhor ku Maqedonia do të ishte një njësi zgjedhore dhe përjashtoi mundësinë e zgjedhjes së deputetëve nga diaspora.  

- Studimet tona tregojnë se që të zgjidhet një deputet i diasporës kushton sa 30 në vend. Element tjetër është pabarazia e votës, ose zgjedhja e një deputeti në diasporë me 150-300 vota përballë numrit më të madh të votave që duhet të marrë në Maqedoni, tha Bakiu sipas të cilit më së miri është të pranohet modeli me një njësi zgjedhore.

- Maqedonisë më së shumti i duhet një njësi zgjedhore me lista të hapura, sepse u dëshmua se që nga viti 2002 kur ky sistem është vënë në praktikë, se një deri në dy parti kanë kontrollin mbi institucionet dhe shumë lehtë krijohet qeveria. Me një njësi zgjedhore kjo fuqi humbet, tha Bakiu.

Ardian Demiri, jurist nga Struga, panelist në diskutim bëri një prerje të të gjitha sistemeve zgjedhore me të cilat janë zhvilluar zgjedhjet në Maqedoni.

- Të gjitha sistemet zgjedhore kanë përparësitë dhe dobësitë e tyre, por mbi të gjitha më e rëndësishme është cilësia e ofertave. Sistemi zgjedhor ndikon në dinamikën e sistemit politik dhe prandaj listat e hapura janë një zgjidhje sepse do të ndikojnë në rritjen e demokracisë si në shoqëri ashtu edhe brenda partive. Në këtë mënyrë deputetët nuk do të zgjidhen sipas dëshirës së liderit, tha juristi Adrian Demiri.

Ky ishte diskutimi i parë publik, nga 12 që do ti organizojë Diversity Media bashkë me Alsat-M në kuadër të projektit Diskutime Glokale_mk, mbështetur nga programi Civica Mobilitas, e implementuar nga MCMS dhe organizata daneze NIRAS.

Për çështjen e njëjtë do të diskutohet dhe në Strumicë. Ideja është që më pas të bëhet një prerje e opinionit për një temë në dy qytete të ndryshme.

               

AddThis Social Bookmark Button