Diaspora të vijë dhe të votojë në Maqedoni

Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, diaspora të votojë në Maqedoni, lista të hapura për deputetët. Këto janë disa nga përfundimet që dolën nga debati në Strumicë në kuadër të projektit Diskutime Glokale_mk.

Nano Ruzhin, profesor universitar, ish deputet dhe diplomat shpjegon thelbin e modeleve zgjedhore.

„Qytetarët mes veti duhet të bëjnë një lloj marrëveshjeje shoqërore, e jo tu imponohet që të gjithë do mendojnë për këtë ose për atë. Që interesi shoqëror i Maqedonisë do jetë i atillë si do e mendojë partia politike. Jo! Tu jepet e drejta edhe atyre që kanë humbur në zgjedhje të gjejnë veten në sistem. Ky është thelbi i modeleve zgjedhore.”

Sa i përket modelit zgjedhor, ai thotë se më praktik është modeli proporcional, sidomos në shoqëri multietnike si është kjo në Maqedoni. Por, ai paralajmëron edhe për rreziqet.

„Modelet proporcionale sipas të cilëve kuvendi përbëhet nga parti të ndryshme politike funksionon më vështirë kur bëhet fjalë për një kuvend heterogjen. I tillë ishte rasti edhe me Italinë që e ndryshoi modelin zgjedhor, sepse për një kohë të shkurtër u ndërruan më shumë se 100 qeveri. Megjithatë, duke u nisur nga përvoja jonë, korrupsioni që ekziston në mesin e politikanëve, duket se, së paku për momentin, do ishte më mirë që qeveritë të ndërroheshin më shpesh. “

Ai thekson edhe një problem, që sipas tij, është problemi më i madh.

„Problemi i Maqedonisë qëndron në listat zgjedhore dhe pastrimin e listave zgjedhore dhe para së gjithash në pamundësimin e manipulimeve dhe ndikimit të medieve partiake ose medieve shtetërore që janë nën ndikimin e partive, thotë Ruzhin“

Qytetarët e Strumicës janë pothuajse unanim në qëndrimin  tyre se kërkojnë lista të hapura me ç’rast do votojnë dhe do i zgjedhin deputetët në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ja pse.

„Në partitë politike të zgjidhen njerëz me autoritet, që janë të ndershëm e të cilët i njeh populli.“

„Do jetë më mirë votohet për vetë personin. Tani të gjithë shohin vetëm bizneset e tyre.“

„Nëse do e jap votën për një parti, dua që edhe kandidati të jetë i përshtatshëm. “

„Edhe për njeriun edhe për partinë, sepse nëse një person nuk bën, atëherë nuk është në rregull që të zgjidhet për udhëheqës shtetëror. “

„Tek ne për deputetë u zgjodhën njerëz të paaftë, që nuk janë të zotë për familjet e tyre, e ata u bënë deputetë. Tek ne ekziston ndjesia se partitë nuk i duan njerëzit e aftë.“

Edhe aktivistët qytetarë lokal janë të po të njëjtit mendim. Gjorgji Tasev i shoqatës „Novus“ mendon se:

„Me listat e hapura qytetarët do mund të votojnë për kandidatin. Pra, ato do vendosin se cili me radhë do jetë kandidati, e kështu edhe vetë partitë politike do kenë kujdes se kë do vënë në listë. Kështu do theksohet cilësia, morali dhe përgjegjshmëria e vetë kandidatit.“

Pse kanë qëndrim kaq të prerë njerëzit e thjeshtë? Një shpjegim të tijin e jep gazetari Vane Trajkov i cili bëri një analizë me temë – sistemet zgjedhore në interes të qytetarëve apo partive politike.

„Mendoj që po e humbasin besimin tek partitë politike, gjegjësisht tek kandidatët për të cilët votojnë jo vetëm për deputetë, por edhe për këshilltarë. Ata thjesht duan njerëz autoritarë, njerëz të cilët do i përfaqësojnë interesat e tyre. Ne jemi në njësinë zgjedhore ku listat zgjedhore partitë politike i krijojnë në atë mënyrë që të mund të fusin kandidatë edhe nga Prilepi dhe Vallandova dhe Gjevgjelia, kur pjesa më e madhe e kandidatëve më të mirë mund të jetë nga Vallandova“, thotë Trajkov.

Për profesorin Ruzhin qëndrimet e qytetarëve janë indikator për ndryshime.

„Së pari, është i qartë zhgënjimi nga elita politike në Maqedoni, pavarësisht se për cilën parti politike bëhet fjalë. Së dyti, ekziston dëshira për të bërë ndryshime të modeleve dhe tabiateve të deritanishme  të politikanëve tanë – manipulimet e vazhdueshme, kërkimet e vazhdueshme për njerëz lojalë dhe të dëgjueshëm, e jo njerëz trima, transparent, të hapur dhe të ndershëm.  Dhe së treti, ky është një sinjal i mirë se kultura politike në Maqedoni po fillon të përmirësohet, që do të thotë se qytetarët fillojnë të interesohen se si do funksionojë sistemi politik, kush do udhëheqë me shtetin dhe në çfarë mënyrë do promovohen interesat e tyre në një nivel më të lartë.“

Kur bëhet fjalë për diskutimet për një ose më shumë njësi zgjedhore, qytetarët e Strumicës janë konkret.

Është mirë të jetë një njësi zgjedhore, dhe në asnjë mënyrë të mos votojë diaspora. Ata nuk jetojnë këtu, e duan të mendojnë se si të jetoj unë.

Edhe pse do duket e befasishme, edhe nga pozita e një përfaqësuesi nga diaspora nuk ka dallim në qëndrim. Dimitar Cvetkovski nga komuniteti maqedonas në Gjermaninë veriore thotë:

„Nuk duhet të votojë. Do ju them dy arsye se pse jo. Ne që jemi më afër, në Evropë, vijmë në vendlindje më shpesh, dy ose tre herë në vit. Takohemi me farefisin tonë dhe i shohim vështirësitë që i kanë dhe na duhet tu ndihmojmë që të përballen me to. Ata që janë në Amerikë, ose në Australi, me dy shtetësi, ata nuk vijnë në vendlindje për vite me radhë dhe nuk e dinë se si jetohet këtu. Prandaj duhet të jenë të vetëdijshëm të mos e gjykojnë popullin e tyre në vendlindjen e tyre.

Ruzhin, nga ana tjetër, thekson edhe një efekt tjetër që do arrihej me Maqedonisë si vetëm një njësi zgjedhore.

Ajo një njësi zgjedhore do ndikonte në krijimin e partive multietnike, sepse lufta për vota do bëhej në mbarë vendin. Edhe pse, unë kam dyshime se mund të ndodhte një gjë e tillë, sepse krijuesit, partitë politike, ose kanë frikë, ose nuk janë trime aq sa duhet, ose nuk e kanë analizuar fidbekun e vërtetë të një modeli të këtillë.

Përvoja nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2009 tregoi se kandidati shqiptar Imer Selmani fitoi një numër të madh të votave nga votues të përkatësisë etnike maqedonase në Strumicë dhe në mbarë vendin. Nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim thelbësor, ky rast do mbetet si përjashtim në jetën e deritanishme demokratike në Maqedoni. Sipas diskutimit në Strumicë, si bazë fillestare mund të jetë ndryshimi i modelit zgjedhor.

AddThis Social Bookmark Button